Fulia – Ëmbëlsirë Tradicionale Elbasanase

09/09/2015

Jam shumë e gëzuar të ndaj me ju një recetë shumë të veçantë dhe tradicionale të vendit tim. Fulia është një ëmbëlsirë tradicionale dhe e njohur vetëm në qyetin ku unë kam lindur, në Elbasan.
Ajo çka e bën këtë ëmbëlsirë kaq të veçantë është historia që ajo mbart.
“Shume kohë më parë, kjo ëmbëlsirë gatuhej me rastin e lindjes së një fëmije, në momentin kur kësaj foshnjeje do t’i vihej emri. Këtë ëmbëlsirë e gatuante nëna e djalit. Ajo gatuante dy racione të mëdha (varej se sa i madh ishte fisi i secilës familje); një për shtëpinë e saj dhe një rracion të madh prej 5-10 kile ajo ia conte krushkës së vet. Kjo e fundit ia shpërndante fisit duke i dhënë secilit pjesëtar nga një copë me vete. Ndërkohë nëna e djalit kryente një ritual më të veçantë. Në momentin kur fëmijës do t’i vendosej emri; në një pjatë të sheshtë, shkërmoqej fuli (një sasi jo shumë e madhe, varej nga sa persona ishin në dhomë) në formë mali dhe ngulej një lugë në mes të këtij “mali” e cila do të qëndronte drejt. Një ritual ky që nënkuptonte dëshirën për ngritjen e shpejtë të fëmijës në këmbë. Pas vendosjes së emrit të gjithë pjesëtarët që merrnin pjesë në këtë “ritual” hanin nga një lugë fuli në pjatën e lartpërmendur. Më pas ashtu si nëna e vajzës dhe nëna e djalit u jepte të gjithë pjesëtarëve të fisit të vet një copë fuli për me vete.”
Këtë recetë e kam mësuar qysh fëmijë, falë një njeriu shumë të dashur për mua. Padiskutim që për të dokumentuar këtë ëmbëlsirë shkova në vendlindjen time, në shtëpinë e nënë Fiqeretes dhe së bashku me të e gatuam Fulinë për ju sot !

  • Ju sugjeroj të perdorni tepsi bakri nëse ju gjendet në shtëpi

01 Fulia 02 Fulia Perberesit Fulia

Proçedura :

 

Ndizni furrën në temperaturën 180° C
Si të përgatisim shërbetin : në një tenxhere vendosim ujin, sheqerin dhe kripën. E gatuajmë në valë normale derisa sheqeri të jetë tretur dhe masa të kalojë në vlim. Duhet ta përziejmë me një lugë herë pas here. Në momentin që shërbeti kalon në vlim, fikim zjarrin dhe duhet ta lëmë mënjanë derisa shërbeti të jetë i vakët
Në një tas të madh vendosim të dy llojet e miellit dhe i përziejmë së bashku
Shtojmë shërbetin e vakët dhe e përziejmë mirë masën me një lugë druri
Më pas kalojmë në përzierjen e masës me dorë, duke u siguruar që mielli ta ketë thithur të tërë shërbetin
Masa përfundimtare e këtij hapi duhet të jetë e thatë dhe e kokërzuar (kujdesuni që këto kokrrizat të mos jenë të mëdha)
Shtoni vajin e ullirit në dy pjesë dhe vazhdoni përzieni me lugën e drurit
Sigurohuni që e gjithë masa të jetë përzier me vajin e ullirit
Eshtë shume e rendesishme qe gjate kohes qe e perzieni brumin te mos i ushtroni force (ta shtypni)
Perdorni nje tepsi me diameter 20 cm
Është e rëndësishme që ëmbëlsira të jetë e trashë, kështu që një tepsi me diametër të vogël për masën është shumë mirë
Duhet të përdorni dorën për të vendosur brumin në tepsi, mbushni dorën me brum dhe vendoseni në tepsi, por mos i ushtroni forcë gjatë kohës që e bëni këtë
Mundohuni ta barazoni brumin në tepsi
Hap i rëndësishëm : përdorni mollëzat e gishtave për të krijuar një pamje të kokërrzuar
Bëjeni këtë në mënyrë delikate dhe të butë, gjithashtu sigurohuni ta hapni masën në mënyrë të barabartë (nëse nuk e e keni bërë këtë në hapin e mëparshëm)
Përdorni bishtin e lugës suaj së drurit për të “prerë” brumin në rombe të mëdhenj
Teksa ëmbëlsira piqet këto shenja do të mbyllen disi, por në fund mund të arrihen të shihen
Piqeni fulinë për rreth 1 orë
*Janë shumë faktorë të cilët ndikojnë në kohezgjatjen e pjekjes. Ndonjëherë duhen 35-40 minuta, ndonjëherë duhet një orë e plotë.
Kur të dalloni që ëmbëlsira ka marrë një ngjyrë kafe të lehtë në anë dhe të artë në mes, gjithashtu të jetë thithur e gjithë sasia e vajit të ullirit; atëherë ajo ka mbaruar së pjekuri. Nëse ëmbëlsirës i është dashur një orë e plotë për t’ju pjekur atëherë fikni furrën dhe lëreni të kullojë brenda për 2-3 minuta. Nëse i është dashur 35-40 minuta atëherë lëreni brenda për 15 minuta.
Më pas hiqeni nga furra
Lëreni ëmbëlsiren të ftohet plotësisht
Mund të marrë nga 1 deri në 4 orë
Është e rëndësishme që ëmbëlsira të jetë e ftohtë para se ta ri-prisni me thikë dhe të nxirrni llokmat jashtë tepsisë
Mos përdorni metoda të ndryshme ftohjeje si ta vendosni në ujë të ftohtë apo në frigorifer. Lëreni në temperaturë dhome derisa ky hap të ketë mbaruar

Procedura 1 Procedura 2 Procedura 3 Procedura 4 Procedura 5 Procedura 6 Procedura 7 Procedura 8 Procedura 9 Procedura 10 Procedura 11

 

Fotografitë nga unë