Kek me Xhinxher
May 27, 2019 2019-05-27 8:55Kek me Xhinxher
Nëse xhinxheri është në shijet e tua, kjo recetë është për ty! Me një filxhan kafe cilësore, ky kek është ideal jo vetëm për mëngjes, por kurdo. Mund ta përgatisni dhe në tavë rrethore, por nëse doni të qëndroni me versionin klasik, përdorni një tavë drejtkëndore; ashtu siç e do tradita.
- Në këtë recetë unë jam duke përdorur melasë, që shkon më së miri me xhinxherin. Duhet cilësuar që melasa ka një shije dhe aromë potente, prandaj nëse nuk e preferoni, mund ta zëvendësoni me golden syrup, shurup panje ose mjalt.
- Në varësi të çfarë përdorni, do të ndryshojë dhe ngjyra e kekut. Melasa sjell në pah një ngjyrë kafe në të kuqe.
- Nëse e dashuroni xhinxherin dhe ‘doni të jetoni deri në fund’ shtoni dhe 1 tsp tjetër në kekun tuaj.
Proçedura:
Ndizni furrën në temperaturë 190°C.
Shtroni letër furre në gjatësinë e një tepsie drejtkëndore, duke u siguruar që letra të dalë jashtë buzëve të tepsisë (kjo për të bërë shumë të thjeshtë heqjen e kekut nga tava kur të piqet).
Në një tas vendosni gjalpin me sheqerin (të dy llojet) dhe rrihini me rrahës elektrik.
Shtoni vezën dhe melasën dhe përzieni deri sa masa të jetë bërë njësh.
Sitni të gjithë përbërësit e thatë dhe rrihni deri sa mielli të jetë përzier. Mos vazhdoni më tepër pasi do të aktivizoni glutenin në miell dhe do të përfundoni me një masë keku më të fortë.
Derdhi pak nga pak ujin e valuar duke e përzier brumin me rrahës nga ana tjetër.
Derdhni brumin në tavën drejtkëndore.
Piqeni kekun deri në pjekje të plotë për rreth 30-35 minuta (kur të ngulni një kunjë dhëmbësh të dalë e pastër).
Nxirreni nga furra dhe lëreni të ftohet në temperaturë dhome për minimumi 30 minuta.
Kaloni një spatul në anët qe nuk keni letër furre dhe me kujdes duke e kapur nga letra e furrës së dalë nxirreni kekun nga kallëpi.
Fotografitë nga Eranda Janku