Smoothie – Pije e Shendetshme

19/03/2016

Si person unë i dashuroj lëngjet Smoothies dhe kam provuar dhe do të vazhdoj të provoj sa më shumë receta të mundem; me fruta dhe perime të ndryshme. Mendoj që kjo është mënyra më e mirë për ti marrë një produkti të caktuar vitaminat, mineralet, antioksidantët dhe yndyrnat.

Mund ta konsumoni këtë pije si në mëngjes, ashtu dhe në drekë duke e shoqëruar me një pjatë të caktuar, ose mund ta përdorni gjatë vakteve si zamër. Një tjetër mënyrë konsumimi është dhe ajo para apo pas stërvitjes, pasi ju siguron shumë energji.

Nëse ju pelqen që pija juaj të ketë një konsistencë të hollë atëherë përdorini frutat të freskëta ose jo të ngrira (që janë dhe këto po njëlloj të freskëta), ose mund të shtoni më shumë qumësht bajamesh për ta bërë më të hollë. Por nëse jeni si unë, që dashuron pothuaj çdo gjë te mundshme në një konsistencë të trashë atëherë ngrijini të gjitha frutat para se të bluani çdo gjë.

Sot po ndaj me ju versionin e kësaj recete duke përdorur qumësht, por qëndroni në linjë për të parë një tjetër version të tij që e bën këtë recetë dhe më të trashë duke përdorur pak përbërës të ndryshëm.

Qumështin e bajames mund ta zëvendësoni pa problem me qumësht normal, por do t’ju sugjeroja që të fillonit të përdornit qumështin e bajames pasi është i mbushur me yndyrna të shëndetshme, fibra dhe vitaminë E, e cila mbron trupin tuaj nga presioni i lartë i gjakut dhe diabeti. Është gjithashtu një ushqim shumë i mirë për trurin.

Për këtë recetë unë po përdor dhe boronicë, luleshtrydhe, mjedër dhe banane. Boronica është e pasur me antioksidantë, mbron trupin nga sëmundjet e zemrës dhe e mban novelin e kolesterolit të ulur. Luleshtrydhja dhe mjedra ju sigurojnë shumë vitamina dhe minerale. Bananja ju jep shumë energji dhe ka rol pozitiv në humorin tuaj.

Kur vjen puna tek smoothies unë rrallë herë peshoj përbërësit që do të përdor. Gjithmonë i mas këto të fundit me sy. Bashkangjitur me emrat e përbërësve që duhet të përdorni ju kam renditur dhe sasinë që duhet të përdorni nëse jeni të fiksuar pas peshës së përbërësve në këto receta (gjë mëse normale nëse e bëni). Për të tjerët ndjehuni të lirë të përdorni sasinë e dëshiruar për çdo përbërës !

 

Përbërësit :

qumësht bajamesh (120 ml)

boronicë (85 gram)

mjedër (85 gram)

luleshtrydhe (128 gram)

banane (gjysma ose një e plotë)

 

Metoda :

Përzieni të gjithë përbërësit në një grirës/blender

Bluani deri sa masa të jetë e butë

Dekorojeni me çfarëdo lloj fruti pylli që po përdorni në recetë

Shijojeni

Smoothie - 01 Smoothie - 02

 

Fotografitë nga Eranda Janku