Të gatuarit e akullores në shtëpi nuk është më një mision i pamundur.Me këtë recetë nuk do t’ju nevojitet një makinë akulloreje, madje as soba. Vetëm një rrahëse elektrike dhe një tas; dhe nëse nuk ju gjendet afër as rrahësja elektrike mos u shqetësoni. Një rrahëse e thjeshtë dore dhe pak forcë krahu do të punojnë në mënyrë të përkryer.
Është e habitshme se si mund të keni një akullore të butë dhe kremoze vetëm me dy përbërës të thjeshtë. Pjesa më e bukur është se mund ta lini ashtu të thjeshtë, ose ta kombinoni me çfarë t’ju dëshirojë zemra.
Një recetë e thjeshtë, argëtuese dhe e shijshme. Çfarë mund të kërkoni më shumë ?!
Disa ide të tjera interesante : përdorni biskota ose kekë. Copëtojini ato në copëza të vogla dhe bashkojini me bazën e akullores
Çfarë kam provuar personalisht dhe jua sugjeroj : biskota me tërshërë, cheesecake me luleshtrydhe (e preferuara ime), brownie, minikekë me çokollatë, biskota “truffle” me çokollatë (më pëlqen me të vërtetë shumë ky kombinim)
Nuk ju sugjeroj : pure të bërë nga fruta të freskëta të tipit pjeshkë, nektarina, portokaj, mango etj. Frutat e pyllit mund të punojnë mirë, por duke përdorur copa jo pure.
Proçedura :
Vendosni qumështin e kondesuar në frigorifer për ta mbajtur të ftohtë
Rrihni ajkën e ëmbël të ftohtë deri sa të krijojë maja të forta
Uleni shpejtësinë e rrahësit dhe shtoni qumështin e kondesuar tek kremi
Pastaj, rriteni sërish shpejtësinë dhe rriheni masën derisa të krijojë maja të forta
Kështu ju keni gati bazën e akullores suaj. Mund të shtoni çdo lloj shije që ju dëshironi. BËHUNI KREATIVË !
Vendosini akulloret nëpër tasa të mbyllur dhe më pas në ngrirje për të paktën 6 orë ose gjatë natës
Fotografitë nga unë












