Tortë Italiane me Rikota dhe Çokollatë të Zezë

19/10/2016

Kjo tortë e mrekullueshme është një ëmbëlsirë tradicionale Italiane (crostata sbriciolata). E mësova këtë recetë falë një mikeshe sime Italiane. Kjo ëmbëlsirë jo vetëm është shumë e shijshme dhe e thjeshtë, por e shpejtë dhe argëtuese për t’u pergatitur.

Ka mundësi pafund se me çfarë mund ta mbushësh këtë tortë dhe sot unë vendosa të përdor çokollatën e zezë (nuk çuditeni besoj;haha). Më pëlqen tej mase shumë se si copëzat e çokollatës shkrihen dhe kombinuar me rikotën krijojnë këtë masë kremoze të njëjtrajtshme që është thjeshtë e mrekullueshme.

Mendoj se ky është muaji ideal për ta përgatitur dhe shijuar këtë recetë. Teksa moti po ftohet të gjithëve na shkon mendja tek ëmbëlsirat e ngrohta dhe kjo është pikërisht ajo që ju duhet.

  • Për të gjithë ata që nuk e dinë rikota është një gjizë Italiane pa kripë. Mund të gjendet lehtësisht nëpër supermarkete të ndryshme
  • Në këtë recetë po përdor rikota kremoze dhe mendoj se ky tip i përshtatet recetës më së miri
  • Mund të përdorni çokollatë qumështi nëse dëshironi, por unë ju rekomandoj atë të zezën!

2-sbriciolata1 1 3-sbriciolata2 shqip2.JPG 8shqip.JPG

Proçedura :

 

Ndizni furrën në temperaturë 176°C

Shtroni letër furre në një tepsi 28cm me hapje anësore (ose tepsi normale)

Në një tas mesatar përgatisni mbushjen duke rrahur rikotën dhe sheqerin pluhur së bashku

Shtoni copat e çokollatës së zezë, përzieni dhe lëreni mënjanë

Në një tas të madh vendosni miellin, fryrësin e ëmbëlsirave, kripën, sheqerin, ekstraktin e vaniljes dhe përzieni së bashku

Shtoni kubikët e gjalpit dhe punoni masën me duar

Shtoni vezët (të cilat i keni rrahur lehtësisht më parë) dhe vazhdoni të punoni brumin

Do të përfundoni me një brum të kokrrizuar

Për të kuptuar nëse është gati mbani pak brum në dorë, mbylleni grushtin duke ushtruar pak presion, hapeni dhe nëse brumi është bërë një i tëri atëherë është gati

Vendosni 2/3 e masës në tepsi dhe me dorë ngjesheni brumin për të krijuar një bazë të njëtrajtshme

Shtoni mbushjen në qendër të tepsisë dhe me spatul hapeni ngadalë duke u siguruar që 0.5 cm në kontur të mos ketë krem

Shpërndani pjesën e mbetur të brumit mbi krem

Piqeni ëmbëlsirën për rreth 30-35 minuta, deri sa të ketë marrë një ngjyrë të njëtrajtshme kafe të artë

Mund të sitni pak sheqer pluhur sipër para se ta servirni

2 3 4 5 6 7 8

 

Fotografitë nga unë