Një Krishtlindje Ndryshe – Down Syndrome Albania

20/04/2016

Në datën 19 Dhjetor 2015 DSA (Down Syndrom Albania) në bashkëpunim me Food Revolution Albania organizuan festimin e Vitit të Ri me familjet e fëmijëve me sindromën dawn.

Në këtë aktivitet morën pjesë artistë shqiptarë, punonjës, operatorë dhe psikologë që merren me trajtimin e fëmijëve me sindromën dawn si dhe qytetarë të tjerë.

Së bashku me Dhuratën, Eldisën, dhe Oranën vendosëm të vullnetarizonim me gatimin e ushqimeve të shëndetshme për fëmijët. Këtë aktivitet e kishim filluar një vit më parë në përmasa më të vogla duke gatuar së bashku me fëmijët dhe mundësuar nxitjen e aftësive motorike të fëmijëve nëpërmjet gatimit. Meqenë se pjesëmarrja e fëmijëve këtë vit ishte shumë e madhe vendosëm që gatimet ti bënim veçmas dhe t’ua ofronim fëmijëve dhe të ftuarve për ti shijuar. Një javë përpara festës vendosëm që të mblidheshim të katërta së bashku dhe të krijonim menunë jo vetëm të shëndetshme, por dhe të përshtatshme për fëmijët. Pasi bëmë blerjen e përbërësve u ndamë në tre grupe dhe veçmas gatuam produktet e menduara më parë.

Gatimet e përzgjedhura nga ne ishin : fokaçe vegjetariane (domate dhe speca); muffin me spinaq; muffin me miell misri dhe djath të bardhë; humus klasik dhe humus me panxhar të kuq; byrek me kremviçe; byrek me spinaq; antipasta me ullinj dhe djath kaçkavall; domate me moxarela; biskota me xhinxher; mafishe; muffin me çokollatë të zezë dhe vanilje; strudel me mollë dhe fruta sezonale të freskëta.

Gjatë punës patëm dhe mbështjetjen e krijueses dhe drejtoreshës ekzekutive të qëndrës DSA Emanuela Pepkola Zaimi.

Në raste festash fëmijët përgjithësisht janë mësuar të hanë ushqime të gatshme duke filluar nga pijet me gaz, patatinat, kruasantët dhe gjithçka e paketuar. Ishte hera e parë që fëmijëve dhe prindërve u ofrohej ushqim i shijshëm dhe i gatuar me produkte të freskëta, i cili jo vetëm që u konsumua i tëri, por u shijua nga të gjithë pjesëmarrësit pa dallim moshe. Në këtë festë një ndihmë e madhe erdhi dhe nga dyqani Mia Organic i cili ofroi lëngjet e freskëta. Përveç gëzimit që pata duke parë fëmijët të gëzonin duke ngrënë produktet që ne kishim gatuar, më pëlqeu interesi që prindërit shprehën për t’u njohur me recetat e këtyrë gatimeve. Kjo padyshim tregon jo vetëm dëshirën për njohjen e recetës, por dhe interesin e prindërve për të gatuar vetë ushqime të shëndetshme për fëmijët.

Në atmosferën e këngëve, valleve, lojrave popullore të ofruara nga animatorët shqiptar; festuam së bashku me fëmijët dhe prindërit një Krishtlindje të paharruar.

1 2 IMG_7097 IMG_7135 IMG_7139 IMG_7164 IMG_7261 IMG_7287 IMG_7291 IMG_7335