Arsyet Për Të Hapur Një Blog

29/06/2014

Ishte motra ime e madhe Eranda, ajo që me shtyu të hapja blogun tim para 4 vjetësh. Gjatë kësaj kohe ajo kishte blogun e saj mbi modën dhe sitilin e të jetuarit, ndaj më sugjeroi të bëja të njëjtën gjë për ta mbajtur veten të zënë gjatë ditëve të nxehta të verës. U josha nga kjo ide dhe shumë shpejt e gjeta veten me një dritare virtuale personale, të quajtur “Kiki’s Book of Dreams”.

Në fillim isha shumë entuziaste, aq sa mbaj mend të harxhoja ditë dhe netë të tëra duke shkruar dhe përgatitur poste mbi veten dhe hobit e mia. Sigurisht ishte gjithashtu e vështirë, pasi thuajse askush nuk I kushtonte vëmendje punës sime në ditët e para. Por si çdo gjë e re që kërkon kohën e vet, edhe blogu im pak e nga pak nisi të bëhej popullor dhe të vizitohej nga shumë veta. Në këtë mënyrë unë krijova komuntetin tim online, me një shoqëri të gjerë dhe me shume blogje të preferuara për të vizituar.

Blogimi me të vërtetë më ndryshoi jetën prej adoleshenteje. Më hapi shumë horizonte të reja dhe më bëri të mësoj shumë për gjëra të ndryshme në jetë dhe mbi të gjitha për veten time. Më bëri një person më të mirë, duke qenë se më njohu me shumë veta nga vende të ndryshme të botës. Nisa të ndaja me to mendime mbi çështje të ndryshme me mjaft rëndësi, më bëri më të lumtur, mëndje-hapur dhe madje më bëri më të përgjegjshme.

Blogimi më ndihmoi të rritem dhe jam e sigurtë që do të funksionojë edhe për ju, pavarësisht moshës, vendit ku jetoni, apo interesit tuaj. Gjithçka që ju duhet është pak dëshirë dhe pak kurajo. Vazhdoj të them “pak”, sepse aq nevojitet. Më pas çdo gjë do të ndodhë vet-vetiu dhe pa e kuptuar, ju do të jeni pafundësisht të dhënë pas asaj që ju vetë do të krijoni.

IMG_8010

Kështu lexues të dashur, ja tek është “doza ime” e inspirimit dhe inkurajimit për ju. Ja tek janë 5 arsyet kryesore, pse ju duhet të hapni një blog tuajin:

1-   Jeni të lirë të shkruani për çdo gjë që ju pëlqen.

Gjëja më e mirë e blogimit është se ju jep lirinë të bëni ç’të doni dhe të mos gjykoheni për të (pa përmendur që hapja e një blogu është falas, falë platformave si “blogger”). Rregulli është që nuk ka rregulla! Mund të hapni një blog rreth një hobi që ju keni, ose të përfshini në të të gjitha pasionet tuaja, ashtu siç bëra unë. Mund të hapni një blog personal, ku ato që ju shkruani lexohen vetëm nga ndjekësit tuaj, osë një blog publik, ku kushdo mund të lexojë e komentojë. Jeni të lirë të zgjidhni mënyrën e të shkruarit, apo edhe rregullin e të postuarit. Pra në pak fjalë, ju jeni dizenjuesi dhe autori i punës suaj.

2-   Mund të njihni njerëz të rinj dhe të bëni miq nga e gjithë bota.

Do të surprizoheni se sa shpejt ndodh çdo gjë ! Një ditë mund të mërziteni pasi askush nuk i ka kushtuar vëmendje punës suaj, dhe ditën tjetër do të entuziasmoheni nga numri i madh i persona që do të jenë aty për ju dhe punën tuaj. Gjëja më e mirë e blogimit është që ju jeni të lirë të lexoni dhe vizitoni blogjet e gjithkujt dhe të ndani mendimin tuaj mbi tematika të ndryshme. Komuniteti i blogjeve është shumë miqësor, inkurajues dhe tejet i hapur për t’ju ndihmuar t’ja dilni mbanë- e vetmja gjë që mungon, jeni ju… Ndaj c’prisni?

3- Do të bëheni më të përgjegjshëm dhe do të fitoni eksperiencë për të ditur, se si është të punosh.

Është surprizuese, se si të bloguarit mund t’ju bëjë më të përgjegjshëm dhe t’ju shtyjë të punoni më fort. Kjo, sepse kur lexuesit tuaj presin që ju të postoni dhe varen prej jush, ju nuk do te doni t’i lini ata në baltë. Do të bëheni më të përgjegjshëm për të postuar rregullisht dhe do të harxhoni më shumë energji në këtë aktivitet. Është thjesht e mrekullueshme se si këto ndryshime do t’ju bëjnë më mendje-hapur dhe më shumë kreativë.

4- Do të bëheni një mendimtar dhe shkrimtar më i mirë.

Të shkruarit është një formë komunikimi dhe ashtu si çdo formë tjetër komunikimi, përmirësohet me praktikë. Të bloguarit nuk do t’ju shtyjë me forcë të bëheni një shkrimtar më i mirë, thjeshtë do të ndodhë ndërsa ju e praktikoni, dhe të bërit një shkrimtar i mirë ka përfitime që zgjasin një përjetësi. Duke qenë se proçesi i të shkruarit konsiston në të hedhurin e mendimeve në letër (ose regjistrimin e tyre diku), ju do të shtyheni të ndaleni për një çast dhe të mendoni më thellë.

5- Ju do të inspironi lexuesit tuaj dhe e kundërta.

Të bloguarit nuk do të ndryshojë vetëm jetën tuaj, por gjithashtu atë të lexuesve tuaj. Tek e fundit blogimi është një marrëdhënie jep-e-mer. Gjëja e mirë e gjithë kësaj, dhe diferenca mes blogimit dhe publikimit tradicional, është mundësia e lexuesve për të ofruar input. Ju do të keni mundësinë të hidhni një temë të caktuar për diskutim, e më pas janë lexuesit ata që do të reagojnë. Shpesh ndodh që ata të na vënë në sfidë e të na bëjnë të ndryshojmë ide, duke e parë situatën me një këndvështrim të ri. Ju inspironi ata dhe e kundërta. Ku ka më mirë !

6- Ju mund të fitoni para dhe ta ktheni blogun tuaj në biznes.

Nuk na duhen para për të shijuar blogimin. Në fakt, ky aspekt mund të jetë një shpërqëndrim për arsyet tuaja fillestare. Nuk ka rëndësi nëse ju fitoni 10$ apo 10.000$ në vit, në bazë të trafikut që krijon blogu juaj. Në fund të fundit, mjafton ideja që ju keni një hobi, i cili është sado pak fitimprurës, dhe paguan mundin tuaj.

7- Blogu mund t’ju bëjë të famshëm.

Kjo mund të kthehet në një boomerang, ndaj nuk jua sugjeroj absolutisht të hapni një blog me qëllimin e vetëm për t’u bërë të famshëm. Nëse do të bëni këtë, ju siguroj mundësitë janë 50-50 që ju të dështoni. Bëni atë që ju pëlqen, pa e forcuar veten tuaj përtej limiteve. Bëni atë që doni dhe popullariteti do të vijë vetë. Por në çdo rast, nëse doni të ngrini zërin dhe të dëgjoheni për atë që ju bëni dhe besoni, të bluguarit është zgjidhja më e mirë. Blogimi do t’i japë zë mendimeve dhe dëshirave tuaja.

IMG_8054

 Fotografite nga Eranda Janku

Tags: ,