Ushqim & Udhëtim

Dimri në Vienë

Winter in Vienna 1

Dimri në Vienë

Artikull nga Julia

 

Gjithnjë kam dashur ta vizitoj Vienën për dy arsye kryesore: pikturat e Klimtit dhe ëmbëlsirat! Si një ish studente arti dhe entuziaste e të ëmblës, kjo është ëndërra.

Viena është një qytet shumë entuziazmues, sidomos nga ana kulturore, prandaj vetëm dy netë atje padyshim që nuk janë të mjaftueshme për të përjetuar gjithçka, por janë mjaftueshëm për të më lënë mua të lumtur e të kënaqur.

Ky me të vërtetë është çfarë konceptohet si një qytet i Evropës qendrore, një tablo baroke me pallate imperiale, një pasuri kulturore e pafund, një kulturë ushqimi thuajse e përkëdhelur dhe një skene dizajni vibrante. Nga e vjetra në të re, e kripura në të ëmbël, mbulohet çdo gjë.

Në fakt, duhet të ndalem e të pranoj se Viena ka edhe dimrin më dimëror (po i jap lirinë vetes të shpik një tog fjalësh të tillë); nuk mendoj se kam përjetuar ndonjëherë kësoj lloj të ftohti, por hej, edhe kjo ishte një gjë tjetër e paharrueshme rreth Vienës.

Unë besoj fuqishëm se ecja është mënyra më e mirë për të krijuar një lidhje me një vend, megjithatë qeshë mjaft e lumtur me metronë e Vienës dhe lehtësinë në përdorim, që e bëri më të këndshëm eksplorimin e qytetit në temperature ngrice. Në të vërtetë, në një qytet të madh transporti publik është një ide e mirë. Nëse do të qëndroni në Vienë për një kohë të shkurtër, mund të zgjidhni më mirë të merrni një biletë 24/48/72-orëshe (në varësi të kohës që keni në dispozicion). Unë mora biletën 24-orëshe (vetëm 8€), e cila në krahasim me biletën një përdorimshe (2.40€) ishte një pazar i mirë.

Me të pasur me vete biletën e metrisë dhe xhupin e çizmet më të ngrohta, çdo gjë është gati për eksplorim!

Ishte një ndjesi kaq e bukur ecja në rrugët e gjera, rrethuar prej arkitekture imperiale (gjithnjë duke pasur në mendje se unë kam qenë një nga ata fëmijët e rritur duke parë serialin vizatimor mbi Princeshë Sisin), katedralet e bukura, sheshet e mbushura me njerëz dhe kaq shumë muzera! Mendoj se Austria është vendi nga i cili njoh më shumë persona të rëndësishëm gjatë historisë, në fushën e artit dhe kulturës.

Vendet kryesore për t’u parë në një udhëtim të shkurtër në Vienë janë: Katedralja e Shën Stefanit, Museumsquartier, një zone e madhe e pasur me ndërtesa baroke (shumica muze) si dhe ndërtesa me arkitekture moderne; Kryebashkia e Vienës (Rathaus) – një ndërtesë e jashtëzakonshme, sidomos gjatë natës nën ndriçimin e dritave; Opera e Vienës; Belvedere – unë zgjodha të vizitoj Belvederen e Sipërme duke qenë se aty ndodhet edhe piktura Puthja nga Gustav Klimt.

*(Unë nuk pata kohë mjaftueshëm të prisja në rradhë, por nëse ju keni, kontrolloni kalendarin e Operas dhe mos e humbisni mundësinë për të marrë një biletë për dhomën e ndenjes në këmbë; një biletë e lirë – prandaj edhe duhet pritur në rradhë, për të shijuar një opera vieneze dhe një vizitë në pallatin e operas pothuase falas!)

Duke u rikthyer tek vendet e sugjeruara për t’u vizituar, gjëja e shkëlqyer e të vajturit në Vienë në dimër është edhe fakti se secili nga këto vende kishte marketin e vet të Krishtlindjeve në sheshin pranë, mbushur me kaq shumë gjëra të mira e të bukura. Megjithatë duhet ta pranoj se marketi im i preferuar ishte ai në sheshin e kryebashkisë! Ishte një ndjesi kaq e mrekullueshme të endeshe mes shtëpizave të ndriçuara nën vështrimin e ndërtesës gjigante gotike, e cila dukej më e ngrohtë mes gjithë dritave zbukuruese.

Ponçi është gjithnjë një domosdoshmëri e çdo marketi Krishtlindjesh dhe në këto markete kishte kaq shumë mundësi zgjedhjeje – edhe pse i preferuari im është ponçi me fruta pylli (ponc i ëmbël e i shijshëm dhe fruta që pluskojnë në të)! Ashtu si marketi në Budapest, edhe Viena kishte një qasje shumë miqësore ndaj ambientit përsa i përket shërbimit të ushqimit. Gotat e porcelanit në Vienë kishin formën e çizmeve të kuqe, duke e shtuar edhe më shumë argëtimin. Do të rikthehem tek fakti se Viena është jashtëzakonisht e ftohtë, prandaj në market duhet ta mbani gjithnjë gotën të mbushur. Ngrohtësia dhe alkoli thjesht nënkuptojnë më shumë rehati dhe argëtim në një ditë (sidomos natë) jashtë. Duhet të ecni rrotull marketit për të thithur gjithë aromat dhe ngjyrat e bukura (si dhe të mbani këmbët ngrohtë duke i lëvizur), të rimbushni gotën tuaj në çdo shtëpizë që doni dhe në fund ta mbani atë si suvenir apo ta shkëmbeni për të marrë mbrapsht paratë e kaparit.

Ushqimet e mia të preferuara të këtij udhëtimi ishin supa e kungullit në tas buke (me të vërtetë që filluan të më pëlqejnë supat në tasa buke!) – tekstura kremoze ishte perfekte, dhe dekorimi me fara kungulli dhe vaj farash thjesht e bënte edhe më të shijshme; Würstl – hot dog me saliçiçen Vieneze – e pjekur në mënyrë të shkëlqyer, kërcitëse nga jashtë dhe kaq e butë nga brenda; si dhe ëmbëlsirat! Më pelqyen vecanërisht strudeli me mollë (të cilin e provova në një kafene vieneze, prandaj edhe ky ishte vakti im më shik në Vienë) si dhe Brandteig Ringe – një ëmbëlsirë kaq e shijshme në formën e një gjevreku, e mbushur me krem konjaku (kjo mund te jetë një nga arsyet që do të dua të rikthehem në Vienë shumë shpejt).

 

Oh sa shumë kujtime të dashura e të embla! Një qytet për të mos u humbur!

 

Fotografitë nga Julia Janku

About us

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit. Suspe ndisse suscipit sagittis leo sit met condimentum estibulum issim Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit.