Akullore Artizanale me Luleshtrydhe

14/08/2018

Akullorja me luleshtrydhe ka qënë tejet e kërkuar këtë verë. Në fakt një recetë sa e ngjashme me të tjerat, po aq dhe unike. Akulloret me fruta në fakt janë ndër të preferuarat e mia, sidomos kur përgatiten në shtëpi. E them këtë pasi shija e një akulloreje e cila është përgatitur me frut të freskët të bërë pure, nuk ka të krahasuar me akulloret industriale të cilat në shumicën e rasteve mbartin vetëm ekstrakte frutash.

Duke qënë se shumica prej jush ka pyetur pafund për përgatitjen e akullores në kushte shtëpie dhe si ta stimulojmë atë që të na bëhet kremoze dhe e trashë sa më shpejt, në këtë recetë kam vendosur të përdor një teknikë tjetër; që në fakt e përdor shpesh në shtëpi.

Purenë e frutit vendoseni në akull minimumi një natë përpara dhe kjo do të sjellë që masa juaj finale të jetë shumë e ftohtë. Dhe kur masa shumë e ftohtë futet në enën e sapo dalë nga akulli, i gjithë proçesi është shumë më i thjeshtë. Për detajet e tjera lexoni vazhdimin e artikullit!

  • Ekstrakti i vaniljes është një përbërës opsional, ju sugjeroj ta përdorni por pak sa për thyerje; jo që shija e vaniljes të jetë dominuese.
  • Çdo akullore e bërë në shtëpi ndryshon në varësi të makinës së akullores që ju keni dhe përdorni. Kështu dhe kohëzgjatja si e mbajtjes së enës në akull si e gatimit të akullores ndryshon. Unë e lë enën time për rreth 24 orë në akull dhe akulloren të gatuhet për rreth 40 minuta.
  • Mund t’ju them tani më nga eksperienca që tekstura e një akulloreje të gatuar pa makinë ndryshon shumë nga ajo e gatuar me makinë akulloreje. Por nëse nuk e keni një të tillë kjo s’duhet të jetë pengesë për të shijuar një mrekulli të tillë. *Sidoqoftë unë ju rekomandoj ta blini një makinë të vogël akulloreje në rast se e keni pasion gatimin dhe të hani akullore ashtu si unë. Dini çfare hani, mund të gatuani sa herë të dëshironi dhe kostoja është shumë më e ulët se akulloret e blera në supermarket. E thënë shkurt investimi juaj do të shpërblehet 100%.
  • Nëse nuk keni makinë akulloreje dhe doni të arrini një rezultat sa më afër atij me makinë mund ta vendosni masën e përgatitur në akull dhe çdo 30 minuta nxirreni tasin, përzieni masën me një rrahëse dore dhe vendoseni sërish në akull. Kjo mund t’ju marre diku tek 4-5 orë. *Në të kundërt thjesht lëreni masën në akull deri në mpiksje të plotë.

Strawberry Ice Cream 2 Strawberry Ice Cream 3 Strawberry Ice Cream 4

Proçedura:

 

Merrni 520 gram luleshtrydhe të cilave ua keni hequr bishtat para se ti peshoni.

Lajini mirë me ujë të bollshëm dhe vendosini në blender duke i bluar deri sa të keni një masë homogjene.

Kalojeni luleshtrydhen e bluar në një sitë, duke hequr kështu farat (hap opsional, por për një akullore kremoze dhe të butë jua sugjeroj ta ndiqni këtë hap).

Vendoseni purenë e luleshtrydheve në akull deri në ngrirje totale. Ju sugjeroj që këtë hap ta bëni një natë përpara.

Në një tas të madh, rrihni së bashku të verdhat e vezëve me sheqerin dhe vaniljen nëse po e përdorni për 3 deri në 4 minuta, deri sa masa të jetë dyfishuar dhe trashur, e të ketë marrë një ngjyrë të verdhë të hapur.

Versioni për fillestarët:

Shtoni qumështin dhe përzieni deri sa masa të jetë homogjenizuar.

Shtoni ajkën e ëmbël dhe përzieni ngadalë me spatul sa për të bërë inkorporimin e përbërësve.

Kini kujdes që të mos e përzieni shumë ose shpejt pasi do rrihni ajkën e ëmbël duke e kthyer në krem.

Vendoseni këtë masë në një tenxhere dhe gatuajeni në zjarr të butë për +/- 7 minuta duke e përzier me një spatul pa ndaluar.

Kremi do të jetë gati kur të jetë trashur dhe të lërë gjurmë në spatul apo lugën e drurit që po përdorni.

Si ta dalloni: Zhyteni lugën/spatulën në krem dhe nxirreni sipër. Kaloni gishtin përmes spatulës në mes. Nëse kremi qëndron i ndarë, kjo do të thotë që kremi është gati për hapin e rradhës.

*Nëse doni të jeni akoma më të sigurt për gatimin e kremit: Gatuajeni masën në banjomari. Kjo mënyrë do të shmangë maksimalisht mundesitë që e verdha e vezës të gatuhet.

Versioni Profesional:

Në një tenxhere shtoni qumështin dhe ajkën dhe kalojeni në zierje të lehtë.

Shtini një garuzhde nga qumështi në masën me të verdhat e vezëve të rrahura ndërkohë që e përzieni masën me një rrahëse dore pa ndërprerje.

*Është e rëndësishme që të mos ndaloni së përzieri në të kundërt veza do të gatuhet duke prishur bazën e akullores.

Kalojeni masën në tenxhere me pjesën tjetër të qumështit dhe gatuajini deri sa të arrini rezultatin final (lexo më sipër).

 

Kalojeni masën e përgatitur me një sitë të imët në një tas të pastër, për t’u siguruar nëse ka pasur ndonjë vezë të prerë (nëse ka kaluar në zierje gjatë gatimit)

Vendosni qese celofoni duke prekur sipërfaqen e masës në mënyrë që të mos krijohet cipë gjatë ftohjes.

Lëreni tasin mënjanë sa të vaket kremi e më pas kalojeni në frigorifer për 5 orë ose përgjatë natës.

Mbas 5 orëve ose të nesërmen nxirrni tasin e puresë së luleshtrydheve nga akulli.

Lëreni për 5 minuta në temperaturë dhome, dhe më pas priteni me thikë në copa.

Vendosini copat e puresë së luleshtrydhes në një blender dhe shtrydhni lëngun e një limoni të plotë duke u siguruar që të mos kalojnë farat në blender.

Derdhni masën e akullores dhe pulsoni gjithçka së bashku.

Ndizni makinën e akullores dhe vendoseni masën e krijuar brenda.

Lëreni akulloren të bëhet sipas instruksioneve të makinës suaj.

Më pas zhvendoseni akulloren në një enë dhe lëreni në ngrirje për të paktën 2-3 orë para se ta shërbeni.

Strawberry Ice Cream 6 Strawberry Ice Cream 7 Strawberry Ice Cream 8 Strawberry Ice Cream 9 Strawberry Ice Cream 10

 

Fotografitë nga Eranda Janku