Dita Botërore e “Food Revolution” në Shqipëri 2016
May 26, 2016 2021-11-20 1:21Dita Botërore e “Food Revolution” në Shqipëri 2016

Dita Botërore e “Food Revolution” në Shqipëri 2016
Para se të nis me artikullin e sotëm i cili është tejet i dashur për mua doja t’ju flisja shkurtimisht mbi lëvizjen “Food Revolution” (Revolucioni Ushqimor).
Food Revolution ka lindur nga një iniciativë e një shefi anglez Jamie Oliver nga qyteti i Suces në Angli i cili kur shërbente në pub-in e të atit vinte re që anglezët kërkonin gjithmonë e më shumë junk food (patatet e skuqura më së shumti). Ai mendoi që kjo nuk ishte mënyra e duhur e të ngrënit dhe vendosi që të krijonte receta të bazuara në traditën angleze të cilat ndërthureshin me perimet, frutat dhe mishin/peshkun. Pas pub-it të të atit mendoi që kjo gjë duhej çuar dhe në shkollat e fëmijëve, pasi sipas tij memoria dhe kujtesa e njerëzve mbi ushqimin fillon që në vogëli.
Në një vizitë të thjeshtë që ai bëri në shkollat angleze vuri re që fëmijët hanin shumë keq dhe mbi të gjitha kishin shumë pak dijeni mbi ushqimin dhe gatimin në përgjithësi. Ata nuk njihnin frutat, perimet dhe çdo gjë që toka prodhonte. Nuk njihnin kafshët dhe shumë pemë të natyrës.
Ai filloi të punonte me mencat e shkollave duke punuar me menutë e tyre dhe sidomos ushqimin që fëmijët hanin në pushimin e tyre të madh.
Më tej ai e çoi këtë nismë në Amerikë ku dhe u bë shumë i famshëm (sidomos në California).
Në vitin 2012 duke parë që ato çka thoshte dhe bënte Jamie në shkolla kishin zënë vend në komunitet mendoi që këtë lëvizje në bashkëpunim me televizionin BBC ta shtrinte në një platformë më të madhe duke krijuar lëvizjen mbarëbotërore “Food Revolution”.
Lëvizja Food Revolution në Shqipëri ka nisur në Maj të vitit 2013 nga Dhurata Thanasi. Me kalimin e viteve rrethi është zgjeruar dhe tani jemi një grup relativisht i madh i cili merret me organizimet e ndryshme në Shqipëri.
Unë kam rreth dy vite që punoj vullnetarisht për këtë lëvizje. Dhe kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin se këtë vit kam marrë titullin nga Anglia si Ambasadore e Ushqimit (Food Ambasador) në Shqipëri.
Këtë vit për ditën botërore të Food Revolution ndryshe nga vitet e tjera vendosëm që aktivitetet tona ti shtrijmë në dy shkolla publike. Përkatësisht : shkollën publike 9-vjeçare “Niket Dardani” dhe gjimnazin publik “Sami Frashëri”. Gjithashtu kësaj rradhe organizatore të eventeve ishim unë dhe Orana (klikoni KËTU për të lexuar mbi eventin e Sami Frashërit organizuar nga Orana).
Ishte një sfidë emocionuese duke qenë se kisha një përgjegjësi kaq të madhe dhe më duhet të punoja me fëmijët e shkollës 9-vjeçare ku mosha e tyre është idealja për të marrë bazat e ushqyerjes.
Vendosja e temës për fëmijët erdhi si një nostalgji imja e kthyer në mësim.
Mbaj mend qysh e vogël se si mamaja na përgatiste gatesa të ndryshme të cilat unë dhe motrat e mia i merrnin me vete në shkollë për “pushimin e gjatë”. Nuk e konceptoja dot atë pushim 20 minutsh pa vaktin e dashur të mamasë sime. Shpesh herë merrja më shumë që ta ndaja me shokët e shoqet. Teksa u rrita fillova që këtë vakt ta përgatisja vetë dhe pothuaj asnjëherë nuk kam vajtur në shkollë apo kudo tjetër me çantën bosh. Përveçse kujtim shumë i këndshëm dhe shijshëm më duhet ta pranoj që ska qenë dhe aq e lehtë. Shpesh fëmijë të ndryshëm e madje dhe mësues/e më shihnin çuditshëm e deri diku me përbuzje teksa vërenin që un haja ushqime të përgatitura më parë në shtëpi të sjella në shkollë mbështjellë me letër alumini apo futur në tasa të ndryshëm. Mësimi i mamasë që gjithmonë duhet të jesh i thjeshtë dhe të ushqehesh mirë më bëri mua të kuptoj rëndësinë e mirë-ushqyerjes dhe heqjen e këtij kompleksi si çdo fëmijë tjetër…
Kështu vendosa që fëmijëve ti jap detyrën e të krijuarit një pakete ushqimore të shëndetshme që ata vetë do të dëshironin ta konsumonin në shkollë. Duke qenë se aktiviteti do të zhvillohej në bazë të klasave, një klasë do të kishte paketën e saj përfaqësuese. Kriteret ishin përdorimi i frutave dhe perimeve sezonale dhe që këto receta të përgatiteshin nga vetë ata; duke bërë në këtë mënyrë njohjen dhe lidhjen e fëmijëve me ushqimin. Vetë shkolla ishte mjaft aktive në organizimin e eventeve të ndryshme kushtuar ushqimit. Duke biseduar me drejtoreshën e shkollës mësova që ata benin çdo vit një panair ushqimor ku secili fëmijë bashkë me prindërit sillte ushqime të ndryshme karakteristike të zonës ose familjes dhe këto të fundit u shiteshin publikut i cili ishte i hapur. Buxheti i mbledhur i shkonte dhe menaxhohej nga qeveria e nxënësve. Për fëmijët kjo mënyrë ishte e preferuara e tyre, kështu që unë vendosa ta kthej këtë event në një panair i cili mund të vizitohej jo vetëm nga prindërit dhe stafi, por nga kushdo. Fëmijët do të përgatisnin në shtëpitë e tyre paketat ushqimore të cilat do ti shisnin ashtu sikurse kishin bërë vjet me një çmim modest. Ishte e habitshme dhe shumë lumturuese të shikoje fëmijët gjatë trajnimeve të bëra se si vinin me faqe të mbushura plot e përplot me ide dhe mënyrën se si do ti realizonin ato.
Data 19 Maj erdhi sa hap e mbyll sytë dhe fëmijët kishin ardhur të gjithë me duart plot. Ata sistemuan ambjentin dhe prisnin miqtë dhe të ftuarit të vinin në tavolinat e tyre. Festës iu bashkangjitën dhe shefat e 3 edicioneve të ndryshme të MasterChef Albania : Renato Mekolli, Alfio Rrotani, Indrit Cela, Uan Vogli, Fabjola Sulmina, Irdi Keci dhe Leonardo Gega. Ata provuan ushqimet dhe pijet e përgatitura në moment nga fëmijët. Shumë emocionuese teksa shikoje fëmijët e habitur dhe shumë të ekzaltuar për ardhjen e master shefave. Të gjithë nisën të shpjegonin recetat e tyre dhe të bënin foto me ta. Ushqimi është kënaqësi e jetës dhe të bashkon pa dallim feje, origjine apo rrace. Ky aktivitet e tregoi këtë më së miri. Falenderoj : CONAD ALBANIA dhe LUFRA për mbështetjen e tyre dhe sponsorizimin e eventit me produktet e nevojitura; Z. Albi Greva Drejtor i Fondacionit Vodafone Albania i cili na përkrahu në fazat më kritike të projektit, MasterShefat për prezencën e tyre; Revistën Shije dhe gazetarët e tyre të cilët ndoqën në terren projektin; Drejtoreshën e Shkollës dhe gjithë stafin pedagogjik që na qendroi pranë. Por falenderimi më i përzemërt u shkon vajzave të Food Revolution Albania për gjithë kohën dhe dashurinë; Dhuratës që më njohu me këtë lëvizje, për mësimet dhe mundësinë e dhënë; Oranës që është krahu i djathtë imi në çdo projekt; Ejonës dhe Jonës dy vajzave të shkëlqyera që pata fatin të njoh gjatë këtij Food Revolution dhe që qenë pjesë e pandashme organizative e eventit dhe natyrisht pjesës tjetër të stafit të FRA që gjithmonë janë të gatshëm me kontributin dhe prezencën e tyre : Eldisa Lloshi Zebo, Sokol Prenga, Mondi Kikino.