Receta Tradicionale e Ballakumeve

“Dita e Verës” më datë 14 Mars është një festë tradicionale e vendlindjes sime Elbasanit, dhe pse së fundmi është festuar në mbarë Shqipërinë. Kjo ditë mirëpret ardhjen e Pranverës. Ballakumja është ëmbelsira tradicionale e kësaj feste, dhe sigurisht që ne nuk mund ta humbisnim këtë shanc për ta postuar recetën e saj. Kjo recetë është tracidionale familjare e trashëguar ndër breza. Shpresoj t’ju pëlqejë dhe merrni kohën tuaj për ta pergatitur. Më vjen keq që nuk munda të kap foto si gjithmonë, por shpresoj që instruksionet të jenë sa më ndihmuese për ju.

05

Përberësit :

1 kg sheqer

1 kg pa një grusht miell misri (ky grusht zëvendësohet me një grusht miell gruri) plus miell misri ekstra

7 kokrra mesatare vezë (ose 8 të vogla)

500 gr gjalpe lope ose dele i vjetër

hi zjarri (finjë)

 

Proçedura :

Ndizni furrën në temperaturë 180°C

Shtroni disa tepsia biskotash me letër furre

Tretni gjalpin dhe kullojeni nga mbetjet me një sitë

Në një tas rrihni gjalpin e vakët (duhet të jetë i vakët dhe jo i nxhetë) me sheqerin për 20-30 minuta

Shtoni vezët një nga një duke i rrahur secilën për 5 minuta

Shtoni miellin grushta-grushta duke e përzier ndërkohë masën

Vendosni 2 lugë gjelle hi zjarri në një gotë me ujë dhe prisni derisa finja (ujë+hi zjarri) të bjerë në fund dhe uji të kthjellohet

Mbushni një gjysmë lëvozhge veze me këtë ujë

Shtojani brumit dhe vazhdoni ta rrihni derisa masa të jetë homogjene

Si të : Për të provuar nëse brumi është gati, merrni një copëz të vogël brumi dhe vendoseni mbi sobën të cilën e keni nxehur. Nëse ajo shkrin, brumi nuk është gati; kështu që shtoni pak miell. Provojeni sërish derisa brumi të mos shpërhapet në sipërfaqen e nxehtë

Ndani brumin në topa duke lënë hapesirë njera me tjetrën

Piqini Ballakumet për rreth 45 minuta ose derisa të kenë marrë një ngjyrë të bukur të artë

Lërini të ftohen plotësisht

01 06

 

Fotografitë nga Eranda Janku

Fulia – Ëmbëlsirë Tradicionale Elbasanase

Jam shumë e gëzuar të ndaj me ju një recetë shumë të veçantë dhe tradicionale të vendit tim. Fulia është një ëmbëlsirë tradicionale dhe e njohur vetëm në qyetin ku unë kam lindur, në Elbasan.
Ajo çka e bën këtë ëmbëlsirë kaq të veçantë është historia që ajo mbart.
“Shume kohë më parë, kjo ëmbëlsirë gatuhej me rastin e lindjes së një fëmije, në momentin kur kësaj foshnjeje do t’i vihej emri. Këtë ëmbëlsirë e gatuante nëna e djalit. Ajo gatuante dy racione të mëdha (varej se sa i madh ishte fisi i secilës familje); një për shtëpinë e saj dhe një rracion të madh prej 5-10 kile ajo ia conte krushkës së vet. Kjo e fundit ia shpërndante fisit duke i dhënë secilit pjesëtar nga një copë me vete. Ndërkohë nëna e djalit kryente një ritual më të veçantë. Në momentin kur fëmijës do t’i vendosej emri; në një pjatë të sheshtë, shkërmoqej fuli (një sasi jo shumë e madhe, varej nga sa persona ishin në dhomë) në formë mali dhe ngulej një lugë në mes të këtij “mali” e cila do të qëndronte drejt. Një ritual ky që nënkuptonte dëshirën për ngritjen e shpejtë të fëmijës në këmbë. Pas vendosjes së emrit të gjithë pjesëtarët që merrnin pjesë në këtë “ritual” hanin nga një lugë fuli në pjatën e lartpërmendur. Më pas ashtu si nëna e vajzës dhe nëna e djalit u jepte të gjithë pjesëtarëve të fisit të vet një copë fuli për me vete.”
Këtë recetë e kam mësuar qysh fëmijë, falë një njeriu shumë të dashur për mua. Padiskutim që për të dokumentuar këtë ëmbëlsirë shkova në vendlindjen time, në shtëpinë e nënë Fiqeretes dhe së bashku me të e gatuam Fulinë për ju sot !

Continue reading “Fulia – Ëmbëlsirë Tradicionale Elbasanase”