Kjo recetë ishte një nga më të kërkuarat pas daljes në “Me Duart e Kristit”. Një recetë tejet e thjeshtë e argëtuese, e cila të lejon ta modifikosh sipas shijeve personale dhe kur të vijnë miqtë të ndihesh kranare teksa u servir këto çokollata të përgatitura vetë.
Përbërësit e përdorur në këtë episod janë zgjedhje personale, prandaj ndjehuni të lirë të përdorni çfarë ju vetë dëshironi.
- Do tju duhet çokollatë e zezë ose e bardhë.
- Fruta të ndryshme të thata si bajame, lajthi, arra, fistike etj.
- Fruta të ndryshme të thara si boronicë e kuqe, rrush i thatë, kajsia të thara, hurma arabie etj.
- Mund të përdorni gjithashtu dhe arrë kokosi fletë ose të grirë e fara të ndryshme (chia, lini, susam etj).
Proçedura:
Tretni çokollatën që jeni duke përdorur (e zezë apo e bardhë).
Metoda e Parë:
Në një letër furre, duke përdorur një lugë kafeje derdhni çokollatën në forma të vogla rrethore.
*Të jenë të vogla sa për një ose dy kafshata, jo më shumë.
Shtoni sipër çokollatës sa është ende e shkrirë dhe e pa mpiksur; frutat e thata, thara dhe farat që jeni duke përdorur.
Metoda e Dytë:
Në tasin e çokollatës së shkrirë shtoni të gjithë përbërësit e tjerë që jeni duke përdorur dhe përzieni së bashku.
Duhet që frutat e thata, thara e farat të jenë mbuluar mirë me çokollatën e shkrirë.
Në një letër furre, duke përdorur një lugë kafeje derdhni çokollatën në forma të vogla rrethore.
*Të jenë të vogla sa për një ose dy kafshata, jo më shumë.
Vendoseni letrën e furrës në një tepsi dhe lëreni në frigorifer deri në mpiksje të plotë.
Fotografitë nga Eranda Janku








