Nuk mund ta imagjinoj dot këtë periudhe të vitit pa kompostot e dashura të mamit. Ftoi është shija ime e preferuar, ndoshta ngaqë që në moshë të vogel e kemi ngrënë me shumë dëshirë dhe kemi gatuar plot receta me të.
Kompostot në vetvete janë pije shumë të thjeshta, të shpejta dhe një mënyrë e mirë si të alternoni ngrënien e frutave të ndryshme. Pjesa argëtuese qëndron në faktin se kompostos i pihet lëngu dhe i hahen copat e frutave.
- Nëse doni që pija juaj të mos jetë e ëmbël, ndjehuni të lirë të mos shtoni sheqer. Masa e shënuar pak më poshtë, është për ftonj mesatarisht të ëmbël.
- Nëse dëshironi mund të shtoni mjalt në vend të sheqerit, por nëse veproni kështu shtojani në momentin që keni fikur zjarrin.

Proçedura:
Lani ftoin, dhe pastroni pjesën e brendshme të tij.
Nëse ftoi e ka lëkurën e pastër, atëherë nuk keni pse ta qëroni.
Priti ftoin në shirita e më pas në kubikë të madhësisë së dëshiruar.
Vendosni ujin, ftonjtë dhe sheqerin në një tenxhere mesatare.
Ziejeni masën në zjarr normal.
Provoni me një pirun fortësine e ftoit, nëse piruni ngulet normal (por jo shumë kollaj), atëherë fikni zjarrin.
*Ftoi duhet të jetë i butë, por jo i tejzier.
Hedhim limontosin dhe e lëmë të ftohet ose e servirim menjëherë.

Fotografitë nga Eranda Janku

