Tortë me Biskota
August 4, 2018 2018-08-04 0:00Tortë me Biskota
Kjo tortë pa pjekje me biskota është shumë e dashur për mua, jo vetëm falë shijes fantastike, por sepse është një recetë që daja ma mësoi këtë verë kur erdhi nga Suedia.
Këtë ëmbëlsirë ai e gatuan në një nga restorantet me elegante të Stokholmit, dhe tani ajo vjen e servirur për ju, gati që ju ta përgatisni në shtëpitë tuaja. Ajo që më pëlqen më së shumti tek kjo recetë është se si ajo duket e servirur në pjatë dhe gjithashtu shija e lehtë dhe jo shumë e ëmbël.
Duke qënë një ëmbëlsirë pa pjekje, është ideale për ta pergatitur në këto ditë të nxehta vere. Dhe më e bukura, nëse keni fëmijë, përfshijini ata në proçesin e gatimit. Do ta shijoni shumë të dyja palët, e në fund ku ka më bukur se sa të shijosh diçka që e ke përgatitur vetë më shumë dashuri.
Natyrisht modifikova disa detaje sipas shijeve të mia personale.
- Në vend të Nutellës, përgatita krem çokollate që këtu në Kikiliciouss ne e përdorim shumë.
- Kafesë i shtova pak alkol, për ta thyer pak në shije, por gjithmonë kjo mbetet një shtesë preferenciale.
- Nëse do ta përgatisni për fëmijët tuaj, në vend të kafesë, mund të përdorni qumësht të thjeshtë ose qumësht me kakao.
- Është me shumë rëndësi që përzierja e kremit final të bëhet me një spatul silikoni ose lugë druri, por kurrësesi me rrahës elektrik. Ky i fundit do të bëjë që masa të zbutet më shumë se ç’duhet duke e bërë atë të ujshme.
- Nëse jeni pak veta, përgatisni gjysmën e masës, pasi me këtë recetë do të keni rreth një kilogram krem dhe përftoni 2 torta katrore mesatare.
Proçedura:
*Sugjeroj që kremin e çokollatës ta përgatisni një natë më parë:
Vendosni ajkën e ëmbël dhe gjalpin në një tenxhere në zjarr mesatar. Sapo masa të kalojë në vlim të lehtë, fikni zjarrin, shtoni copat e çokollatës dhe lëreni 2-3 minuta në qetësi. Me një spatul përzieni çokollatën e zbutur deri sa ajo të jetë homogjenizuar me pjesën tjetër. Transferojeni në një tas dhe lëreni në temperaturë dhome deri në ftohje të plotë (ose idealja përgjatë natës).
Përgatisni kafen tuaj nescafe e më pas shtoni vetëm një lugë çaji sheqer.
Kur kafeja të jetë ftohur plotësisht shtoni Vecchia Romanga ose një brand dhe shije tjetër që ju pëlqeni ta shoqëroni me kafe.
Të nesërmen ose kur masa të jetë ftohur plotësisht, me një rrahës elekrik rrihni për pak sekonda kremin e çokollatës dhe lëreni më pas mënjanë.
Vendosni biskotat në një enë të hapur (e mira do të ishte në një tepsi). Sigurohuni që të mos keni biskota të thyera, pasi ato nuk do t’ju hyjnë në punë ose do të jetë e vështirë për ti bashkuar në hapin tjetër.
Në një tas të madh vendosni 500 gram mascarpone dhe me një lugë druri ose spatul silikoni përziejeni pak atë.
Shtoni kremin e çokollatës dhe perzieni me kujdes në levizje nga poshtë-lart, duke u siguruar që të mos e bëni këtë shumë shpejt.
Në momentin që kremi është gati, merrni një luge të vogël kafe ose çaji dhe lyeni sipërfaqen e një biskote me të mbrapmen e lugës që e keni zhytur më parë në krem.
Kujdes që të mos e lyeni më shumë se ç’duhet. Një shtresë e hollë do të mjaftojë.
Vendosni një biskotë tjetër sipër duke krijuar kështu sanduiçe biskotash me krem çokollate brenda.
Pasi të keni përfunduar me sanduiçet, filloni të shtroni tortën tek pjata servirëse.
Merrni sanduiçin e parë, zhyteni të tërin me shpejtësi në kafe.
Sërish me të mbrapmen e lugës zhytur në krem lyeni sipërfaqen e njërës faqe të sanduiçit dhe bashkojeni me një tjetër sanduiç që e keni zhytur dhe atë në kafe.
Vendosini në këmb biskotat tek pjata servirëse dhe kështu vazhdoni deri sa ju të mendoni se është mjaftueshëm për të përftuar një tortë. Do t’ju sugjeroja që të mos e bëni tortën tuaj shumë të gjatë.
Në momentin që keni mbaruar dhe me pjesën që çdo sanduiç laget në kafe e më pas lidhet me sanduiçin tjetër me krem, mbuloni të gjithë tortën me kremin e cokollatës.
Sigurohuni që të mos duket asnjë copëz biskote, kjo për të dhënë dhe efektin ‘surprizë’.
Pasi të keni mbaruar dhe me mbulimin e kremit, thërrmoni disa biskota me dorë dhe më pas hidhini ato sipër dhe anash tortës në mënyrë spontane.
Lëreni tortën tuaj në frigorifer për një orë deri sa kremi i çokollatës të mpikset dhe shijet të jenë lidhur me njëra tjetrën.
Në momentin e servirjes prini tortën tuaj diagonal me një thikë të madhe dhe të mprehtë (jo sharrë). *Kjo thikë siguron që feta e tortës të mos copëtohet apo këputet në dysh.
Shënim:
Nëse e lexoni këtë artikull në dimër duhet të keni parasysh që kremi juaj i çokollatës do të mpikset shumë më shpejt, e madje dhe do mund të ngurtësohet thjesht duke qëndruar në temperaturë dhome. Në këtë rast përgatiteni kremin tuaj të çokollatës pak përpara përgatitjes së të gjithë tortës dhe në momentin që masa është kthyer në kremoze, por nuk është ngurtësuar plotësisht rriheni me rrahësin elektrik dhe vazhdoni me etapat e tjera të gatimit të kësaj recete.
Fotografitë nga Eranda Janku