Ushqim & Udhëtim

Ushqimi në Portugali

Food in Portugal COVER

Ushqimi në Portugali

Artikull nga Eranda

 

Marrëdhënia ime me ushqimin në Portugali ka qenë e tipit “dashuri dhe urrejte”. Në fillim ishte e vështirë të mësohesha me sasinë e vezëve, orizit dhe sheqerit që rëndom gjendën thuajse në çdo pjatë, por me kalimin e kohës m’u desh të vija paqe me to, dhe thjesht t’i pranoja… Në fakt, kjo nuk është tërësisht e vërtetë! U përpoqa pak më shumë dhe gjeta një balancë midis ushqimit të gatuar në shtëpi (recetat e mia, si dhe receta të reja Portguze që mësova), dhe gjetjes së vendeve më të mira për të ngrënë.

Disa nga ushqimet më të famshe të kuzhinës Portugeze janë Francesinha, Bacalhau, Chouriço, Sardelet, Bifana dhe Prego, Pão de Deus, Turrada dhe sigurisht ëmbëlsirat, nga të cilat e preferuara ime Pastel de Nata. Një tjetër arsye e rëndësishme që e bën Portugalinë vendin ideal për të shkuar, është sigurisht vera, sepse mundesh të gjesh jo vetëm një variete llojesh dhe shijesh, por dhe cilësi maksmale me një çmim mëse të arsyeshëm. Më poshtë do ju bëj një prezantim të shkurtër me secilin nga ushqimet që përmenda më sipër, si dhe do ju tregoj mbi disa nga vendet e mia të preferuara për të ngrënë. Përgatituni për një sasi të madhe kalorish!

 

FRANCESINHA është ajo që unë quaj “mbretëresha vrasëse”. Në thelb është një sanduiç i bërë nga 2 shtresa buke (zakonisht tramezzini), por dhe 3 shtresa nëse vërtetë doni të sfidoni oreksin dhe stomakun tuaj. Mbushja përbëhet nga biftek ose mish i pjekur, proshutë e njomë, salsiçe e freskët chipolata, salsiçe derri e tymosur (të cilën vendasit e quajnë “linguiça”), dhe sipër sanduiçi mbulohet nga një vezë e skuqur sy, mbuluar i tëri më pas me djathë të shkrirë dhe një salcë karakteristike që e bën të veçantë francesinha-n, e cila bëhet me domate dhe birrë. Salca bën diferencën mes një francesinha të mirë, dhe një francesinha fantastike. E gjitha kjo shoqërohet me një pjatë të madhe mbushur me patate të skuqura. Kjo miqtë e mi është arsyeja pse e quaj francesinha’s “mbretëresha vrasëse”. Frekuenca me të cilën e kam konsumuar këtë ushqim është 2 herë në 6 muaj, dhe ende nuk jam gati për një të tretë!

Sugjerime: Porosisni vetëm një gjysmë porcioni. Është e pamundur të mbarohet një e plotë.

Ku: Kam provuar francesinha në vende të ndryshme si në Porto, dhe në Braga dhe Guimarães. Edhe pse francesinha është një ushqim që origjinën e ka në Porto, francesinha-n më të mirë e kam provuar në Braga, pranë Taverna Belga. Siç ju thash, dallimin e bën salca, dhe salca në këtë vend është fantastike! Gjithashtu pranë Taverna Belga, do të gjeni një variete birrash, si lokale dhe belge, sepse një francesinha mundet ta shijoni siç duhet vetëm me një birrë të mirë të ftohtë, ose sangria të kuqë të ftohtë.

Food in Portugal 1

BACALHAU, që është merluc i tharë dhe i kriposur, ka qenë pjesë e kuzhinës Portugeze që në kohën kur Vikingët erdhën të tregëtonin kripë. Që atëherë Portugezët kanë peshkuar (dhe mbi-peshkuar) këtë lloj peshku që përbën një ushqim kombëtar dhe vende si Portugalia dhe kolonitë e saj si Angola, Brazili, Macau, Cape Verde dhe Goa përbëjnë konsumatorët më të mëdhenj në botë të merlucit. Gatimet Portugeze e ruajnë dhe respektojnë këtë traditë me qindra receta, ku ndër të tjera merluc i skuqur, i pjekur, ose në zgarë, si dhe i gatuar në formë gjelle, i shoqëruar me oriz, ose në formë keku. Në disa pjesë të Portugalisë bacalhau është gjithashtu një pjatë tradicionale, e cila gatuhet gjatë virgjiljes së Krishtlindjeve. Në tregjet e hapura dhe super-markete bacalhau zakonisht ekspozohet i stivosur në pirgje të mëdha, dhe mban shumë erë. Është pak e vështitë të mësohesh me erën e rëndë të tij, por ngadalë nis ose të dish se si ta shmangesh sektorin e peshkut, ose thjesht mësohesh me të dhe s’të bën më përshtypje. Sido që të jetë, do duash çdo gjë që gatuhet me të!

Sugjerime: I skuqur, i pjekur, në zgarë, ose i gatuar në forma të tjera, bacalhau ka një shije të mrekullueshme. Thjesht provojeni kurdo që t’ju jepet mundësia! Une adhuroj “pasteis de bacalhau”!

Ku: Bacalhau më i mirë që kam provuar ka qenë tek Bacalhau, Portuguese Wine and Food në Porto. Aty do të mund të gjeni një variete pjatash të gatuara me bacalhau, dhe verërash. Verërat e mia të preferuar për të shoqëruar gatimet me bacalhau janë ato që ata quajnë “Bacalhau Verde” dhe “Bacalhau Branco” (po, jemi duke folur për verërat momentalisht). Restoranti ndodhet pranë lumit Douro, ndaj përgatituni për një panoramë të mrekullueshme teksa shijoni ushqimin!

Food in Portugal 2 Food in Portugal 3 Food in Portugal 4

SANDUIÇËT PORTUGEZË – Janë tre lloje sanduiçësh tradicionalë në Portugali: bifana, prego dhe leitão, dhe nuk janë gjë tjetër veçse mish i pjekur ose biftek, që serviret brenda një panineje speciale, të kaluar mbi hudhër dhe/ ose erëza të tjera. Mishi zakonisht marinohet me mustardë ose salcë pikante. Diferenca mes 3 llojeve qëndron tek fakti që bifana bëhet me biftek të plotë derri; prego bëhet me një biftek më të hollë viçi; dhe leitão bëhet me copa mishi derri, zakonisht nga derra të rritur në zonën e Mealhada, që njihet për cilësinë maksimale të mishit. Në një artikull të mëparshëm ju tregova se si këto sanduiçë tradicionalë u shërbyen edhe gjatë festës Afonsina.

Sugjerime: cilindo nga sanduiçët që do të mund të zgjidhni, kërkoni t’jua shërbejnë me djath “Serra de Estreja”, që është një djath tipik tradicional, i bërë në rajonin e Serra de Estreja. Djathi bëhet me qumësht deleje dhe ka një teksturë të butë. Ka marë gjithashtu statusin PDO në Bashkimin Europian në vitin 1996. Mishi dhe djathi i shkrirë krijojnë një miks fantastik, duke ju lënë një shije të mrekullueshme pas çdo kafshate. Zakonisht më pëlqen ta shoqëroj sanduiçin më birrë të zezë.

Ku: Nëse ju ndodh të vini në Guimarães, MOS GUXONI të humbni mundësinë për të shkuar pranë “Danúbio Bar”. Do të gjeni një variete sanduiçësh të shoqëruar me patate (wedges) të marinuara dhe 3 lloje salcash (me bazë mustarde dhe curry, ketchup dhe majonezë dhe erëza). Gjithsesi, duke qenë se gatuarja e këtyre llojeve të sanduiçave është traditë, me duhet t’ju them, që kudo që të shkoni në Portugali, edhe ne barin më të vogël në mes të asgjëkundit, do të gjeni sanduiça perfektë. Këtë jua them nga eksperienca!

Food in Portugal 5

TURRADA – pjata më e thjeshtë e mundshme! Por gjithashtu dhe më e shijshmja! Turrada nuk është gjë tjetër veçse bukë e thekur me gjalp, e servirur ose vetëm, ose e shoqëruar me krem çokollate dhe reçelëra të ndryshëm frutash. Diferenca midis një turrade “OK”, dhe një turrade “fantastike” qëndron tek lloji i bukës dhe sigurisht gjalpit. Feta të trasha buke me arra, thekur me gjalp artizanal është kombinimi im i preferuar. Shija e fortë e gjalpit dhe arrat shkojnë mjaft mirë me njëra tjetrën. Yum!

Sugjerime: Do ju sugjeroj kafe me qumësht, të nxehtë ose të ftohtë, për të shoqëruar Turradën. Nesë do provoni ta bëni vetë në shtëpi, ju sugjeroj të lyeni zgarat e makinës thekëse me gjalt të shkrirë, dhe më pas të shtoni fetat e bukës. Do të merni kështu thekjen perfekte!

Ku: Turradat më të mira i kam ngrënë pranë Gosto Supremo, një linje vendase me produkte brumi, ëmbëlsira dhe kafe. Gjithsesi, Turrada është lehtësisht e bëshme edhe në kushte shtëpie. Thjesht mos harroni të zgjidhni bukën më të mirë dhe gjalpin më të shijshëm, dhe të prisni feta buke me trashësi relativisht më të madhe se zakonisht.

Food in Portugal 6

PASTEIS DE NATA – mbretëresha e të gjitha ëmbëlsirave! Pasteis de Nata është një ëmbëlsirë tradicionale Portugeze, me krem me vezë, qumësht dhe vanilje, shtruar mbi petë, dhe e shoqëruar me sheqer pluhur dhe kanellë. Ëmbëlsira u krijua për herë të parë në shek. e 18-të nga murgjit katolikë. Gjatë kësaj periudhe, manastiret dhe konventet përdornin sasi të mëdha të bardhash vezësh për të përgatitur rrobat e murgjve dhe murgeshave, kështu që për të vënë në përdorim pjesën e mbëtur të vezëve, të verdhat, murgjit nisën të gatuanin ëmbëlsira dhe gatime të tjera, duke krijuar kështu një traditë në të gjithë vendin. Për të gjithë miqtë e mi Shiqiptarë që ende nuk kanë pasur mundësinë të provojnë Natat, përbërësit për të gatuar këtë ëmbëlsirë janë të njëjtët që ne përdorim për “qumështorin”. Diferenca e vetme qëndron në mënyrën se si këto përbërës gatohen dhe se si ëmbëlsira serviret. Me raste, edhe shija mund të jeta e ngjashme. Ndoshta hera e parë që do të provoni Natat, nuk do t’ju bëjnë shumë përshtypje, por më besoni, sa më shumë të konsumoni, aq më shumë do t’ju pëlqejnë. I kam vënë Natat në krye të listës simë “Pse e dua Portugalinë”!

Sugjerime: Konsumoni sa më shumë të mundeni! Jetojmë vetëm një herë! Por hej, bëni ushtrime më pas! Natat kanë shumë kalori. Natat e mbushura me çokollatë janë gjithashtu të mrekullueshme. Një informacion shumë i rëndësishëm nëse jeni në Portugali, pas orës 9 të mbrëmjes të gjitha dyqanet i shesin Natat për gjysmën e çmimit, që do të thotë rreth 30-40 cent.

Ku: Kam provuar Nata në shumë vende, por për mua deri tani vendi me Natat perfekte është Cristo Rei, një linjë lokale pastiçerie dhe restoranti në Guimarães. Janë relativisht të mëdha, të buta, të freskëta, dhe më e rëndësishmja, pa yndyrë. Nuk duhet të humbisni Fábrica da Nata në Porto sigurisht, dhe Pastéis de Belém në Lisbon.

Food in Portugal 7 Food in Portugal 8

PORTO WINE ja ka dalë të rendit e dyta në listën time të arsyeve “Pse e dua Portugalinë”. Porto Wine është një verë e pasur dhe e ëmbël, e cila shërbehet kryesisht pas ushqimit, si shoqëruese e frutave dhe ëmbëlsirave. Ekzistojnë 4 tipe të kësaj vere: e Kuqe (Ruby), e Bardhë, Rosé, dhe e Kuqe e Vjetëruar (Vintage Tawny). Nëse nuk keni shijuar Porto Wine asnjëherë më parë, shija është e ngjashme me miksimin e shijes së verës së kuqe me fruta si mjedra dhe manaferra (më shumë tipi Ruby), dhe verës së kuqe me karamel, kanellë dhe çokollatë (më shumë tipi Vintage Tawny). Porto Wine është një miksim i tipeve të ndryshme të rrushërave vendas Portugezë, dhe diferenca me tipet e tjera të verërave qëndron në procesin e prodhimit, ku në rastin e Porto Wine procesi i fermentimit ndërpritet për të shtuar liker rrushi (i njohur si aguardente), i cili shton sheqerin në verë dhe thekson e shton më tej përmbajtjen e alkoolit deri në 19-20%. Më pas vera ruhet dhe vjetërohet në bote druri. Katër tipologjitë e Porto Wine dallojnë si më poshtë:

  • E Kuqe Porto (Ruby): në ngjyrë të thellë të kuqe, që përfshin verën e vjetëruar (Vintage), Late – Bottled Vintage (LBV), Crusted dhe Ruby Porto;
  • E Kuqe e Vjetëruar Porto (Tawny): verë e ëmbël dhe e vjetëruar me shijen e arrës dhe karamelit të oksiduar;
  • E Bardhë Porto: prodhuar nga rrush vendas i bardhë si Rabigato, Viosinho, Gouveio dhe Malvasia;
  • Rosé Porto: kjo tipologji përfaqëson një stil të ri të Porto Wine, e cila prodhohet si vera klasike Rosé, por me shijen e luleshtrydhes, violave dhe karamelit.

 

Porto Wine shërbehet në gota të prodhurata në mënyrë specifike, më të vogla se gotat e zakonshme të verës, me një kapacitet prej rreth 3 oz.

 

Sugjerime: Do ta shijoni plotësisht dhe ashtu siç duhet, nëse e shërbeni të ftohtë. Porto Wine (veçanërisht Ruby) shoqëruar me Pasteis de Nata, për mua është miksimi më i shijshëm që mund të ekzistojë, edhe pse është një “masakër” sheqeri dhe kalorish.

Ku: Mënyra ideale, nëse vendosni të shkoni në një nga turet e degustimit të Porto Wine në vreshtaritë ku prodhohet rrushi që përdoret për prodhimin e verës. Aty do t’ju shpjegojnë në mënyrë të detajuar çdo gjë në lidhje me procesin e prodhimit, përbërësit, ruatja, cilësitë etj. Gjithashtu do të keni mundësinë të shijoni pejzazhin e mrekullueshëm të vreshtarive Portugeze përgjatë lumit Douro, të cilat kanë famë botërore jo vetëm falë madhësisë dhe cilësisë së prodhimit, por edhe në sajë të teknologjive të aplikuara. Gjithsesi, nëse jeni përkohësisht në Portugali, ose kërkoni të merni maksimumin e eksperiencës pa u larguar shumë, mundet të ndiqni një nga turet e shumta që kompanitë e prodhimit të Porto Wine ofrojnë në Vila Nova de Gaia, pranë shpellave të ruajtjes së verës. Mundeni të prenotoni online, ose thjesht të paraqiteni pranë njërës prej tyre. Unë ndoqa turin e Sandeman, i cili përfshinte dhe degustimin e 3 llojeve të Porto Wine në fund të turit. Përpos këtyre dy mundësive, mund të blini Porto Wine në çdo super-market, ose dyqan verërash dhe pijesh, në një çmim relativisht të lirë që varion 6-12 euro. Në Tiranë deri tanimë kam arritur të gjej Porto Wne, tipi Vintage Tawny (e vjetëruar 10 vjet) pranë dyqanit të verërave Napoleon, tek sheshi Ëilson. Do vazhdoj kërkimin të gjej Ruby-n që është e preferuara ime!

Food in Portugal 9 Food in Portugal 10 Food in Portugal 11 Food in Portugal 12

BIRRAT – Portugalia ka dy marka vendase, Super Bock në Veri dhe Sagres në Jug. Themeluar në vitin 1927, Super Bock është një markë e birrarisë Unicer, e cila prodhon një variete birrash nën të njëjtin emër. E preferuara ime është Super Bock Stout dhe seria Cerveja Coruja e cila vjen me 3 shije të ndryshme. Sagres prodhohet nga birraria Central de Cerveja, e themeluar në vitin 1934 dhe që nga viti 2008 kontrollohet nga Heineken. Sagres Bohemia, një birrë me karakter intensiv, aromë frutash, shkumë kremoze dhe në ngjyrë të kuqërremtë është e preferuara ime nga Sagres.

Sugjerime: Tentoni të provoni linjat e veçanta nën “special editions”, sepse aty secila firmë mundohet të eksperimentojë dhe sjellë risi në shije.

Ku: Kudo!

Food in Portugal 13 Food in Portugal 14

Pas përmbledhjes që solla mbi ushqimet kryesore të kuzhinës Portugese, më poshtë do ju përshkruaj shkurtimisht disa nga vendet ku zakonisht më pëlqën të kaloj kohë nën shoqërinë e ushqimit sigurisht!

 

Cor de Tangerina: Guimarães

Cor de Tangerina është një restorant vegjetarian, i cili ndodhet në katin e dytë të një vile të vjetër mjaft interesante, në afërsi të Pallatit të Dukës në Guimarães. Vendndodhja është fantastike, dhe ka një kopsht e tarracë gjithashtu, shërbimi është i mrekullueshëm, me një dizajn me mjaft karakter, dhe keni mundësinë të zgjidhni çfarë dëshironi nga menuja e tyre, ose të provoni një menu ditore që përfshin një pjatë të parë dhe të dytë, ëmbëlsirë, pije sipas preferencës (ujë, lëngje, birrë, ose verë) dhe kafe në fund. E gjitha kjo për vetëm 8.6 euro. Ushqimi është fantastik dhe mënyra e prezantimit gjithashtu është mjaft interesante.

Food in Portugal 15 Food in Portugal 16 Food in Portugal 17 Food in Portugal 18 Food in Portugal 19 Food in Portugal 20

Café Progresso: Porto

Café Progresso është vendi im i preferuar për të bërë brunch në Porto! Hapur që në vitin 1899 ai ofron një variete kafesh dhe llojesh të ndryshme ushqimesh të shëndetshme. “Vezët benedict me salmon” dhe “petullat me fruta” janë të preferuarat e mia, shoqëruar me “lëng shalqiri dhe mente”. Stafi është shumë i dashur, dhe mund të gjeni një vend përfekt për të ulur, qoftë vetëm për të ngrënë, por edhe për të punuar.

Food in Portugal 21 Food in Portugal 22 Food in Portugal 23 Food in Portugal 24

Fábrica da Nata: Porto

Kudo që mund të gjej Natas është vendi im i preferuar! Por magjia e Fabrikës së Natave në Porto qëndron tek fakti që vetë dyqani është një lloj fabrike e vërtetë, e cila ju mundëson të shihni të tërë procein e përgatitjes, pjekjes dhe shërbimit të Natave. Me murale blu dhe të bardhë dhe me erën fantastike të Natave të freskëta, ky vend është një eksperiencë unike!

 

Dan’s Finger Food and Drinks: Guimarães

Këtu kam ngrënë burgerat më të mirë! Do të gjeni një variete ushqimesh të tipit “finger food”, si dhe një larmishmëri burgerash. Gjithashtu pranë “Dan’s Finger Food and Drinks” shërbehen dhe kana prej 1 dhe 2 litrash mojito të llojeve të ndryshme. Zakonisht vendi është gjithnjë plot, ndaj do t’ju duhet të prisni për të zënë një vend. Nuk mund të bëni prenotim në telefon, thjesht do duhet të paraqiteni pranë tyre dhe të lini emrin, dhe më pas ata do t’ju thërrasin. Është një vend ku ndoshta do të duhet ta paguani pak më shumë se vendet e tjera, por besomëni ja vlen!

Food in Portugal 25

Fotografitë nga Eranda Janku

About us

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit. Suspe ndisse suscipit sagittis leo sit met condimentum estibulum issim Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit.