Tortë Karrote me Krem Puding Vanilje

17/08/2016

Mund t’ju tingëllojë si frazë egoiste, por jam e dashuruar me recetën time të kekut të karrotës. I thjeshtë për t’u gatuar, shumë i shijshëm, i butë dhe aroma e tij e mrekullueshme…(epo po ju lë ta nuhatni vetë për ta përmbyllur mendimin). Çfarë është akoma dhe më e bukur është se kjo recetë mund të transformohet lehtësisht në ëmbëlsira të tjera të mrekullueshme, të tipit : tortë me disa kate, topa keku (cake-pops), akullore etj.

Sot po ndaj me ju një recetë të thjeshtë por shumë të shijshme duke përdorur si bazë kekun e karrotës. Një tortë dykatëshe karrote me krem puding vanilje. Nuk ka mundesi që kjo recetë të mos ju shkojë mirë.

Ajo që unë sugjeroj është që t’i përgatisni të gjithë “përbërësit” një ditë përpara : kekun e karrotës, pudingun e vaniljes dhe ajkën e rrahur (dhe pse kjo e fundit nuk është një domosdoshmëri). Kështu ju do të evitoni shikimin e shpeshtë të orës dhe kontrollin e herë pas hershëm nëse janë ftohur apo jo. Gjithashtu nuk do të lini hapësirë që kremi të shkrihet dhe torta mos ju dalë ashtu siç duhet.

  • Recetën e kekut të karrotës e gjeni këtu. Ajo që unë bëra është që këtë masë e poqa në 2 tepsia : një në një tepsi me diametër 28cm dhe tjetrën në një tepsi me diametër 17cm. Tepsinë e madhe e lashë për bazën e tortës, ndërsa tepsinë e vogël me kek e thërmova me duar për ti dhënë prekjen e fundit (mbulimin me thërrmija keku sipër). Kjo është një zgjedhje shumë personale, prandaj nëse do ndiqni stilin tim mund ta piqni në 2 tepsia ose në të kundërt vendoseni të gjithë brumin në një tepsi të vetme. Pasi të ftohen në temperaturë dhome, vendosini në frigorifer deri në ftohje të plotë (4 orë ose gjatë natës)

Këshillë : Tek tepsia e vogël mos vendosni shumë brum.

  • Të njëjtën gjë bëni dhe me pudingun e vaniljes. Gatuani 2 pustina sipas të dhënave dhe sapo ta keni përgatitur vendoseni në një tas. Mund ti vendosni një letër celofoni në sipërfaqe të kremit që mos zërë cipë ose jo, sipas deshirës (në këtë recetë nuk do të ketë shumë rëndësi ky detaj). Lëreni pudingun të ftohet në temperaturë dhome dhe më pas vendoseni në frigorifer për disa orë deri sa të ftohet plotësisht ose përgjatë natës.

Këshillë : Mos e ftohni duke e përzier herë pas here pasi kjo thjeshtë do sjellë kokërzimin e pudingut, gjë e cila do të pasqyrohet dhe në kremin final

  • Si njomës të kekut të karrotës unë vendosa të përdor konjakun Vecchia Romagna pasi më pëlqen shumë kombinimi i dy shijeve. Por ndjehuni të lirë të përdorni marka apo konjak/liker të tjerë.
  • Një nga sikletet e të përgatiturit tortë me disa kate dhe krem anash është pastërtia e pjatës servirëse. Ky trik i vogël do t’ju shpëtojë dhe mbajeni vëth në vesh sa herë të gatuani torta. Prini disa shirita letër furre. Vendosini këto poshtë kekut fillestar (bazës së tortës suaj). Hileja qëndron këtu : vendosini aq thellë sa të mos lënë boshllëk në konturin e kekut, por nga ana tjetër aq cekët sa këto letra të jenë lehtësisht të heqshme më vonë. Kjo do të sigurojë që ena ku do ta servirni tortën të jetë e pastër dhe torta të mos ketë difekte në bazë. Këto letra teksa hiqen marrin me vete çdo gjë të panevojshme. Sido qoftë mund të keni nevojë të riparoni në disa vende të vogla boshllëkun e krijuar.

7 copy 8 9 1-1.jpgeshq

Proçedura :

 

Nëse keku juaj i karrotes është fryer më tepër në mes dhe më pak në anë, prijeni mesin e kekut duke e niveluar atë

Ndani kekun e karrotës në mes me një thikë të madhe ose prerësen tuaj të kekut Lagini të dyja sipërfaqet e brendshme me konjakun apo likerin që do të përdorni dhe lërini pak minuta në qetësi që masat ta kenë thithur lëngun

Rrihni ajkën e ëmbël deri sa të formojë maja të buta nëse nuk e keni përgatitur një ditë më parë

Në një tas të madh vendosni pudingun e vaniljes i cili është ftohur totalisht dhe rriheni me shpejtësi të lartë me rrahësin tuaj elekrik. Pasi masa të jetë bërë kremoze shtoni pak nga pak ajkën e rrahur

Në përfundim përziejeni dhe njëherë masën me një spatul silikoni duke u siguruar që pudingu të jetë bashkuar me kremin dhe të mos ketë mbetur në fund

Vendosni pjesën e sipërme të kekut kthyer përmbys në pjatancën ose mbajtësen tuaj të kekut (në vendin ku do ta mblidhni të gjithë tortën në një)(Ndiqni hapin e mësipërm me letrën e furrës që të mos keni probleme me produktin final)

Vendosni disa lugë mbushur me krem dhe me një spatul rrafshoni sipërfaqen

Vendosni pjesën tjetër të kekut përsipër dhe më pas hiqni letrën e furrës nga sipërfaqa e tij (kjo do të sigurojë që e gjitha torta në vetevete të jetë e rrafshët)

Duke marrë krem me majën e spatulës nisni të krijoni shtresën e parë të kremit në sipërfaqen e tortës. Kjo gjithmonë duke nisur nga anët. Pasi të keni përfunduar anët e tortës, vazhdoni me sipërfaqen

Nëse një shtresë krem ju duket mjaftueshëm ndaloni këtu, në të kundërt vendosni dhe një shtresë të dytë

Pasi të keni mbaurar me veshjen e tortës me krem; vendosni thërrmijat e kekut të copëtuar (nëse po e përgatisni si unë) në sipërfaqe ose në anë (ose tek të dyja)

Në fund me ngadalë hiqni letrat e furrës duke kuruar ndonjë detaj të vogël i cili ka shpëtuar

Lëreni në frigorifer për rreth 30 minuta para se ta shërbeni; sa e gjithë masa të mblidhet së bashku

 

Mundësi të tjera :

Një ide shumë e mirë është që sipërfaqen e tortës ta zbukuroni me bajame të thyera në grirës ose në një qese me okllai. Kjo do t’i japë tortës një efekt kërcitës dhe krokant, diçka që i shkon përshtat shijes dhe përbërjes së saj. Mund të përdorni bajame me ose pa kripë, sipas dëshirës.

Mund të lini pak puding menjanë. Ta rrihni me rrahës elektrik si në hapin e mësipërm e më pas ta vendosni në një qese pastiçerie. Me të mund të krijoni lule apo zbukurime të ndryshme sipër ose anash tortës. Por mos e ngarkoni shumë.

 

Mos u Shqetesoni :

Nëse vendosni ta mbani tortën vetëm me krem sipër, pa shtuar asgjë do të vini re që pas disa orësh në frigorifer ajo mund të krijojë disa krisje të vogla. Kjo ndodh sepse pudingu duke pasur niseshte në vetvete tkurret dhe kështu krijon krisje në sipërfaqen e kremit. Kjo nuk ndikon aspak në shijen e tij, por nëse doni të qëndroni të sigurt dhe nga ana estetke ju këshilloj të përdorni një nga teknikat e përmendura më lart. Sidomos nëse këtë tortë do t’ia ç­oni dikujt dhuratë.

2 3 copy 4 5 6

 

Fotografitë nga Eranda Janku