Kjo recetë e thjeshtë por tejet e shijshme u kthye menjëherë në të preferuarën e familjes sime. Ashtu siç unë e kam përmendur dhe më parë ne jemi të dashuruar me fiqtë, kështu që dhe ky përfundim nuk ishte krejt i papritur. Kjo krostatë jo vetëm që është shumë e shijshme dhe e shëndetshme, por nuk kërkon ndonjë teknikë specifike. Mjafton të ndiqni me kujdes hapat e shpjeguar më poshtë dhe do keni një ëmbëlsirë që shpresoj të kthehet në të preferuarën tuaj gjithashtu.
- Në këtë recetë unë po përdor disa fiq të vegjël baçeje të cilët kanë ngjyrë të errët si në lëkurë ashtu dhe brenda në tul (por çdo lloj fiku bën punë për aq kohë sa është i pjekur mirë)
Proçedura :
Ndizni furrën në temperaturë 176°C
Shtroni me letër furre një tepsi katrore 25x25cm, lërini buzë nga dy anë të tepsisë në mënyrë që ta keni kollaj për ta hequr më vonë nga tepsia
Pasi ti keni larë, prerë bishtat dhe copëtuar fiqtë vendosini në grirës ushqimor dhe bluani deri sa të përftoni një masë homogjene
Transferojeni fikun e bluar në një tenxhere bashkë me sheqerin kaf
Kaloni masën në vlim të lehtë duke e përzier në mënyrë konstante dhe fikni zjarrin
Shtoni lëkurën dhe lëngun e limonit dhe lëreni mënjanë
Për të përgatitur brumin e ëmbëlsirës vendosni në grirës ushqimor ose në tavolinën tuaj të punës miellin, kripën, fryrësin e ëmbëlsirave, të dy llojet e sheqerit, ekstraktin e vaniljes dhe përzieni ose pulsoni disa herë
Shtoni gjalpin dhe punojeni me dorë (ose pulsoni disa herë në grirës) deri sa të arrini një masë kokrrizore
Shtoni të verdhat e vezëve dhe përsërisni veprimin e lartpërmendur
Këshillë : Nëse keni përdorur të verdha vezësh më të mëdha dhe masa është bërë më e butë duke mos qënë kokrrizore por duke nisur të formohet një top i vetëm brumi atëherë shtoni pak miell deri sa të arrini në formën e duhur të brumit
Hiqni mënjanë 220 gram nga brumi i formuar dhe lëreni mënjanë për ta përdorur më vonë
Vendosni brumin në tepsi dhe ushtroni forcë me dorë duke e ngjeshur dhe krijuar një bazë uniformë
Piqeni bazën e ëmbëlsirës për rreth 20 minuta ose deri sa të ketë marrë një ngjyrë të artë
Ndërkohë që baza piqet përgatisni shtresën e sipërme të ëmbëlsirës
Bluani farat e linit në grirës ushqimor deri sa të jenë kthyer në pluhur (mua personalisht më pëlqen të mos e bluaj plotësisht, kështu që ndjehuni të lire ta bluani farën e linit sipas dëshirës)
Në një tas bashkoni përbërësit : 220 gram brum, farat e bluara të linit dhe sheqerin kaf
Punoni me duar deri sa të keni një masë kokrrizore
Hiqeni tepsinë nga furra dhe shtoni marmalatën e fikut
Hapeni me një spatul në mënyrë të njëtrajtshme
Shtoni shtresën e sipërme duke e shpërndarë me dorë
Futeni sërish në furrë dhe piqeni për 20 minuta të tjera ose deri sa të ketë marrë një ngjyrë kafe të artë
Hiqeni nga furra dhe lëreni të ftohet plotësisht
Hiqeni ëmbëlsirën nga tepsia duke e ngritur nga anësoret e letrës së furrës që keni lënë në sipërfaqe
Me një thikë të mprehtë prini krostatën në shirita ose katrorë sipas dëshirës
Fotografitë nga unë















