Ushqim & Udhëtim

Dropulli – gati për t’u eksploruar!

Dropull 1

Dropulli – gati për t’u eksploruar!

Artikull nga Eranda

Shqipëria për shumë vitë ka qenë destinacioni i arratisjes për ato turistë, të cilët ishin aq të guximshëm sa të ekploronin një vend të vogël dhe të panjohur, shpesh i paragjykuar nën stigmën e stereotipeve të ndryshme, por në të vërtetë një perlë e fshehur mirë, me mjaft surpriza dhe aventura autentike, e cila edhe pse shpesh e papërgatitur të presë turistë, ka ditur gjithnjë se si të hapë dyert e saj dhe mirëpresë miqtë, në çfarëdo kushtesh dhe rrethanash. Konsideruar si një nga zbulimet e reja të Ballkanit, Shqipëria e vogël “ekzotike” është sot një nga destinacionet më të përfolura. Në pak orë ke mundësinë të hipësh në majën e Tomorrit apo Thethit, të lundrosh e shëtisësh nëpër Valbonë, ose Osum, të shijosh bregdetin e kaltërt të Rivierës, të përhumbesh nëpër bukuritë magjepsëse të liqeneve të Lurës, të shëtisësh nëpër kalatë e shumta që popullojnë thuajse çdo qytet, të mësosh historinë e vendit dhe njohësh kulturën Shqiptare në qytete si Kruja, Shkodra, Gjirokastra, apo Berati, apo edhe të shijosh gamën e pafund të ushqimeve që ofrohen nga Veriu në Jug!

Por bukuria e vërtetë e një vendi si Shqipëria, është që çdo centimetër i tij është në fakt një destinacion për t’u zbuluar! Për fat të keq, ose të mirë një pjesë e mirë e vendit mbetet ende sot e paeksploruar, dhe kjo përbën një tjetër lloj aventure nëpër Shqipërinë e bukur të të papriturave! Autenticiteti dhe fisnikëria në fakt gjenden aty, ku askush nuk bën reklamë, ku askush nuk ndalon për më shumë se disa minuta, aty ku në hartë nuk ka asnjë “pin” me informacion, apo të dhëna. Mes maleve, nën një qoshkë të luginës, përtej një lumi, ku ura që të lejon të kalosh është shembur, thujse në fundin e një rrugë që në fakt nuk përfundon asgjëkundi, apo edhe midis dy destinacioneve të bujshme, gjenden perlat e vërteta, të cilat të ofrojnë atë që është Shqipëria e vërtetë. Shpesh e varfër, dhe pa shume bujë, por me një pasuri të një lloji tjetër, më një mikpritje fisnike, më një kulturë dhe histori të pasur, me një kulinari që të bën të humbësh toruan, dhe me njerëz të dashur, që s’do të të lënë të largohesh pa të ofruar çdo gjë të mirë që ju gjendet në shtëpi. E në fakt, kjo është Shqipëria që duhet të njohim! Jo vetëm turistët e huaj, por mbi të gjitha ne vetë!

Sot do të nisemi për në një destinacion, për të cilin ndoshta keni dëgjuar pak, ose aspak. Do të nisemi drejt njërës prej portave të vendit, e cila e ndodhur midis dy kulturave, asaj Shqiptare dhe Greke, ka marrë më të mirën e të dyjave dhe e ka materializuar atë në një perlë, që ofron pa fund për të njohur e vizituar! Me të lënë Gjirokastrën, hyn në Dropull, një vend magjepsës, për të njohur të cilin do të të duhen një palë këpucë të rehatshme, një makinë off-road dhe ajo që është më e rëndësishmja: kurioziteti për të zbuluar dhe njohur një pejzazh përrallor mes Drinosit dhe Buretos e Nëmërçkës.

Me një karakter totalisht rural, zona e Dropullit ka plot 41 fshatra, të cilët popullojnë si luginën e Drinosit, ashtu edhe grykat e majat e Buretos dhe Nëmërçkës në zonën e Pogonit. Me rreth 7,000 banorë Dropulli është një nga ato zona, ku si pasojë e migrimit vështirë të gjesh e takosh të rinj, por do të mirëpritesh nga një kontigjent më i moshuar, i cili në fakt përbën zemrën dhe pasurinë e vërtetë të kësaj zonë. Gjyshërit dhe gjyshet Dropullite, më të cilët mund të flasesh në Shqip, Greqisht, por dhe Italisht, Anglisht e Rusisht, janë mësuesit më të mirë të historisë së vendit, kulinarisë dhe prodhimeve lokale, kulturës dhe folklorit, dhe në fakt, janë ato që ende sot ruajnë e mbajnë gjallë me mjaft dashuri dhe fisnikëri, një zonë si Dropulli!

