Ditar Uncategorized @sq

Bëje Vetë – Një Kavanoz Krishtlindjesh

23

Bëje Vetë – Një Kavanoz Krishtlindjesh

Nuk mund të rezistoja pa ja “vjedhur” Kikit këtë post, duke qenë se më ka marë shumë malli të shkruaj. Po bëhen gati 2 vjet qëkur vendosa të mbyll blogun tim personal “Doll House Scrapbook”. Ishte e vështirë për mua të “hidhja poshtë” 5 vite të jetës sime, por teksa rritesh jeta të vë përpara detyrime të reja, të cilat në shumicën e rasteve (ashtu si në rastin tim) bëhen prioritetet e tua; ndaj për të ruajtur një balancë me veten, të duhet të bësh zgjedhje.

Por do mundohem të shoh anën pozitive të së gjithës, duke qenë se gjatë kësaj periudhe sëbashku me vajzat vendosëm të ndërmerrnim një hap të madh e të sillnim për ju Kikiliciouss. Blogu i ri na ka rritur kaq shumë, dhe kemi zbuluar aq shumë për çdo gjë që ne bëjmë, në mënrë që të sjellim gjëra të reja për ju në çdo javë. Personalisht, kam zbuluar se të dizenjuarit dhe fotografuarit e ushqimit dhe objekteve në jetën e përditshme jo vetëm është mjaft argëtuese dhe frymësuese, por mbi të gjitha të edukon estetikisht.

Duke qenë se jemi pranë Krishtlindjeve, duam që t’ju japim ju mundësinë të krijoni zbukurimet tuaja personale për festat, duke mbledhur bashkë pak kreativitet dhe dashuri. Kreativitet, sepse do të krijojmë diçka të veçantë vetëm për ne, dhe dashuri sepse gjërat e bukura nuk mund të bëhen pa të.

Projeket DIY (do it yourself- bëji vetë) përbënin një pjesë të rëndësishme të blogut tim, ndaj do mundohem t’i sjell edhe këtu, sa më shpesh të mundem. Projekti i parë që do të ndaj me ju është “kavanozi i Krishtlindjeve”. Për të gjithë ju që nuk keni vend mjaftueshëm për një pemë Krishtlindjesh të vërtetë, apo për të gjithë ju që doni pak atmosferë festash kudo, qoftë në dhomën e ndenjes, qoftë në dhomën e gjumit, apo edhe në zyrën tuaj, ja se si mund të krijoni dekorimin tuaj personal / ose me fjalë të tjera, pemën tuaj alternative të Krishtlindjeve”.

 

Gjithë çfarë ju duhet janë:

  • Një kavanoz prej xhami transparent (mund të jetë i çdo madhësie, ose forme);
  • Drita Krishtlindjesh (mund të jenë të çdo ngjyre, por mos harroni që të jenë me bateri, jo me korent);
  • Boçe pishe (do të përdorim boçe pishe për këtë version, por mund të përdorni çdo lloj zbukurimi që ju pëlqen / lodrat e Krishtindjeve prej druri, do të ishin një zgjedhje fantastike gjithashtu);
  • Zbukurime të tjera Krishtlindjesh (do të përdorim një ëngjëll të kuq prej qiramike dhe një kallam sheqeri me viza të bardha e të kuqe, për të krijuar kontrast me boçet e pishës në ngjyrë kafe; por mund të përdorni zbukurime të tjera sipas dëshirës, për aq kohë sa krijoni kontrast midis tyre);
  • Copa pambuku të bardhë (për të krijuar idenë e flokëve të dëborës).

Si t’i vendosni bashkë gjërat?

Nisni me vendosjen e dritave në fundin e kavanozit. Më pas shtoni boçet e pishës dhe copat e pambukut, duke i miksuar me dritat, deri sa të arrini në pjesën e sipërme të kavanozit. Mos harroni ta lini butonin ndezës të dritave në pjesën e sipërme, që të mund t’i ndizni dhe fikni lehtësisht. Miksoni pjesën tjetër të zbukutimeve (në rastin tonë ëngjëllin dhe kallamin e sheqerit) me boçet e pishës, duke i vendosur ato në vende të dukshme.

Dhe VOILA ! Sapo krijuam një zbukutim Krishtindjesh tërësisht origjinal ! Mund ta vendosni zbukurimin tuaj kudo. Ne e vendosëm tonin mbi tavolinën e punës në zyrën Kikiliciouss, dhe na pëlqen jashtëzakonisht shumë, sepse ndriçon gjatë natës dhe është mjaft i shnditshëm gjatë ditës.

 

Pra jeni gati për aventurën tuaj? Përgatisni zbukurimin tuaj personal dhe na dërgoni një fotografi. Ne do t’i postojmë të tëra fotot e grumbulluara në ditën e Krishtindjeve.

Shijojeni projetin DIY dhe deri në postimin tjetër, shumë dashuri nga unë!

 Eranda

3 2 1

 

Fotografitë nga Eranda Janku

About us

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit. Suspe ndisse suscipit sagittis leo sit met condimentum estibulum issim Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit.