“Buka ne Strajcë” – Të ushqyerit e Shëndetshëm

09/07/2016

Rrno për me gatue është një lojë fjalësh që shef Bledar Kola krijoi bazuar në librin e At Zef Pëllumbi-t “Rrno për me tregue” në djalektin geg. Sot nëpërmjet të gatuarit mund të tregohet shumë; mund të tregohet historia, natyra, e shkuara dhe e ardhmja. Kështu ndodhi që falë nismës së shef Bledar Kola të restorant “Mullixhiu-t” unë së bashku me shumë shefa dhe blogger të njohur te guzhinës u bashkuam për të sjellë në mënyrë të thjeshtë dhe krijuese, pjata dhe gatime të shëndetshme për fëmijët dhe familjet shqiptare. Bazuar në shifrat preokupuese që organizata botërore e shëndetsisë ka dhënë së fundmi mbi përmasat e rritjes së obezitetit në fëmijët shqiptarë. Të gjithë ne menduam që gjatë muajve të verës për 4 të hëna rradhazi të dalim në ambjentet e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, pikërisht në amfiteatrin e tij duke organizuar një event të titulluar “Buka në Strajcë”. Buka në strajcë risjell zakonin e vjetër por shumë të dobishëm të marrjes së bukës me vete dhe përgatitjes së saj në kushtet e shtëpisë. Shumëkush e quan bezdi paketimin e ushqimit të shtëpisë dhe marrë me vete duke i dhënë nofkën e ashtuquajtur démodé. Por në të vërtetë ne u munduam të rievokonim këtë zakon kaq të thjeshtë por të rëndësishëm për shëndetin tonë e sidomos atë të fëmijëve. Me hapa shumë të thjeshtë ne sollëm gatime që mund të realizohen me pak përbërës dhe me teknika të veçanta por të thjeshta. I pari që u prezantua ishte shef Sokol Prenga (shef i pastiçerisë Delikatesë). Ai solli krepa të mbushur me një omëletë vezësh me perime. Më pas vijoi shef Bledar Koçibelli me disa biskota shumë të shijshme dhe të shpejta të gatuara me përbërës jo të zakonshëm siç është mielli i thekrës (por me shumë vlera ushqimore), kanella dhe mjalti. E treta në rradhë vijoi Orana Sinani e cila solli një recetë të vjetër të familjes “peta e misrit” me lakra të egra duke i shtuar fara luledielli të pjekura. I katërti vijoi Oltion Veshi i restorant “Koteci” i cili solli një drith shumë të lashtë që quhet speltë (një lloj gruri i cili nuk përmban gluten) në formën e një sallate të ftohtë me mish pule. Më pas vijova unë me recetën e akulloreve me pjeshkë (recetën e lexoni këtu). I fundit nga shefat ishte Bledar Kola dhe shef Ariani nga restorant “Mullixhiu” të cilët sollën bukën e thekrës dhe një kek me boronica. Ushqimet e përgatitura dhe ato të gatuara në moment u shijuan nga të pranishmit. E gjithë nisma u moderua nga Dhurata Thanasi – Luga e Argjendtë (lexoni më tepër rreth saj këtu) dhe u mbështet nga “Mrizi i Zanave”, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.

Siç e përmenda dhe më sipër kjo ishte e hëna e parë e tre të hënave që do të pasojnë këtë aktivitet. Ejani të hënave të ardhshme tek ambjentet e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës në orën 19:30 të gatuajmë të gjithë së bashku.

1 Rrno Per Me Gatue 2 Rrno Per Me Gatue 3 Rrno Per Me Gatue 4 Rrno Per Me Gatue 5 Rrno Per Me Gatue 6 Rrno Per Me Gatue 7 Rrno Per Me Gatue 8 Rrno Per Me Gatue 10 Rrno Per Me Gatue 9 Rrno Per Me Gatue 11 Rrno Per Me Gatue 12 Rrno Per Me Gatue 13 Rrno Per Me Gatue

 

Fotografitë nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit