Ushqim & Udhëtim

Gjirokastra

Processed with VSCO with a6 preset

Gjirokastra

Artikull nga Eranda

 

Shpesh si pasojë e punës që bëj kam fatin të njoh e punoj në vende të cilat jo vetëm nuk i kam parë kurrë më parë, por që në të shumtën e rasteve rastis të jenë destinacione që pak kush i ka shkelur. Ekspedita të tilla janë të shumëta, por mund të përmend përmbledhtazi disa nga më të bukurat si Zagoria, Kruma në Has, Tropoja dhe zonat rurale përreth saj, apo Dropulli me plot 41 fshatrat e tij magjepsës me të cilët jam tanimë duke konkluduar punën. Këto destinacione sëbashku me gjithë gamën e gjerë të atyre ato ofrojnë, qoftë në aspektin pejzazhor, por dhe atë human (njerëzit e mrekullueshëm), traditat e pasura, historitë, dhe sigurisht kulinarinë, me të cilën kemi me çtë krenohemi në mënyrë unike për çdo krahinë të vendit, sigurisht që bëhen pjesë e debatit mes nesh.

Nga këtu lindi ideja që çdo 1-2 muaj të bëjmë një ekspeditë në një destinacion të Shqipërisë, jo vetëm si mundësi për të kaluar kohën të treja, por dhe për të njohur vende të reja, si mënyrë insipirimi për atë që bëjnë në përditshmërinë tonë, si dhe si një mënyrë e mirë për të sjellë pranë të gjithëve ju, destinacione interesante për t’ju inspiruar ju më tej t’i vizitoni! E nisëm këtë kapitull aventurash me Gjirokastrën, qytetin tim të preferuar! Julia dhe Kristi nuk kishin qenë kurrë më parë, ndaj më takoi mua të bëja rolin e guidës në këtë aventurë të parë.

Gjirokastra2

Gjirokastra është një nga ato qytete që me ndërthurjen dhe mbivendosjen e të gjitha shtresave historike e kulturore që përmban, ka mjaft për të treguar. Si pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që në vitin 2005 Gjirokastra gjithnjë ka qenë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike me famë botërore në vend, edhe pse në nivel ofrimi shërbimesh në përballje me flukset e vizitorëve, Gjirokastra si shumë vende të tjera në Shqipëri, ka vuajtuar për një kohë të gjatë. Por, me mjaft entuziazëm mund t’ju siguroj që vizita e fundit në Gjirokastër na bëri të shohim që qyteti, banorët dhe autoritetet lokale kanë punuar seriozisht për t’ju përgjigjur të gjitha kërkesave, dhe Gjirokastra është sot një nga shembujt model në vend, i ofrimit të shërbimeve në një cilësi maksimale dhe mjaft autenticitet.

Gjirokastra3

Pazari i vjetër dhe pjesa më e madhe e qendrës historike janë restauruar, duke theksuar akoma dhe më shumë karakterin e veçantë të Gjirokastrës me rruginat e saj të kalldrëmta që herë ngjitën e herë shkojnë tatëpjetë, të populluara me vendas dhe turistë që hyjnë e dalin në kafenetë, ëmbëltoret e dyqanet e shumta. Kalaja duket në sfond mbi pazarin, ndërkohë që kafenetë e vogla me tavolinat nëpër rrugina, njerëz të ulur nëpër shkallë, dhe stenda me qilima e objekte të tjera tradicionale, e bëjnë akoma më autentik e plot ngjyra imazhin ikonik të gurtë të Gjirokastrës.

Një sërë hotelesh e bujtinash ofrojnë mundësi akomodimi, duke sjellë ambiente dhe detaje të shtëpive tradicionale, që e bëjnë ndenjen akoma edhe më të këndshme. Për të qenë sa më pranë qendrës dhe për të shijuar të gjitha sa më sipër, vendosëm të qëndrojmë pranë Kalemi 2, dhe mbetëm më se të kënaqura me shërbimin, ambientet, afërsinë ndaj çdo gjëje që kishim planifikuar të vizitonim, si dhe me mëngjesin fantastik dhe super të shijshëm!

Gjirokastra5

Ditën tonë të parë e kaluam duke vizituar pazarin dhe shtëpinë muze të Ismail Kadaresë. Gjirokastra ju ofron mundësinë të vizitoni disa shtëpi muze, ku përpos asaj të Ismail Kadaresë, edhe 2 shtëpi të tjera, ajo Skëndulajve dhe Zakateve, si dhe muzeun Etnografik. Shtëpinë e Skëndulajve e vizituan ditën e dytë. Në shtëpinë e parë që vizituam, atë të Kadaresë, patëm mundësinë të njihemi nga afër jo vetëm me një banesë të vjetër historike (edhe pse gjatë restaurimit disa nga elementët origjinalë kanë humbur), por dhe me disa nga momentet kryesore të jetës së Kadaresë, përmes një ekspozite fotografishë. E preferuara jonë është shtëpia e Skëndulajve, e cila ende sot vazhdon të jetë origjinale në çdo detaj. Çdo dhomë është e pajisur me të gjitha orenditë që dikur përdoreshin, dhe sëbashku me aromën e drurit që të shoqëron thuajse në çdo hap, të duket sikur jë kthyer pas në kohë.

Gjirokastra4 Gjirokastra6 Gjirokastra7 Gjirokastra8 Gjirokastra9 Gjirokastra10

Gjirokastra11

Perëndimin e ditës së parë e shijuam nga kalaja, për të shkuar tek e cila bëmë një rrugëtim shumë të këndshëm nën flladin e pasdites, me pamje fantastike mbi qytetin që ngadalë nisi të bjerë në muzg. Muzeun e armëve nuk patëm mundësi ta shihnim këtë herë, por nga vizita të mëparshme jua sugjeroj ta shihni pasi ka një koleksion mjaft interesant, edhe pse ka vërtetë nevojë për restauro dhe organizim. Ecja nëpër brendinë dhe kopshtet e kalasë si gjithnjë është shumë e bukur. Pamja mbi qytet nga oborri i jashtëm është e mrekullueshme! Sidomos pas perëndimit në muzg, kur dritat një nga një nisin të popullojnë siluetën e qytetit.

Gjirokastra22

Patjetër që një nga arsyet kryesore pse Gjirokastra është një nga destinacionet e mia të preferuara, përtej qytetit në vetvetë, është sigurisht dhe ushqimi! Kishim planifikuar një listë të gjatë vendesh dhe ushqimesh që donim të provonim, por duke qenë se ishim vetëm për 2 ditë, arritëm të hiqnim vetëm disa viza në listën tonë, duke lënë mjaft mundësi për vizita të tjera në Gjirokastër. Sigurisht që mëngjesin e hëngrëm në hotel, dhe ishte një mëngjes i vërtetë shtëpie, me petulla, djath vendi, perime të stinës, reçel shtëpie fiku, gjalp i freskët, vezë të bëra omletë, qumësht, kafe, lëng i freskët portokalli si dhe fruta të stinës. Një mrekulli! Drekën e ditës së parë konsumuam pranë Tavernës Kuka, e cila jo vetëm na kënaqi me varietenë e ushqimeve fantastike, por çdo gjë tjetër, shërbimi, ambienti dhe panorama ishin perfekte! Një shembull mëse i mirë i një biznesi që kujdeset për cilësinë maksimale në çdo detaj. Përpos sallatërave kryesore, sigurisht porositëm qifqitë për të cilat bëmë gjithë atë rrugë deri në Gjirokastër (e kam seriozisht), specat e pjekur të mbushur me gjizë, lakrat e egra ziera e të marinuara me vaj ulliri e limon, pulë të pjekur në zgarë, patate të skuqura shtëpie, verë të bardhë, e cila ishtë shumë e mirë, dhe sigurisht në fund provuam oshafin me fiq. Pas shëtitjes së darkës kishim planifikuar të provonim akulloret me kasatë pranë barit të Hotel Çajupit, të cilat unë jua kisha lavdëruar për kaq shumë kohë Julias dhe Krisitit (dhe kujtdo tjetër që nisej për në Gjirokastër). I shijuam super akulloret pranë ballkonit me një pamje përrallore mbi Gjirokastrën e ndriçuar nga mijëra dritash të vogla. Një mbyllje fantastike e natës sonë në Gjirokastër!

Gjirokastra12 Gjirokastra13 Gjirokastra14 Gjirokastra15 Gjirokastra16

Ditën pasuese, pas super mëngjesit pranë hotel Kalemi 2, dhe pas vizitës në Shtëpinë e Skëndulajve u nisëm drejt Tiranës, duke u ndalur më parë në Banjat e Bënjës dhe në Përmet, dy destinacione që asnjëra nga ne nuk i kish vizituar më parë. Ndonëse vendosëm të shkonim në Banjat e Bënjës gjatë orarit të drekës (duke menduar që ky orar nuk do kishte shumë vizitorë) u gabuam pasi të gjitha vaskat ishin plot, dhe me shumë vështirësi arritëm të gjenim edhe vend parkimi. Pasi GPS-i na nisi drejt një itinerari off-road drejt destinacionit tonë, dhe duke qenë se makinë jonë “qytetare” nuk e bëntë dot këtë rrugë, na u desh të kontaktonim miq nga Përmeti për t’u interesuar për rrugën e saktë drejt Banjave (faleminderit Dajana). Banorë vendas gjithashtu na orientuan drejt një rrugë mjaft të mirë, e cila të çon deri në destinacion. Në hyrje na u shpjegua edhe se për çfarë qëllimi ishin secila nga vaskat: lëkurë, stomak dhe reumatizmë. Më tej në mënyrë të pavarur kaluam pak kohë nëpër secilën nga këto vaska. Në kthim hëngrëm drekën në qendër të Përmetit dhe sigurisht nuk u larguam pa provuar ëmbëlsirat Përmetare, sidomos llokumet me arra dhe trëndafil.

Gjirokastra23 Gjirokastra24 Gjirokastra25 Gjirokastra26 Gjirokastra27 Gjirokastra28 Gjirokastra29 Gjirokastra30 Gjirokastra31 Gjirokastra32

Kështu pra lexues të dashur, vendi ynë ka plot destinacione që presin për t’u eksploruar. Ne e nisëm me Gjirokastrën dhe Përmetin, dhe sëshpejti do shtojmë destinacione të reja në listën tonë, në të cilat ju ftojmë të na ndiqni, për t’u inspiruar sado pak që dhe ju të niseni në aventurat tuaja. Për fat tashmë po organizohen mjaft evente nëpër të gjithë Shqipërinë, të cilat janë një ftesë e hapur për secilin nga ne. Jo më larg se 2-3 javë më parë u organizua në Gjirokastër Festivali i Qifqive dhe koncerti Jazz i bandës Zig Zag Orchestra. Me ose pa arsye, secili nga ne kurdo që të mundet ka nevojë për pak kohë të lirë dhe argëtuese, larg lodhjes së përditshmërisë, ndaj nisuni dhe ndani edhe ju me ne eksperiencat tuaja!

 

Fotografitë nga Kikiliciouss

About us

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit. Suspe ndisse suscipit sagittis leo sit met condimentum estibulum issim Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit.