Uncategorized @sq Ushqim & Udhëtim

Shija e Budapestit

Budapest 1

Shija e Budapestit

Artikull nga Julia

 

Ajo që me nxiti të udhëtoj drejt Budapestit ishte leximi rreth faktit se “Budapesti ofron diçka për çdokënd” – dhe ishte e vërtetë! Vetëm një fluturim 1,5 orë larg Tiranës, për mua Budapesti ishte një aventurë që ende priste të jetohej.

Dikur i quajtur “Mbretëresha e Danubit”, ky qytet ka qenë prej një kohe të gjatë pika fokale e Hungarisë dhe një qendër e gjallë kulturore. Lumi i Danubit rrjedh mes qytetit, duke e ndarë perëndimin kodrinor (Buda) nga pllaja e sheshtë e lindjes (Pest). Dy anët e qytetit qëndrojnë të bashkuara nga një seri urash që ofrojnë pamje të mrekullueshme, sidosmos gjatë perëndimit të diellit.

Budapest i ka fillimet e tij që para periudhës Romake, edhe pse qyteti modern është kryesisht një zhvillim i perandorisë Austro-Hungareze të shek, 19. Kjo vërehet qartë teksa ecën nëpër rrugë dhe ke mundësinë të admirosh arkitekturën pompoze. Mendoj se mënyra më e mirë për të mesuar mbi një vend të ri është thjesht të përhumbesh në rrugët e tij. Budapesti ka një mori ndërtesash të mrekullueshme, me fasada të skalitura, të cilat si një dizajnere që jam, i adhuroj. Më pëlqen ndjesia që marr nga qytetet e mëdha Evropiane, duket sikur je në një expozitë të hapur arti – e ndonjëherë mund të fantazoj sikur jam kthyer prapa në kohë.

Kohën time në Budapest e kalova më së shumti duke u endur në lagjen e Hebrenjve dhe më pëlqyen kaq shumë muralet e pikturuara nëpër fasada, të cilat i falnin kaq shumë ngjyra e argëtim ndërtesave të vjetra dhe rrugicave të ngushta.

Lista “Çfarë të shohësh në Budapest” është goxha e gjatë dhe ofron një varietet mundësish për këdo, duke filluar që nga Parlamenti me stilin gotik e deri tek banjat termale (një ide e shkëlqyer për një ditë dimri), por ne te Kikiliciouss duam të shohim (e shijojmë) edhe udhqimet e veçanta që një qytet ofron, dhe Budapesti ishte shumë joshës si për syrin, edhe stomakun!

Kjo ishte hera e parë per mua në këtë qytet, por jo për miqtë e mi, dhe për fatin tim dikush kishte zbuluar tashmë një restorant të vogël por me ushqime shumë të shijshme tradicionale. Më pëlqeu shumë dreka tek Drum Café Budapest, një vend i vogël e me një ambient të veçantë. Ata kishin një menu të pasur me shumë pjata tradicionale, por ne vendosëm të provonim disa nga më karakteristiket; supa me hudhër dhe djath, gulashin me mish viçi e petë dhe petët Hungareze me pulë e djath. Supa ishte mjaftueshëm ngopëse, e pikërisht çfarë nevojitet pas një ecjeje në motin e ftohtë dhe gatimet e tjera ishin kaq të shijshme, me një shpërthim te shijes së paprikës (erëza kryesore hungareze), sidomos gulashi. Vera e bardhë e shtëpisë ishte e shkëlqyer e ata ofronin edhe një birrë me shije qershie (paksa e ëmbël për shijet e mia).

*Shënim: gjithnjë udhëtoni me persona që e pëlqejnë ushqimin po aq sa ju, dhe u pëlqen ta ndajnë ushqimin e tyre. Vetëm kështu do të mund të provoni sa më shumë gratime të jetë e mundur!

Marketi i Krishtindjes ishte një nga vendet më tërheqëse për mua dhe mbeta kaq e lumtur. Mund të gjeni atje një mori kioskash me objekte dhe art të punuar me dorë, dhe ushqime pa fund, të kripura e të ëmbla, pije, etj. Që nga udhëtimi i saj i fundit, Kristi më kishte rekomanduar kekun Oxhak, i cili u bë i preferuari im. Ishte kaq bukur ta shihje teksa pastiçieret e përgatisin që nga fillimi përpara njerëzve që presin ta shijojnë. Pasi mbështillet, ëmbëlsira e nxehtë fillon të avullojë nga ana e hapur e paketimit, dhe duket pikërisht si një oxhak – prandaj ka marrë edhe këtë emër.

Kaq shumë ushqim pret për t’u shijuar në kioska, vendosur në tepsi gjigante – një shumëllojshmëri ngjyrash mahnitëse! Për të mos u humbur janë edhe palaçinka e patateve (unë zgjodha ta shijoj timen me role lakre) dhe langoshi, petulla e famshme. Langoshin e provova si një ushqim mëngjesi dhe ishte mjaft ngopës. Përzierja e hudhrës, salcës së kosit dhe djathit ishte çuditërisht zgjedhja më e mirë për një mëngjes të ftohtë; siguron mjaftueshëm energji dhe të bën gati për të përballur aventura të reja në qytet.

Vera e ngrohtë dhe ponçet e frutave ishin një pjesë tjetër e mrekulleshme e marketit – madje një pjesë mëse e nevojshme për të përballuar temperaturat e ulëta, duke ofruar ngrohtësi dhe shumë argetim! Për t’u adhuruar ishte fakti se ky market kishte një qasje shumë mbështetëse ndaj ambientit, me një sistem të tërë të përdorimit të gotave të porcelanit në vend të gotave plastike (paguan një kapar për gotën tënde, bën xhiro nëpër market, e rimbush gotën tënde në cilëndo kioskë që dëshiron dhe në fund e rikthen atë në këmbim të kaparit ose e mban si një souvenir nga qyteti!). Në përdorim ishin edhe pjata dhe gota të riciklueshme. E adhurova këtë koncept!

Midis aktiviteteve të tjera për të bërë në Budapest është edhe vizita e Bareve Ruin dhe shijimi i pijeve të shijshme. Nëse jeni adhurues të birrës, drejtohuni nga Hopaholic, një pub i vogël e i lezetshëm që ofron një shumëllojshmëri markash birre. Për ta shtuar argëtimin, ata kanë një aplikacion, Rate Beer, ku ju mund të ndani eksperiencën tuaj mbi birrën që keni zgjedhur! Më pëlqeu edhe Fogas, një bar që i ngjante më shumë një labirinti – i shtrirë në disa kate të një ndërtese dhe ku secila dhomë kishte një dizajn, ndjesi dhe muzikë të ndryshme.

Unë mora një shije kaq të mirë nga Budapesti dhe mezi pres të rikthehem e ta eksploroj edhe më shumë. Nëse ky qytet ju intrigoi tashmë, qëndroni në pritje të artikullit të Kristit mbi përvojën dhe zbulimet e saj në Budapest!

 

Fotografitë nga Julia Janku

About us

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit. Suspe ndisse suscipit sagittis leo sit met condimentum estibulum issim Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit.