Torta e Dasmës Mbretërore

19/05/2018

Royal Wedding Cake 2

Sot anë e mbanë botës u fol për dasmën mbretërore! Kush ishin të ftuarit, çfarë ato veshen, si ishte organizuar ceremonia, si do të ishin fustanet e Meghan etj, etj… Në gjithë këtë debat të zjarrtë ndoshta shumë pak veta morën kohën të flasin për tortën madhështore të dasmës, një detaj të ëmbël dhe tejet të rëndësishëm të këtij eventi.

Më duhet ta pranoj që teksa shihja postimet e ndërfaqeve online të Kensington Palace rreth tortës së dasmës, të cilën e realizoi Violet, 1001 ide më vinin se si torta do të dukej e përfunduar. Nëse do të ishte vetëm 1 strukturë shumëkatëshe, apo do të ishte e copëzuar (siç qëlloi të ishte), nëse dekori do të ishte i qetë, apo i zhurmshëm etj.

Çfarë duhet të dimë si fillim është se në dasmën e William dhe Kate, kishim një tortë 8 katëshe, mbuluar me pastë sheqeri dhe dekoruar në imtësi në mënyrë klasike. Kjo dasëm e dytë do duhet të ishte krejtësisht ndryshe, nuk kishte si të ndodhte ndryshe!

U zbulua që një ditë më parë që torta do të përbëhej nga pandispanjë limoni, lagur me shurupin e lëngut të shtogut. Mbushja ishte me krem limoni, (limonat të sjellë posaçërisht nga Amalfi), dhe krem gjalpi po me lule shtogu për dekorin e saj. Pra torta ishte dizenjuar e tillë që të përfaqësonte “shijet e lehta të pranverës”.
Fakte interesante rreth përbërjes:
Torta përmbante: 200 limona Amalfi, 500 vezë organike, 20 kg gjalp, 20 kg miell, 20 kg sheqer dhe 10 shishe me shurupin e lëngut të shtogut nga pemët e Mbretëreshës në Sandringham. Kjo tortë ëmbëlsoi 600 të ftuar në pritjen e dasmës.
Në dekorin e saj ajo mbante 150 lule natyrale, të gjitha në tonet e pastelit.

Përshtypje personale:
Sapo u zbulua përbërja e tortës e dija me siguri që dekori do të ishte me lule pastel, pa fruta apo ngjyra. Arsyeja pse? Së pari, sepse shija e limonit shkon më së miri me dekorin e luleve. Së dyti, duke qënë se bëhej fjalë për një dasëm mbretërore, isha mëse e sigurt që ngjyrat do të ishin të qeta dhe paraqitja elegante, pra nuk do të kishim tonalitete të forta.

Një pikë tjetër interesante është se Violet karakterizohet nga përgatitja dhe dekorimi i tortave me krem gjalpi (me teknikën e spatulës) dhe lule të freskëta. Dhe fakti që çifti zgjodhi atë për një detyrë kaq të rëndësishme na lë të kuptojmë shumë!

Besojeni ose jo, veshja e Meghan Markle më bëri të besoj që torta do të ishte shumë e thjeshtë dhe elegante gjithashtu.
Kur flitet për detajet e një eventi kaq të rëndësishëm, sigurisht që çdo gjë duhet të jetë në sinkron.
Meghan kishte veshur një fustan nusërie nga Givenchy (dizajnerja e fustanit Clare Waight Keller u shpreh: “Ne donim të krijonim një veshje të përjetshme që do të theksonte stilin ikonik të Givenchy-t gjatë gjithë historisë së tij”). Dhe në fakt fustani e tregonte atë pa dyshim magjepsëse. Makiazhin Meghan vendosi ta aplikonte vetë, dhe flokët kapur thjeshtë, për të vënë në dukje kurorën e bukur që mbante vellon e madhe. Të gjitha këto detaje të bëjnë menjëherë të kuptosh që thjeshtësia dhe pastërtia ishin mbizotëruese, ndaj dhe torta nuk kishte si të ishte ndryshe!

Për të gjitha këto arsye për mua torta e dasmës mbretërore meriton vlerësimin maksimal për thjeshtësinë, fisnikërinë dhe hijeshinë. Një vepër arti e heshtur që flet vetë me prezencën e saj. Sa për shijen, mbetem ende kurioze!

Royal Wedding Cake 3 Royal Wedding Cake 4 Royal Wedding Cake 5 Royal Wedding Cake 6

 

Fotografitë marrë në Google