Dikur qendra administrative e Dropullit, Derviciani sot është fshati më i madh dhe porta hyrëse e Bashkisë. Majft modest në pamje të parë, në Dervician, ashtu si dhe një të gjithë fshatrat e tjerë, do të të duhet të ngjisësh sokakët e rrugicat me jargavanë e hardhi rrushi, për të parë ngë afër banesat e gurta me portat e drurit të dekoruara me gjete dafine e me taraca panoramike, vizituar kishat e vjetra ku aroma e temjanit dhe qirinjve të ngacmon që në oborrin e jashtëm, e për të folur me tej me gjyshet që mes hardhive të rrushit të kanë spikatur nga tarraca që në momentin e parë që ke mbërritur aty. Dhe pa kuptuar do ta gjesh veten të ulur në një karrige druri në një nga këto tarraca, duke pirë raki e ngrënë gliko të bëra nga vetë ato, e duke shijuar pamjen e mahnitshme mbi Drinos. E teksa je duke shijuar qetësinë e këtij momenti, do të nisësh pak nga pak të dallosh të gjithë fshatrat e gurtë mes grykave, dhe më pas oxhaqet që dimrit të lajmërojnë që diku aty brenda ka një zjarr bubulak që të fton.

Duke lënë pas Goranxinë, Vanisterin, Haskovën dhe Dhuvjanin, arrijmë në Sofratikë, e cila të ofron mundësinë që ndër të tjera të njohësh një nga sitet arkeologjike më pak të njohura, por me mjaft vlera, Hadrianopolisin. Sëbashku me Antigonenë, amfiteatri i Hadrianopolisit krijon një binom të rëndësishëm të qytetërimit, që daton që në shekujt e V dhe VIII pas Krishtit. Më tej kisha dhe shtëpitë karakteristike me tarraca të Terihatit, të ftojnë të ndjekësh rrugëtimin nëpër luginë, për në Goricë, Frashtan, Lugar, Grapsh, duke mbërritur në Jorgucat. Jorgucati është qendra e rë administrative e Bashkisë, dhe ndodhet në mesin e një fushe pjellore, që prodhon mjaft profukte, ndër më të famshet gështenjat. Rruga kryesore që lidh fshatrat në vazhdim të çon drejt Zervatit, Bularatit, Bodrishtës, Vodhinës, Pepelit, Vriserasë, Klisharit, Likomilit, Selos, Krionerës, Llovinës, Llongos, Koshovicës, e Sotirës. Sotira, e ndodhur në pjesën më të lartë të Dropullit të Sipërm, është një thesar i fshehur i Dropullit, i cili të krijon ndjesinë e të kthyerit pas në kohë. Madje çdo gjë të duket sikur ka mbetur aty, në të shkuarën. Shkolla e vjetër që sot nuk është më funksionale, të mahnit me fasadën e saj dhe gjelbërimin që spontanisht e ka rrethuar dhe e ka bërë akomë më misterioze. Kisha dhe kulla e këmbanës qëndrojnë krah njëra tjetrës pak më sipër, duke krijuar një shesh të përbashkët që duket sikur të fton të veprosh. Aty ku dikur ngrihej Bredhi i Sotirës, sot gjendet vetëm një pjesë e mbijetuar prej zjarrit që e dogji, por edhe aq mjafton të kuptosh madhështinë e këtij Monumenti Natyre. Në afërsi të fshatit të Sotirës, lehtësisht mund të shkosh në Pyllin e Sotirës, një Park Natyror me statusin “zonë e mbrojtur”, i cili të ofron mundësinë të shijosh natyrën, pejzazhin dhe panoramën mahnitëse nën ajrin e pastër dhe qetësinë mbizotëruese. Përpos gjithë këtyre, në datën 5 Gusht Sotira feston Shën Sotirën, një festë që manifeston traditën dhe kulturën e vendit, thuajse pagane në formën e organizimit, kërcimet, kostumet dhe ritet, plot ngjyra, tinguj dhe shije të mrekullueshme, të cilat të gjitha sëbashku të ftojnë të gëzosh natyrën dhe çdo gjë që gjen aty.

Ana tjetër përtej Drinosit të pret ta vizitosh me të tjera bukuri. Peshkëpia me Manastirin e Shën Mërisë dhe shtigjet panoramike drejt tij përfaqësojnë një landmark pejzazhor që të jep mundësinë të rrethohesh dhe pushtohesh nga natyra. Si në pikturat e Lear-it, do të përhumbesh në qetësinë e perëndimit, mes shtresave të ndryshme të pejzazhit, të cilat njëra pas tjetrës zbulojnë kaq shumë bukuri, që nuk ke se si t’i shijosh ndryshe, përveçse të jesh aty lart. Këmboret e deleve ndërkohë plotësojnë këtë imazh baritor, duke të bërë të ndjehesh me fat që jë aty në atë moment. Pak më tutje do të gjendesh në Glinë, aty ku buron uji Glina. Burimet përgjatë rrugës kanë ujë të ftohtë për të të rikarikuar të vazhdosh udhëtimin. Nëse ndjehesh i uritur, me siguri një nga banorët do të të spikasë tek ecën e do të të afrohet të të flasë e ofrojë diçka për të ngrënë. Nuk ndosh shpesh të shohin individë jo-banorë të zonës të vërtiten rrotull, ndaj me të të parë do të jenë të gatshëm të të bëjnë shoqëri. Të të tregojnë për jetën në fshat, kopetë e dhive e deleve, apo baxhot e bulmetit e fermat e vogla pranë shtëpive. Nuk do të shpëtosh pa pirë një gotë raki, shoqëruar me petulla e mjaltë. Zakoni e ka, njeriu ka dy këmbë, ndaj 2 gota raki medoemos duhet t’i rrëkesh.

Dalëngadalë, duke u ngjitur lartë pejzazhi nis e egërsohet e bëhet më misterioz teksa ngjitemi përmes Grykës së Suhës drejt zonës së Pogonit, e qendrës së tij Poliçanit. Këtu edhe banorët do t’i shohësh të ndryshojnë. Meshkujt janë më trup mëdhenjë, zërat janë më të trashë, dhe pamja e malësorit karakterizon jo vetëm ato, por dhe femrat që ngjiten lart e poshtë duke mbartur drru, ose duke shoqëruar dhentë. Në Selckë ndoshet një nga sistemet më të vjetra të ujësjellësit në zonë, ndërtuar me gurë e ruajtur me fanatizëm e mund deri më sot nga vetë banorët. Sistemi siguron jo vetëm grumbullimin e ujit në vaska depozitimi, por dhe qarkullimin e tij në zonat publike të larjes së rrobave në fshat, apo vaskave të ujit për bagëtitë. Kryeplaku i fshatit do të të rrëmbejë për së paku 30min të të shpjegojë çdo gjë mbi këtë sistem. Do të njohësh në zërin e tij, mundin e sakrificën, por dhe krenarinë e fshëhur me aq fisnikëri ndër to. Këmborët e dhenve, gur pas guri do të të drejtojnë për në Poliçan. Poliçani është një mini-metropoli në kontekstin rural, që lidh Pogonin e Dropullin, me Zagorinë e Libohovën. Do shohësh shtëpi të gurta, një pjesë e mirë e të cilave të rinovuara me kujdes nga banorët, manastirin që ndonëse jo i mirëmbajtur, ende ka disa afreske të mrekullueshme të kohës bizantine, dhe lokalin e vetëm të fshatit, i cili me oborrin përbri është qendra e fshatit. Në Poliçan, si dhe në çdo fshat tjetër të Dropillit, çdo kush njeh çdo kush, ndaj të krijohet ndjesia që je në mesin e një familje të madhe. Në nderin tënd do të pjekin një qengj, do të të thekin bukën e bërë vetë mbi sobën e zjarrit, do të të ofrojnë sallatën e famshme me lakra të egra, marinuar me limon e vaj ulliri, salcën e kosit nga baxhoja që ndodhet pak më poshtë, dhe në fund të pret një mrekulli që do të të bëjë për vetë: kosi me mjalt dhe arra, specialiteti i zonës. Nuk e di nëse sekreti është tek bërja e kosit, apo tek cilësia e mjaltit, tek dashuria me të cilën e gjitha është bërë, apo tek të tëra sëbashku, por që kjo përmbyllëse e eksperiencës kulinaristike në Poliçan është një memento e vërtetë! Të mos harrojmë, rakia na shoqëron gjatë gjithë kësaj ekperience. Madje do të të ofrojnë edhe një shishe të vogël plastike të ujit Glina, mbushur me raki, për të të bërë shoqëri gjatë rrugëtimit tënd në pjesën tjetër të Pogonit.  Skoreja dhe Sopiku pasojnë Poliçanin, dhe të dy fshatrat janë mëse mikpritës me shtëpitë e gurta dhe sheshet e vogla panoramike përreth kishave. Më tej, me shumë vështirësi nëpër rruginat e ngushta të pashtruara mund të ngjitemi në Hllomo, Mavrojet dhe Çatistër. Gjasat janë, nëse është dimër dhe ka baltë, rruga nuk është shumë e sigurtë të mbërrish deri në Mavrojer e Çatistër, ndaj ato pak banorë që kanë mbetur aty, do zbresin të të takojnë me shume dashamirësi në Hllomo. Panorama pejzazhore që të ofron Hllomoja është e tillë që do të të duhet të ulesh në një nga tarracat e shtëpive, dhe të shijosh në qetësi duke ngrënë fruta, gliko, duke pirë lëng thane, ose raki, dhe duke shkëmbyer një bisedë të përzemërt me banorët që janë mbledhur aty.

E teksa shijon të gjithën këtë, mer frymë thellë e lëre pamjen rreth teje të të përfshijë tërësisht Mund të thuash më në fund që ke shijuar plotësisht Dropullin nga Derviciani në Hllomo, nga fusha në mal, e nga petullat me mjaft tek rakia e lëngu i thanës, secila prej tyre shijuar nën një panoramë mbreslënëse. Ky është Dropulli modest, por me zemrën e madhe, shijet e shumta që vijnë drejtëpërsëdrejti nga toka, dhe pamjet a panumërta që do të të mbesin në mendje gjatë.

 

*Për çdo përdorim të fotove ose artikullit, duhet referuar burimi dhe autori.

 

Fotografitë nga Eranda Janku

About us

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit. Suspe ndisse suscipit sagittis leo sit met condimentum estibulum issim Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit.