Akullore me Fiq të Freskët

06/09/2016

Reçeli i bërë vetë, nga duart e mamit tim ka qenë, është dhe besoj do të jetë gjithmonë diçka që s’do të mungojë kurrë në shtëpinë tonë. Reçel me fruta të ndryshme sipas stinës duke përmendur këtu të preferuarit e mi : reçel manaferrash, ftoi dhe fiqsh. Çdo muaj ka reçelërat e vet dhe kjo vihet re qartësisht në frigoriferin tonë sepse shtohen tasa plot e përplot me reçel (haha) që ti kemi përgjatë gjithë vitit.

Fiqtë janë një nga frutat tanë të preferuar si të gjallë ashtu dhe të gatuar dhe kjo vihet re lehtësisht nga hapësira e frigoriferit pasi është bërë reçeli me fik. Dhe më e bukura është kur e shijon fikun e plotë (një karakteristikë e mamasë sime : frutit gjithmonë ia ruan formën kur e bën reçel) gjatë muajve të tjerë të vitit ku të ngrënit e një fiku të freskët të duket pothuaj ëndërr.

Mund të jem zgjatur ca duke folur për reçelërat e ndoshta do pyesni veten në është një recetë reçeli apo akulloreje, por kjo sepse gjithmonë fikun si frut e lidh me reçelin dhe kujtimet e bukura sjellë prej tij. Në fund të fundit ushqimi është kujtime.

Një nga dhuratat më të bukura të kësaj vere ishte padyshim makina e akullores (dhuratë nga daja im). Kisha shumë kohë që doja një të tillë dhe sapo e mora në duar vendosa të bëj listën e gjatë të shijeve që doja ti provoja. E para sigurisht ishte ajo e fikut, meqë jemi dhe në muajin e tij. Kënaqësia që të jep zhurma kërcitëse e kokrrizave të fikut është gjëja më e bukur që ai frut mbart (përpos shijes natyrisht); prandaj vendosa të provoj një recetë në të cilën aroma, shija dhe kjo ndjesi të jetë kryesore; por në të njëjtën kohë të jetë kremoze siç një akullore e mirë duhet të jetë.

  • Në këtë recetë unë po përdor disa fiq të vegjël baçeje të cilët kanë ngjyrë të errët si në lëkurë ashtu dhe brenda në tul (por çdo lloj fiku bën punë për aq kohë sa është i pjekur mirë).
  • Gjithashtu mund të përdorni pak ekstrakt vanilje nëse dëshironi, por tani ju më njihni mua kështu që është e kotë ta përmend pse unë personalisht s’do ta përdor
  • Çdo akullore e bërë në shtëpi ndryshon në varësi të makinës së akullores që ju keni dhe përdorni. Kështu dhe kohëzgjatja si e mbajtjes së enës në akull si e gatimit të akullores ndryshon. Unë e lë enën time për rreth 24 orë në akull dhe akulloren të gatuhet për rreth 40 minuta.
  • Nëse nuk keni një makinë akulloreje mund ta vendosni masën në një enë dhe ta lini në akull deri sa të ngrihet. Mund t’ju them tani më nga eksperienca që tekstura e akullores ndryshon dhe ndryshon shumë sidomos kur vjen puna tek akullore si : me vanilje, çokollatë etj, ku baza nuk është frut. Por nëse nuk e keni një të tillë kjo s’duhet të jetë pengesë për të shijuar një mrekulli të tillë. Sidoqoftë unë ju rekomandoj ta blini një makinë të vogël akulloreje në rast se e keni pasion gatimin dhe të hani akullore ashtu si unë. Dini çfare hani, mund të gatuani sa herë të dëshironi dhe kostoja është shumë më e ulët se akulloret e blera në supermarket. E thënë shkurt investimi juaj do të shpërblehet 100%

Shpresoj t’ju pëlqejë dhe mezi pres komentet dhe përshtypjet. Mos harroni të më nisni dhe fotot të cilat më gëzojnë pa masë !

  • P.S : Nëse ju frymëzova me fjalimin tim për reçelin e fikut recetën e gjeni KËTU

2. Akullore Fiku 1 3. Akullore Fiku 2 4. Akullore Fiku 3 shqip

Proçedura :

 

Vendosni qumështin dhe sheqerin në një tenxhere dhe ngrohini bashkë deri sa sheqeri të jetë tretur plotësisht

Lëreni mënjanë deri sa të ftohet plotësisht, ose vendoseni enën në ujë të ftohtë që qumështi të ftohet më shpejt

Bluajini fiqtë deri sa të kthehen në një pure homogjene

Në një tas të madh përzieni të gjithë përbërësit së bashku (qumështin me sheqerin, vaniljen nëse po e përdorni, purenë e fiqve dhe ajkën e ëmbël)

Kini kujdes që mos e përzieni shumë ose shpejt pasi do rrihni ajkën e ëmbël duke e kthyer në krem

Ndizni makinën e akullores dhe vendoseni masën e krijuar brenda

Lëreni akulloren të bëhet sipas instruksioneve të makinës suaj

Më pas zhvendoseni akulloren në një enë dhe lëreni në ngrirje për të paktën 2-3 orë para se ta shërbeni

7. Akullore Fiku Procedura1 8. Akullore Fiku Procedura2 9. Akullore Fiku Procedura3 10. Akullore Fiku Procedura4 11. Akullore Fiku Procedura5 12. Akullore Fiku Procedura6

 

Fotografitë nga Eranda Janku