Brownie në versionin Fudge me Çokollatë Wedel me Mbushje Qershie
November 2, 2016 2016-11-02 0:00Brownie në versionin Fudge me Çokollatë Wedel me Mbushje Qershie
Jam tejet entuziaste të hap një muaj kaq të bukur sa Nëntori me një recetë kaq të shijshme dhe të veçantë. Nëse nuk e keni lexuar ende artikullin mbi dhuratën e bukur që më bëri Wedel Albania klikoni KËTU dhe lexojeni. Ashtu sikurse un përmenda në ate artikull, ja ku jam me recetën e parë me produktet Wedel. Më erdhi menjëherë dhe shumë natyrshëm idea e kësaj recete. Mora shtysë nga një tjetër kujtim i ëmbël i fëmijërisë. Një nga të ëmblat e mia të preferuara kanë qenë disa bon-bone me çokollatë të cilat ishin të mbushura me liker qershie. Më pëlqenin shumë, aq shumë saqë mami e vendoste qesen e tyre në një raft sipër që unë të mos e arrija dot, pasi sapo të më binin në dorë do ti mbaroja të gjitha. Nuk dua të futem në detaje sepse një kombinim i tillë është ideal dhe e kam përshkruar në artikullin e mëparshëm… Pra isha e qartë, doja të integroja këto dy shije së bashku. Prandaj mendova të bëja një brownie ku çdo kafshatë të kishte copëza të vogla ‘qershie’.
Kjo ëmbëlsire është e rëndë, më duhet tjua paraprij. Nuk është një ëmbëlsirë të cilën e konsumon për mëngjes apo vakte të shpejta. Kërkon ta shijosh me qetësi, shoqëruar me verë të bardhë (idealja). Për më tepër që tani që koha është ftohur është e justifikueshme një ëmbëlsirë e tillë një herë në disa kohë.
- Tekstura : Kur vjen puna tek një ëmbëlsirë si Brownie unë gjithmonë shkoj me llojin Fudge të tij. Kjo ëmbëlsirë gjendet në formën “fudge” dhe “kek”. Ndryshimi mes tyre qëndron tek raporti i përbërësve dhe tekstura pas pjekjes. Brownie në versionin “fudge” ka më shumë çokollatë dhe gjalp por më pak miell, ndërkohë që në versionin kek ndodh e kundërta. Fudge Brownie është më i errët dhe i ngjeshur në pamje, gjithashtu më i ngjitshëm dhe i lagësht në shijim. Ndërkohë që Brownie në versionin kek është më i fryrë dhe vetë fjala Kek e përshkruan atë.
- Sot unë po ju tregoj versionin Fudge meqë ai është dhe i preferuari im. Por dua t’ju mësoj këtu se sa e rëndësishme është minutazhi i pjekjes në një gatim si ky i sotmi. Rëndesi nuk ka vetëm raporti i 3 përbërësve të lartpërmendur, por dhe për sa kohë ju e piqni. Mund të përfundoni pra me versionin kek të browniet nëse e lini pak minuta më shumë se ç’duhet në furrë. Këtë do t’jua tregoj dhe me foto më poshtë. Një nga Browniet e poqa një natë më parë dhe e lash 32 minuta (e harrova më sakt), ndërkohë që brownie-n e nesërm e lash fiks 27 minuta. Versioni i parë doli kek ndërsa i dyti fudge. Kështu që vini një alarm në celular sapo ta fusni brumin në furrë dhe kur alarmi të bie lini çdo gjë dhe hiqeni menjëherë brownie-n nga furra.
- Është e rëndesishme që çokollata Wedel me mbushje qershie të prihet në copëza të vogla në mënyrë që shija të përhapet në cdo kafshatë. Nëse copat do jenë të mëdha brownie do bëhet shumë i rëndë aty ku do të ketë çokollatë me qershi.
- Dhe jo, në këtë recetë nuk mund ta zëvendësoni çokollatën Wedel me çokollata të tjera. Është një përbërës i pazëvendësueshëm.
Proçedura :
Ndizni furrën në temperaturë 180°C
Shtroni letër furre në një tepsi katrore 25cm
Vendosni çokollatën e zezë dhe gjalpin në një tas që duron nxehtësi dhe shkrini përbërësit në banjo-mari ose në mikrovalë (kujdesuni që cokollata të mos digjet)
Hiqeni nga nxehtësia dhe lëreni mënjanë
Në një tas të madh rrihni së bashku vezët, sheqerin dhe kripën
Shtoni çokollatën e shkrirë dhe më pas sitni miellin dhe kakaon
Përzieni deri sa përbërësit të jenë bashkuar me njëri-tjetrin, mos përzieni më shumë se ç’duhet
Derdheni gjysmën e masës në tepsi
Merrni një thikë të mprehtë dhe prini në copa shumë të vogla çokollatën e zezë Wedel me mbushje qershie
Vendosini këto copëza sipër brumit dhe më pas derdhni pjesën e mbetur të brumit
Piqeni për 27 minuta për të arritur formën “fudge” të brownie-t dhe 32 minuta për një brownie në formë keku
Lëreni të ftohet plotësisht para se ta prisni dhe servirni
Fotografitë nga Eranda Janku