Kjo ëmbëlsirë krokante me mollë është një nga recetat e mia më të hershme, dhe teksa po e përgatisja një të djelë u kujtova që nuk e kisha bërë ende pjesë të recetave këtu në Kikiliciouss.
Më pëlqen jo vetëm për teksturën e mrekullueshme që ka: krokante sipër dhe e butë brenda, por gjithashtu për lehtësinë e gatimit. Nëse keni miq apo familjarë që do t’ju vijnë për vizitë, apo qoftë dhe kur jeni vetëm e nuk doni të gatuani receta me brumëra që ju marrin shumë kohë; kjo ëmbëlsira krokante me mollë është e duhur!
- Mund të përdorni mollë jeshile ose të kuqe, kjo është në dorën tuaj.
- Po ashtu dhe sasia e sheqerit, në rast të mollëve të kuqe që janë më të ëmbla përdorni më pak.
- Mund ti prini në copëza të mëdha ose të vogla, kjo varet sipas preferencës. Por sido që të jetë do ndikojë në minutazhin e pjekjes dhe në produktin final.
- *Personalisht preferoj ti pres mollët në copëza mesatare, ashtu sikurse do veproja për një sallatë frutash.
- Mund të përdorni fruta të tjera të thata nëse nuk dëshironi bajamet (dhe pse ato shkojnë më së miri me mollët).
- Nëse jeni duke përdorur bajame mund ti lini ato të plota, ose ti prini në dysh.
- Shoqërohet më së miri me akullore vanilje.
Proçedura:
Ndizni furrën në temperaturë 180°C.
Në një tas të madh vendosni së bashku të gjithë përbërësit e mbushjes dhe përzieni me një lugë, në mënyrë që mollët të vishen me masën.
Lini mënjanë dhe përgatisni masën e shtresës së sipërme.
Në të njëjtën mënyrë si me mbushjen veproni dhe me shtresën e sipërme.
Punoni me duar gjalpin deri sa të keni masën përfundimtare gati.
Këtë ëmbëlsirë mund ta piqni ku të dëshironi, dhe pse ju rekomandoj tavat e qelqit, pasi në këtë mënyrë shikoni dhe mollët teksa piqen.
Vendosni mollët në tavën ose tavat tuaja dhe më pas me një lugë shtroni masën e thatë.
Sigurohuni që mollët të jenë mbuluar totalisht nga brumi i shtresës së sipërme.
Piqeni ëmbëlsirën deri sa shtresa e sipërme të ketë marrë një ngjyrë kafe të artë dhe mollët të jenë zbutur.
Shërbejeni të ngrohtë ose vakët.
Fotografitë nga Eranda Janku












