Trajtojeni Veten – Përshtypje nga Hotel Flower
December 20, 2017 2017-12-20 0:00Trajtojeni Veten – Përshtypje nga Hotel Flower

Trajtojeni Veten – Përshtypje nga Hotel Flower
Nëse më ndiqni në rrjetet sociale si Facebook, por më së shumti Instagram mund të kuptoni fare lehtë që ky destinacion nuk është i ri për mua. Duke marrë shkas nga pyetjet e shumta, vendosa t`i dedikoj një postim në web.
Hotel Flower është një hotel e jo vetëm, i pozicionuar në Golem, në rrugën e plazhit. Vizita ime e parë tek ta nuk ishte rastësore. Flower ishte një nga ato destinacione që doja patjetër të shkoja e ta provoja sepse kisha dëgjuar komente mjaft të mira. Duke qenë pak skeptike, isha e ftohtë dhe pa pritshmëri (kjo për të mos u zhgënjyer në fund). Pas vizitës sime të parë që ishte në fillim Shtatori, ku ende mund të bëhej plazh, mbeta shumë e kënaqur e madje shumë prej jush e dinë sepse postova një seri fotosh në Instagram duke shpjeguar pse më kish pëlqyer.
Duke qenë se e cilësova si një nga 3 vendet e preferuara në të gjitha trevat tona, natyrisht që marrëdhënia ime me Flower nuk u mbyll me një vizitë. Përgjatë këtyre muajve kam vajtur në periudha të ndryshme për të shijuar një fundjavë jashtë rutinës dhe rrëmujës së një dite normale pune. Prandaj pa humbur kohë po listoj çfarë më pëlqen tek ky destinacion dhe pse jua rekomandoj ta frekuentoni:
- Duke e parë me një sy që kërkon estetikën, më pelqen se si i është kushtuar vëmendje si pjesës së jashtme, edhe të brendshmes, me po të njëjtin kujdes. Godina shquhet lehtesisht nga të tjerat, duke krijuar kështu një element veçantie.
- Atmosfera është një detaj që gjithmonë i kushtohet rëndësi, duke qenë në sinkron me periudhën kur e viziton hotelin. Ishte një ndjesi shumë e këndshme ajo që përjetova kur shkova atje para 3 ditësh, recepsioni dekoruar këndshëm në pritje të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, duke përçuar një ndjesi të ngrohtë dhe gazmore.
- Ajo që më pëlqen tek Flower është ndjesia e mirë që të fal rregulli dhe personeli i buzëqeshur dhe i gatshëm të asistojë në çdo detaj apo kërkesë, duke bërë që deri në fund të qëndrimit të mos ketë asnjë pakënaqësi.
- Një detaj tjetër që më tërhoqi syrin është dhe këndi i produkteve të ndryshme si kremra plazhi apo kozmetike bio, suvenire e tjerë. Duke folur nga eksperienca personale (që harroj gjithmonë kremrat e plazhit në verë) më duket diçka tejet e dobishme dhe do doja që të gjithë hotelet e një niveli të caktuar të ofronin diçka të tillë. Suvenirët, sidomos për vizitorët e huaj, janë një prekje delikate dhe e zgjuar.
- Dhomat janë mëse të bollshme dhe kanë cdo gjë që një personi mund t`i nevojitet gjatë një udhëtimi të shkurtër apo të gjatë. Po të kuptosh frymën e Flower do ta dallosh lehtësisht tek stili i arredimit të dhomave, dhe pse më duhet të cilësoj që në këto 4 herë që kam qënë asnjëra dhomë nuk ka qënë identike me tjetrën, duke krijuar një variacion në mobilim dhe tonalitete ngjyrash. Më pëlqen kjo pasi hoteli nuk bëhet asnjëherë i mërzitshëm.
- Së bashku me rezervimin e dhomës përfshihet jo vetëm mëngjesi (që është tejet i shijshëm dhe bollshëm), por dhe jacuzzi e sauna. Prandaj mos humbisni kohë po rezervoni orarin tuaj për ta shijuar këtë ambjent në privatësi totale me të dashurit apo miqtë tuaj. Është një kënaqësi më vete, sidomos në periudhën e dimrit.
- Për të gjithë femrat e meshkujt që duan të shlodhen apo trajtojnë veten, Flower ka në dispozicion një staf profesional për shërbime të ndryshme si masazh(relaksues apo me qëllime terapeutike) dhe estetike.
- Flower shërben mjaft mirë edhe si destinacion për të realizuar konferenca apo trajnime, duke patur paketa 360 gradëshe e duke plotësuar çdo kriter të kujtdo që është i interesuar për këtë sherbim.
- Duke qënë se hera e fundit në Flower ishte për ditëlindjen e motrës sime, Julias më duhet të them që është gjithashtu vendi i duhur nëse doni të organizoni një festë surprizë apo diçka private me të dashurit tuaj. Më pëlqen që Flower është një vend aq serioz që i kushton vëmendje çdo detaji, dhe unë mund të qetësohesha e thjesht të shijoja momentin.
- Restoranti (pika ime e dobët) ishte një surprizë e bukur në vizitën time të parë. Teksa pashë që shef/mentorues ishte Genti Malaveci, një nga shefat më të arrirë që ne kemi u gëzova tej mase dhe pritshmëritë u rritën në maksimum. Flower bashkë me Gentin kanë futur frymën dhe stilin Gourme; rrjedhimisht klientit i ofrohen pjata jashtë klasikes që ne jemi mësuar të provojmë në menutë me bazë peshku (meqë mbetet e preferuara ime) apo bazë mishi. Gjithashtu menuja ndërrohet çdo sezon duke përdorur kështu fruta, perime dhe bazë mishi e peshku sipas stinës. Kaluar në konkluzionin që gjithmonë ka diçka të re për të shijuar pavarësisht sa shpesh mund të kalosh në Flower.
Sugjerimet e mia të fundit përsa i përket pjatave në Flower janë: Sallata Flower, Ceviche levreku me frut pasion dhe 14 lloje erezash, Grushi (një kombinim shumë i shijshëm mes sushit dhe japrakëve), Ravioli me krem karkaleci. Bazën e mishit e kam shijuar shumë pak, prandaj po jua lë juve në dorë të provoni të më jepni mendimet tuaja. Ëmbëlsirat janë një pikë tjetër e fortë e restorantit, këshilla ime e vetme është të lini vend për to.
- Çmimi (pjesë rëndësishme e diskutimit) është mëse normal për atë çfarë ofrohet, një pikë kjo shumë e rëndësishme referimi apo kërkesë-llogarie.
- Do ta mbyll me një pikë të përmendur pak më parë, shërbimi. Ajo që për mua e çoi këtë vend në listën e 3 të preferuarve të mi në Shqipëri për momentin, është shërbimi. Kur vjen puna tek shërbimi dhe se si stafi ballafaqohet me klientin në Shqipëri kemi ende shumë për të punuar dhe Flower është në të paktat raste ku as në këtë sektor nuk kishte vend për komente apo pakënaqësi. Një staf i mirë trajnuar dhe që më bëri mua si kliente të ndihesha e mirëpritur kurdo. Dhe të them të drejtën në vizitën time të dytë prisja ndonjë hapësirë ku mund të gabohej, por tani që jam një kliente e Flower mund të them që shërbimi është çdo herë njëlloj: korrekt dhe mikpritës.
Jua rekomandoj këtë destinacion, jo vetëm për fundjava apo qëndrime të gjata, por dhe për një drekë apo darkë me familjen apo miqtë.
Teksa në verë shërben si një pikë referimi për pushimet verore (të shkurtra apo gjata e vendosni ju), në dimër ky destinacion është perfekt për t`u larguar nga çdo stres dhe rutinë e jetës suaj e për ta llastuar e trajtuar veten me të gjitha shërbimet që Flower ka në dispozicion për klientët e tij.
P.S: Shikoni mundësitë e festave të fundvitit, pasi ka oferta në të cilat mund të përfitoni!
Fotografitë nga Kikiliciouss