Mëngjes i Shpejtë dhe Tërheqës

21/05/2018

Të të prezantuarit një pjatë bukur, në fakt nuk kërkon shumë përveçse fantazi dhe pak kurajo. Kam dashur prej kohësh të shkruaj një artikull mbi këtë teme, por vetëm tani më doli koha ta finalizoj.

Ka pak kohë që “smoothie bowls” (tasat me smoothie) janë bërë virale. Kjo për një arsye të thjeshtë: duken mrekullisht të shijshme dhe na japin mundësinë të bëjmë foto fantastike! Nëse bazohemi vetëm tek prezantimi, na bëjnë të mendojmë se kanë kërkuar shumë kohë e përbërës të shtrenjtë. Dhe në fakt, kjo është thjesht dhe vetëm falë harmonisë që elementë të ndryshëm krijojnë midis tyre, si në bazë të variacionit të përbërësve, ashtu dhe në bazë të shumëllojmshmërisë dhe sintonisë së ngjyrave.

 

Në rastin konkret kam përgatitur një mëngjes shumë të shpejtë dhe të shijshëm. Baza është kos i thjeshtë dhe cornflakes gruri, dhe më tej kam rradhitur njëri pas tjetrit rreshta me fruta (banane, luleshtrydhe, kajsi), fara chia dhe fara të ndryshme luledielli dhe kungulli.

Që të mund të krijoni rreshta të rregull me secilin nga përbërësit, sidomos ato me fruta, do të duhet që frutat ti prisni në feta mesatarisht të trasha (për të siguruar jo vetëm një masë të konsiderueshme ushqyese për t’u konsumuar, por edhe lehtësi në radhitje kur t’i vendosim mbi bazën). Pasi të keni prerë të gjitha frutat që keni përzgjedhur, krijoni rreshta njëri pas tjetrit mbi bazën e përgatitur më parë, dhe po në të njëjtën formë shtoni edhe farat e ndryshme.

Në vend të kosit të thjeshtë mund të përgatisni edhe smoothie me fruta të freskëta ose të ngrira (për ta bërë masën më të trashë), e më tej sipas dëshirës shtoni elementët e tjerë mbi bazën.

 

Duke shpenzuar shumë pak kohë dhe duke kombinuar një seri përbërësish me vlera ushqyese mund të stiloni mëngjesin tuja perfekt, i cili jo vetëm do t’ju kënaqë me shumëllojshmërinë e shijeve, por dhe do të jetë siç thuhet “picture-perfect”!

Smoothie Bowl 2

 

Fotografitë nga Eranda Janku