Të gatuarit me çokollatë të zezë për mua është e thjeshtë dhe argëtuese, kështu që kjo recetë nuk kishte si të ishte ndryshe. Kremoze, e mëndafshtë, tunduese dhe me një shije shpërthyese sapo gjuha kontakton me akulloren. Kjo verë po bëhet gjithnjë dhe më e shijshme, prandaj ju sugjeroj të mos humbisni kohë dhe ta përgatisni dhe ju në shtëpitë tuaja.
- Nuk ju rekomandoj përdorimin e çokollatës së qumështit. Përdorni çokollatë të zezë, % e së cilës varet nga ju.
- Portokalli është një përbërës shtesë, kështu që nëse nuk dëshironi ta përdorni ndjehuni të lirë, por kombinimi i shijeve është fantastik.
- Çdo akullore e bërë në shtëpi ndryshon në varësi të makinës së akullores që ju keni dhe përdorni. Kështu dhe kohëzgjatja si e mbajtjes së enës në akull si e gatimit të akullores ndryshon. Unë e lë enën time për rreth 24 orë në akull dhe akulloren të gatuhet për rreth 40 minuta.
- Mund t’ju them tani më nga eksperienca që tekstura e një akulloreje të gatuar pa makinë ndryshon shumë nga ajo e gatuar me makinë akulloreje. Por nëse nuk e keni një të tillë kjo s’duhet të jetë pengesë për të shijuar një mrekulli të tillë. *Sidoqoftë unë ju rekomandoj ta blini një makinë të vogël akulloreje në rast se e keni pasion gatimin dhe të hani akullore ashtu si unë. Dini çfare hani, mund të gatuani sa herë të dëshironi dhe kostoja është shumë më e ulët se akulloret e blera në supermarket. E thënë shkurt investimi juaj do të shpërblehet 100%
- Nëse nuk keni makinë akulloreje dhe doni të arrini një rezultat sa më afër atij me makinë mund ta vendosni masën e përgatitur në akull dhe çdo 30 minuta nxirreni tasin, përzieni masën me një rrahëse dore dhe vendoseni sërish në akull. Kjo mund t’ju marre diku tek 4-5 orë. *Në të kundërt thjesht lëreni masën në akull deri në mpiksje të plotë.
Proçedura :
Në një tas të madh, rrihni së bashku të verdhat e vezëve me sheqerin dhe kripën për 3 deri në 4 minuta, deri sa masa të jetë dyfishuar dhe trashur, e të ketë marrë një ngjyrë të verdhë të hapur.
Shtoni kafen, lëkurën e grirë të portokallit, sitni kakaon dhe përzieni deri në masë homogjene.
Versioni për fillestarët:
Shtoni qumështin dhe përzieni deri sa masa të jetë homogjenizuar.
Shtoni ajkën e ëmbël dhe përzieni ngadalë me spatul sa për të bërë inkorporimin e përbërësve.
Kini kujdes që të mos e përzieni shumë ose shpejt pasi do rrihni ajkën e ëmbël duke e kthyer në krem.
Vendoseni këtë masë në një tenxhere dhe gatuajeni në zjarr të butë për +/- 7 minuta duke e përzier me një spatul pa ndaluar.
Kremi do të jetë gati kur të ketë nisur të trashet dhe të lërë gjurmë në spatul apo lugën e drurit që po përdorni.
Si ta dalloni: Zhyteni lugën/spatulën në krem dhe nxirreni sipër. Kaloni gishtin përmes spatulës në mes. Nëse kremi qëndron i ndarë, kjo do të thotë që kremi është gati për hapin e rradhës.
*Nëse doni të jeni akoma më të sigurt për gatimin e kremit: Gatuajeni masën në banjomari. Kjo mënyrë do të shmangë maksimalisht mundesitë që e verdha e vezës të gatuhet.
Versioni Profesional:
Në një tenxhere shtoni qumështin dhe ajkën dhe kalojeni në zierje të lehtë.
Shtini një garuzhde nga qumështi në masën me të verdhat e vezëve të rrahura ndërkohë që e përzieni masën me një rrahëse dore pa ndërprerje.
*Është e rëndësishme që të mos ndaloni së përzieri në të kundërt veza do të gatuhet duke prishur bazën e akullores.
Kalojeni masën në tenxhere me pjesën tjetër të qumështit dhe gatuajini deri sa të arrini rezultatin final (lexo më sipër).
Kalojeni masën e përgatitur me një sitë të imët në një tas të pastër, për t’u siguruar nëse ka pasur ndonjë veze të prerë (nëse ka kaluar në zierje gjatë gatimit)
Shtoni çokollatën e copëtuar dhe përzieni deri sa ajo të jetë tretur plotësisht.
Vendosni qese celofoni duke prekur sipërfaqen e masës në mënyrë që të mos krijohet cipë gjatë ftohjes.
Lëreni tasin mënjanë sa të vaket kremi e më pas kalojeni në frigorifer për 6-8 orë ose përgjatë natës.
Mbas 6-8 orëve ose të nesërmen, nxirreni masën nga frigoriferi dhe përzieni me një spatul.
*Kremi do të jetë goxha i trashë, si një puding çokollate (kjo do ta bëjë akulloren kremoze dhe t’i japë një teksturë më të shkrifët).
Ndizni makinën e akullores dhe vendoseni masën e krijuar brenda.
Lëreni akulloren të bëhet sipas instruksioneve të makinës suaj.
Më pas zhvendoseni akulloren në një enë dhe lëreni në ngrirje për të paktën 2-3 orë para se ta shërbeni.
Fotografitë nga Eranda Janku









