Receta e Mamit – Petulla Të Ëmbla

24/08/2016

Një nga gjërat që gjithmonë më ka pëlqyer tek mami, përveç faktit që gatuan shkëlqyeshëm, është se asnjëherë nuk e flak diçka pa u siguruar që me të nuk mund të bëhet asgjë tjetër. Pikërisht kështu ka lindur dhe kjo recetë, një nga recetat më të hershme të familjes sonë. Kosi i mbetur me sheqer që unë me motrat konsumonim hera herës kur ishim të vogla kthehej lehtësisht në këto petulla të ëmbla. Të lehta e të shijshme si për fëmijët dhe për të rriturit. Dhe ç’ka është më e bukura është se nuk ju nevojitet asnjë pajisje që nuk e keni në shtëpi, vetëm një tas dhe një pirun mjafton. Madje ju rekomandoj të përdorni pirun dhe jo rrahëse dore apo elektrike pasi e ndjeni më mirë brumin për të dalë në përfundimin e tij.

Duke qenë se gjithë jetën e saj mami këtyre petullave ua ka zënë brumin me sy, ishte argëtuese se si peshoja çdo gram para se ajo ta shtiente në tas.

  • Duhet të keni një brum jo të fortë, por që e mban formën e tij për disa sekonda.
  • Veza që unë përdora për këtë recetë është mesatare, nëse përdorni një vezë të vogël ose të madhe mund t’ju duhet të shtoni më tepër miell ose kos (sipas madhësisë së vezës)
  • Nëse masa e sheqerit ju duket shumë mund ta reduktoni sipas dëshirës
  • E vetmja gjë që duhet të kini kujdes në këtë recetë është skuqja e tyre; këto petulla kërkojnë skuqje në vaj të bollshëm në flakë të moderuar. Duhet të skuqen ngadalë pasi në të kundërt sipërfaqja do jetë gatuar dhe brenda do keni brum të pabërë

2-Petulla Te Embla 1 3-Petulla Te Embla 2 4-Petulla Te Embla 3 21212shqip.jpg

Proçedura :

 

Në një tas vendosni vezën dhe rriheni atë sa të bashkoni të verdhën me të bardhën

Shtoni sheqerin dhe kosin dhe përzieni deri sa sheqeri të tretet (nuk do të dojë shumë kohë)

Shtoni sodën e bukës e më pas miellin dhe bashkoni të gjithë masën në një

Këto petulla skuqen në tigan plot me vaj misri, në flakë të moderuar kështu që mbushni një tigan me vaj dhe lëreni që vaji të nxehet në flakë të butë. Mos e ndizni në flakë të lartë e më pas ta ulni pasi kjo do sjellë skuqjen e menjëhershme të sipërfaqes dhe brenda do jenë të pagatuara

Para se të nisni skuqjen mbushni një tas të vogël me ujë të vakët

Përdorni një lugë gjelle ose çaji (në varësi të madhësisë së petullave) dhe lageni lugën herë pas here para se ta mbushni me brum në mënyrë që të mos ngjitet në luge

Shtroni një pecetë që të thithë vajin e tepërt në pjatën apo tasin ku do t’i vendosni petullat e skuqura

7-Petulla Te Embla Procedura 1 8-Petulla Te Embla Procedura 2

 

Fotografitë nga Eranda Janku