Ekspozita e MAD : Danish Jukniu

21/11/2014

Dje në mbrëmje pranë Galerisë “MAD Center”  të Universitetit Polis ku unë studioj, u hap një ekspozitë e veçantë e një prej piktorëve më të veçantë të artit shqiptar: Danish Jukniu. Unë e kisha dëgjuar si emër por për fat të keq dija shumë pak për të dhe vlerat e tij.

Ekspozita solli mbi 60 punë të tij, pjesë e një koleksioni të arkitektit Maksi Mitrojorgji. Bocete që tregojnë proçesin e tij krijues, fazat dhe skicat nëpër të cilën kalon një vepër para finalizimit të saj. Kjo ekspozitë është pjesë e serisë së ekspozitave që Universiteti Polis hapi me emrat më të shquar të artit shqiptar, si dhe me koleksionistët të cilët posedojnë një sasi veprash arti edhe më të mëdha se Galeria Kombetare e Artit. Falë punës së palodhur të pedagogut dhe kritikut Gëzim Qëndro këto thesare po shpalosen për publikun artdashës në Tiranë e Shqipëri.

Danish Jukniu është një nga piktorët më të mirë të pikturës moderne në Shqipëri. Lindi në Shkodër të Shqipërisë, dhe studioi që në fëmijëri me studiuesen e ikonografisë shqiptare, skulptoren dhe piktoren ruse Viktori Puzanova. Më tej përfundoi liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, dhe pas kësaj iu dha e drejta e ndjekjes së studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura në Krakov të Polonisë, ku përfundoi studimet në atelienë e performancave tekstile me prof. Fancissek Welerowfski-it. Në vitin 1959 ai u kthye në Shqipëri dhe filloi punë si piktor dizajner në Kombinatin e tekstileve në Tiranë dhe pak më vonë pedagog i ateljesë së tekstilit në Institutin e Lartë të Arteve.

Dua të ndaj me ju disa ndjesi që mora ditën e hapjes së ekspozitës së vecantë. Keshtu Edi Hila, një nga piktorët më të mirë Shqiptar, tani profesori im i pikturës; por në rininë e tij një nga ish nxënësit e parë të Jukniut, dhe më vonë koleg dëshmoi me shumë emocion sesi në kushtet e diktaturës Danishi bëri ndryshimin në Akademinë e Arteve të Tiranës, që dominohej nga arti i kontrolluar ideologjikisht. Ishin prekëse momentet kur Edi Hila dëshmoi se si Danishi hapte dritaret e klasave të vizatimit, për të sjellë në auditore dritën natyrale dhe realitetin e jetës, në vend të “vizatimit të qetë” në mjedise të mbyllura me perde errësimi dhe projektorë me ndriçues artificial. Pas kësaj, u vijua me prezantimin e modeleve nudo, që ishte gati një herezi për kohën. Dhe më pas në vend të sfondeve gri të mërzitshme të komunizmit, ai preferoi të vendoste tekstile me ngjyra dhe lule të inspiruara nga arti i shkollës dhe lëvizjes artistike “Bauhaus” në Gjermani…

Për shkak të artit të tij modernist e plot ngjyra, si dhe faktit që ishte martuar me një mjeke polake, Danuta, një njeri i mrekullueshëm dhe një dashuri e madhe e tij, u pa shtrembër nga regjimit komunist. Por meritat e tij nuk mund të mohoeshin . Si specialist i artit të aplikuar ai ka krijuar prodhime arti të mrekullueshme edhe në gjininë e sixhades. Për realizimin e tyre ai skicoi qindra projekte të kërkuara nga autoritetet e kohës. I nderuar me titullin “Piktor i Popullit”, Jukniu ka realizuar edhe shumë vepra të tjera artistike, mes të cilave ka mjaft të fshehta e të panjohura deri në vitin 1990; ishin veprat me karakter intim.

Ai ka marrë pjesë aktive në ekspozitat kombëtare e lokale të arteve figurative ku shquhen peisazhet, portretet e kompozimet e realizuara artistikisht, përfshi vepra si “Elektrifikimi”, portreti i J. Kerajt etj. Ai eshte nderuar me titujt: “Piktor i Merituar“ dhe “Piktor i Popullit”. Veçori e krijimeve artistike të Jukniut është eleganca dhe kultura e të pikturuarit, niveli i lartë cilësor. Ai nuk ka patur numër të madh krijimesh, por sigurisht ka patur nivel të lartë artistik. Danish Jukniu ka dhënë një kontribut të madh në përgatitjen e brezave të piktorëve ku ishte shquar për aftësitë e tij pedagogjike për mendimin estetik të përparuar dhe për ndihmesën e pakursyer që u jeptë të rinjve. Jukniu vdiq në Shkodër ne 2003.

1 4 7 5 6 2

 * * * * * 

4 nga pikturat e tij të përfunduara :

1- Barinjtë në Bjeshkë

2- Piktura Për Marubët

3- Studentet

4- Drejt Rrugës së Dritës

1 3 2 Jukniu-2

 

Fotografite nga Eranda Janku