Parfe e Shëndetshme

Ushqimi shijon më shumë kur ndër të tjera edhe duket bukur, dhe ky është një fakt!

Me shumë pak kujdes mund të kthejmë një vakt mëngjesor mëse normal siç është granola me kos e fruta, në një parfe të bukur, e cila të fton ta shijosh menjëherë!

 

  • Për këtë recetë do t’ju duhet granola cilësore dhe mundësisht e personalizuar sipas shijeve tuaja që ta shijoni deri në pikën e fundit, prandaj klikoni këtu për të lexuar recetën tonë të granolës, e ndjehuni të lirë të zëvendësoni frutat e thata sipas preferencave.
  • Mund të përdorni kos normal ose grek; kjo mbetet në dorën tuaj. Personalisht nuk më pëlqen kur kosi normal lëshon ujin e tij prandaj preferoj një miksim mes kosit grek dhe kosit në formën e lëngut. Në këtë mënyrë konsistenca mbetet sërish në dorën time.
  • Detaji i fundit, por jo më pak i rëndësishëm, frutat e freskëta. Ne kemi përdorur luleshtrydhe, por ndjehuni të lirë të përdorni frutin apo frutat tuaja të preferuara.

Proçedura:

 

Shtroni frutat, kosin dhe më pas granolën.

Mund të përserisni këtë veprim dhe një herë tjetër, në varësi të enës së servirjes.

 

Fotografitë nga Eranda Janku

Akullore Artizanale me Luleshtrydhe

Akullorja me luleshtrydhe ka qënë tejet e kërkuar këtë verë. Në fakt një recetë sa e ngjashme me të tjerat, po aq dhe unike. Akulloret me fruta në fakt janë ndër të preferuarat e mia, sidomos kur përgatiten në shtëpi. E them këtë pasi shija e një akulloreje e cila është përgatitur me frut të freskët të bërë pure, nuk ka të krahasuar me akulloret industriale të cilat në shumicën e rasteve mbartin vetëm ekstrakte frutash.

Duke qënë se shumica prej jush ka pyetur pafund për përgatitjen e akullores në kushte shtëpie dhe si ta stimulojmë atë që të na bëhet kremoze dhe e trashë sa më shpejt, në këtë recetë kam vendosur të përdor një teknikë tjetër; që në fakt e përdor shpesh në shtëpi.

Purenë e frutit vendoseni në akull minimumi një natë përpara dhe kjo do të sjellë që masa juaj finale të jetë shumë e ftohtë. Dhe kur masa shumë e ftohtë futet në enën e sapo dalë nga akulli, i gjithë proçesi është shumë më i thjeshtë. Për detajet e tjera lexoni vazhdimin e artikullit!

Continue reading “Akullore Artizanale me Luleshtrydhe”

Reçel me Luleshtrydhe dhe Fara Chia

Chia është një nga përbërësit që kam eksperimentuar shumë së fundmi. Farat chia (kia cilësuar në shqip) janë quajtur super-ushqim falë karakteristikave dhe të mirave që i sjellin trupit tonë. Ato janë të mbushura me acide yndyrore omega-3, të pasura me fibra dhe proteina dhe më e rëndësishmja për këtë recetë: jo vetëm që e bëjnë të shëndetshme, por luajnë dhe rolin e trashësit (niseshtesë që përdoret rëndom në recetat e zakonshme).
Ky reçel me luleshtrydhe është i përbërë nga vetëm 3 përbërës që në ditët e sotme gjenden lehtësisht në tregun tonë.

  • Ndryshimi nga reçelërat e zakonshëm:
    Ndjehet më shumë shija e frutit.
    Sasia e ëmbëlsuesit është e reduktuar ndjeshëm.
    Është më pak rezistent.

Pasi të mbaroni së gatuari reçelin dhe ta lini të ftohet do të shihni që do nisë të trashet. Kjo është dhe arsyeja që kurdo që do t’ju nevojitet planifikojeni ta gatuani minimumi një ditë përpara.
Këtë reçel mund ta ruani në një enë hermetike për 2 javë në frigorifer dhe për 2 muaj në akull. Sigurohuni ta shkrini në frigorifer para se ta përdorni nëse e keni në ngrirje.
Në këtë artikull po ju tregoj 2 metoda të të gatuarit të këtij reçeli. Unë personalisht preferoj metodën e parë, por ndjehuni të lirë të zgjidhni sipas shijeve personale (nëse e doni më të njëjtrajtshme, apo me copëza).

Processed with VSCO with a6 preset

Processed with VSCO with a6 preset

Processed with VSCO with a6 preset

SCJ shqip

Proçedura:

 

Versioni i parë: Bluani luleshtrydhet dhe shurupin e panjës derisa të jetë kthyer në një masë homogjene.
Gatuajeni në zjarr mesatar për 4-6 minuta duke e përzier vazhdimisht, deri sa masa të fillojë të vlojë dhe të ketë nisur të trashet.
Shtoni farën chia dhe vazhdoni gatuajeni duke e përzier vazhdimisht me spatul për rreth 4-5 minuta të tjera.
Vendoseni në një enë dhe lëreni të ftohet plotësisht.
Ruajeni në një kavanoz qelqi në frigorifer.

 

Versioni i dytë: Prini luleshtrydhet në katërsh dhe vendosini në një tenxhere/tigan.
Shtoni shurupin e panjës dhe gatuajeni në zjarr mesatar për 5-10 minuta nëse do përdorni luleshtrydhe të freskëta dhe 15 minuta nëse luleshtrydhet do jenë të ngira.
Gatuajeni masën deri sa të kalojë në vlim dhe luleshtrydhet të jenë zbutur e të kenë nisur të lëshojnë lëngun e tyre.
Nëse dëshironi mund t’i shtypni luleshtrydhet me një lugë për ta bërë reçelin të njëtrajtshëm.
Shtoni farën chia dhe vazhdoni gatuajeni duke e përzier vazhdimisht me spatul për rreth 4-5 minuta të tjera.
Vendoseni në një enë dhe lëreni të ftohet plotësisht.
Ruajeni në një kavanoz qelqi në frigorifer.

Processed with VSCO with a6 preset

Processed with VSCO with a6 preset

 

 Fotografitë nga unë 

Recetë e Thjeshtë dhe Freskuese me Luleshtrydhe

Gjatë ditëve të nxehta të verës si këto që po kalojmë duam gjithmonë diçka të freskët që të na shuajë sado pak vapën. Kjo është një nga ato receta që padyshim s’ju lë kurrë në baltë. Ajo që më pëlqen rreth kësaj recete është shumëllojshmëria në përdorim. Mund ta konsumoni siç është, të shoqëruar me kos të trashë (siç kam bërë unë në këtë artikull), ta shtroni si shije mbi cheesecake, ta derdhni mbi krostatë, ta përdorni në përgatitjen e një torte ku me lëngun mund të njomni kekun dhe luleshtrydhet ti shtoni si shije brenda ose bashkuar me kremin e përdorur, mund të përgatisni koktejle të ndryshme etj. Pra siç e shihni mundesitë janë të pafundme.

Në varësi dhe të lënies së saj në frigorifer do të keni variacion në shije. Sa më tepër të qëndrojë në frigorifer (maksimumi 2 ditë) aq më shumë lëng lëshon vetë fruti dhe aq më të karamelizuara bëhen luleshtrydhet.

Mund të përdorni sheqer të bardhë ose kaf (unë përdora kafin pasi vetëm të tillë kisha për momentin), gjithashtu mund të përdorni limon ose lime në rast se nuk ju gjendet limon në shtëpi.

2 L 3 L 4 L shqip

Proçedura :

 

Prini luleshtrydhet në dysh/katërsh ose më të vogla; në varësi të madhësisë së tyre dhe preferencës suaj

Përziejini ato në një tas bashkë me sheqerin dhe limonin e sapo shtrydhur

Lëreni tasin në frigorifer në varësi të preferencës; për disa minuta nëse do ta konsumoni në moment deri në 1-2 ditë për një shije më të fortë dhe të karamelizuar

procedura1-luleshtrydhe procedura2-luleshtrydhe

 

 Fotografitë nga Eranda Janku

Mini Tarta me Luleshtrydhe

Një nga gabimet e shumta që gjithkush nga ne mund të bëjë është të ngrënurit më shumë se ç’duhet. E kur vjen puna tek ëmbëlsirat të gjithë biem pre e tundimit. Këto minitarta jo vetëm që kanë një shije të mrekullueshme dhe të ofrojnë mundësi të panumërta kombinimi, por janë në përmasën e duhur për të të ëmbëlsuar dhe jo tepruar. Kësaj rradhe mini-tartat e mia vendosa ti servir me krem pastiçerie dhe luleshtrydhe; që unë kaq shumë i dua. Ndjehuni të lirë të përdorni fantazinë tuaj mbi këtë recetë.

Në rast se keni miq që do tju vijnë në ditët në vijim ose dëshironi të keni një masë në duar për ta konsumuar gjatë ditëve; mund ti piqni tartat, ti vendosni në një enë hermetike dhe ti lini në frigorifer për momentin e servirjes. Ky brum i pjekur dhe i ruajtur në enë hermetike në temperaturë kostante duron deri në 6-7 ditë.

2 5 4

Përbërësit :

Brum Frolla (klikoni KËTU për recetën)

Krem Pastiçerie (klikoni KËTU për recetën)

Luleshtrydhe

 

Proçedura :

 

Për këtë recetë do ju nevojitet një tepsi minikekësh

Lyeni tepsinë e minikekëve me spraj gatimi ose me gjalp e miell që brumi të mos ngjisë tek folezat

Ndiz furrën në temperaturë 180°C

Pasi të hapni petën e brumit frolla me një prerëse brumi në formë rrethore prini format

Sigurohuni që rrathët e brumit të jenë më të mëdhenj se diametri i rrathëve të tepsisë, pasi brumi do të vijë në anë të gropëzave

Piqini minitartat deri sa të marrin një ngjyrë kafe të artë

Lërini të ftohen plotesisht para se ti mbushni me kremin e pastiçerise dhe luleshtrydhet

 

 Fotografitë nga Eranda Janku

Kek me Luleshtrydhe

Unë i dashuroj luleshtrydhet sepse të japin mundësinë të bësh çdo gjë me to. Unë madje i përdor luleshtrydhet për të zbardhur dhëmbët, por kjo është një tjetër histori…

Mund ti konsumoni të gjalla ose të gatuara. Kombinuar me përbërës të ndryshëm ato bëjnë disa nga pjatat më të mrekullueshme.

Disa ide ku mund t’i përdorni : sallata; pasta të ftohta; rizoto; vakte mëngjesi dhe darkë; pije dhe koktejlje; ëmbelsira pa fund : biskota, minikekë, kekë, kremëra, tarta, ëmbelsira akulli etj.

Luleshtrydhet mbrojnë zemrën tuaj (sa më të kuqe të jenë aq më i lartë është faktori mbrojtës i tyre); mbajnë dhëmbët të shëndetshëm (ato luftojnë bakteret që kontribuojnë në prishjen e dhëmbëve dhe sëmundjet e mishrave të dhëmbëve); ju ofrojnë vitaminë C me shumicë (240 gram luleshtrydhe të prera në feta ju sigurojnë 163% të dozës suaj të përditshme të vitaminës C) etj. Luleshtrydhet kanë rezultuar gjithashtu të jenë mbrojtës nga disa lloje kanceri; përfshirë këtu kancerin oral, atë të gjirit dhe të qafës së mitrës.

Për këto dhe arsye të tjera, unë besoj se luleshtrydhet janë më të mirat !

Continue reading “Kek me Luleshtrydhe”

Smoothie – Pije e Shendetshme

Si person unë i dashuroj lëngjet Smoothies dhe kam provuar dhe do të vazhdoj të provoj sa më shumë receta të mundem; me fruta dhe perime të ndryshme. Mendoj që kjo është mënyra më e mirë për ti marrë një produkti të caktuar vitaminat, mineralet, antioksidantët dhe yndyrnat.

Mund ta konsumoni këtë pije si në mëngjes, ashtu dhe në drekë duke e shoqëruar me një pjatë të caktuar, ose mund ta përdorni gjatë vakteve si zamër. Një tjetër mënyrë konsumimi është dhe ajo para apo pas stërvitjes, pasi ju siguron shumë energji.

Nëse ju pelqen që pija juaj të ketë një konsistencë të hollë atëherë përdorini frutat të freskëta ose jo të ngrira (që janë dhe këto po njëlloj të freskëta), ose mund të shtoni më shumë qumësht bajamesh për ta bërë më të hollë. Por nëse jeni si unë, që dashuron pothuaj çdo gjë te mundshme në një konsistencë të trashë atëherë ngrijini të gjitha frutat para se të bluani çdo gjë.

Sot po ndaj me ju versionin e kësaj recete duke përdorur qumësht, por qëndroni në linjë për të parë një tjetër version të tij që e bën këtë recetë dhe më të trashë duke përdorur pak përbërës të ndryshëm.

Qumështin e bajames mund ta zëvendësoni pa problem me qumësht normal, por do t’ju sugjeroja që të fillonit të përdornit qumështin e bajames pasi është i mbushur me yndyrna të shëndetshme, fibra dhe vitaminë E, e cila mbron trupin tuaj nga presioni i lartë i gjakut dhe diabeti. Është gjithashtu një ushqim shumë i mirë për trurin.

Për këtë recetë unë po përdor dhe boronicë, luleshtrydhe, mjedër dhe banane. Boronica është e pasur me antioksidantë, mbron trupin nga sëmundjet e zemrës dhe e mban novelin e kolesterolit të ulur. Luleshtrydhja dhe mjedra ju sigurojnë shumë vitamina dhe minerale. Bananja ju jep shumë energji dhe ka rol pozitiv në humorin tuaj.

Kur vjen puna tek smoothies unë rrallë herë peshoj përbërësit që do të përdor. Gjithmonë i mas këto të fundit me sy. Bashkangjitur me emrat e përbërësve që duhet të përdorni ju kam renditur dhe sasinë që duhet të përdorni nëse jeni të fiksuar pas peshës së përbërësve në këto receta (gjë mëse normale nëse e bëni). Për të tjerët ndjehuni të lirë të përdorni sasinë e dëshiruar për çdo përbërës !

 

Përbërësit :

qumësht bajamesh (120 ml)

boronicë (85 gram)

mjedër (85 gram)

luleshtrydhe (128 gram)

banane (gjysma ose një e plotë)

 

Metoda :

Përzieni të gjithë përbërësit në një grirës/blender

Bluani deri sa masa të jetë e butë

Dekorojeni me çfarëdo lloj fruti pylli që po përdorni në recetë

Shijojeni

Smoothie - 01 Smoothie - 02

 

Fotografitë nga Eranda Janku

Minikekë me Portokall dhe Luleshtrydhe

Minikekët me portokall dhe luleshtrydhe janë kërkuar prej jush për një kohë të gjatë dhe më vjen keq që nuk kam patur mundësinë t’i postoj më parë.
Këto minikekë me fruta janë shumë të shijshëm dhe të butë. Ato nuk e dyfishojnë masën e tyre teksa piqen, por mos u shqetësoni. Një mëngjes dhe zamër ideale si për të rriturit ashtu dhe fëmijët. Gjithashtu kjo mund të jetë një mundësi e mirë nëse fëmijët tuaj nuk i pëlqejnë frutat !

Continue reading “Minikekë me Portokall dhe Luleshtrydhe”

Akullore me Cheesecake me Luleshtrydhe pa Makinë Akulloreje

Akullorja është mikja jonë më e mirë kur bëhet fjalë për ditë të tilla të nxehta. Por shumica prej nesh stepen kur vjen puna për ta përgatitur akulloren vetë në shtëpi. Arsyeja kryesore është mospasja e një makine akulloreje në shtëpi.

Me këtë recetë ju nuk do t’ju nevojitet asnjë pajisje luksoze përveç disa tasave dhe duarve !

Kjo ëmbëlsirë e ngrirë është e përkryer për çdo kohë dhe ju do t’i bëni të gjithë të bien në dashuri me të. Kombinimi më i mirë: cheesecake dhe akullore. Dua të them, ç’mund të kerkoni më shumë ?!

Continue reading “Akullore me Cheesecake me Luleshtrydhe pa Makinë Akulloreje”