Si të reduktojmë mbetjet ushqimore

Fotot janë marrë nga Maurizio Di Lorio

 

Sot është dita botërore e ushqimit dhe promoja e këtij viti mban hashtag-un #ZeroHunger future, një e ardhme ku kemi 0 të uritur. Synimi është që deri më 2030 të sigurojmë një botë pa mbetje ushqimore dhe të rivendoset balanca mes shpërndorimit dhe urisë së tejskajme.

Çdo gjë është e mundur nëse veprojmë tani, shprehet drejt fundit të videos, e unë marrë shkas nga kjo iniciativë, dua të ndaj me ju disa keshilla se si në përditshmërinë tuaj të mundoheni të mos keni aq shumë mbetje ushqimore sa realisht keni.

Shpresoj që me këto këshilla t’ju vij në ndihmë.

 

  • Organizoni pazaret tuaja.

Shpesh ndodh që të ikim për pazare dhe të blejmë më shumë produkte sa do të konsumojmë brenda x ditëve apo javës. Më së shumti, produkte të freskëta që nuk durojnë dot. Prandaj duke bërë një plan të përgjithshëm të asaj që ju keni në plan të konsumoni, bëni dhe blerjet tuaja. Një metodë e mirë është planifikimi dhe shkrimi i vakteve në letër. Në këtë mënyrë në supermarket do të keni fokus çfarë duhet blerë, nuk do të keni fruta/perime që do t’ju vyshken dhe ndërkohë do të kurseni para (më besoni për këtë).

 

  • Vendosni një rend në frigorifer.

Pas blerjes se çfarë na nevojitet, na ndodh rëndom që thjesht produktet e sapo blera ti vendosim sipër atyre që tashmë i kemi në frigorifer. Kjo sjell prishjen e tyre, pasi syri nuk i sheh. Sistemoni frigoriferin tuaj kur bëni blerje të reja. Sigurohuni që çfarë keni në frigorifer ta sillni sa më afër syrit dhe çfarë sapo keni blerë ti vendosni pas që dhe konsumi të jetë i këtij rregulli.

 

  • Mbusheni akullin, se qenka ca bosh.

Akulli është miku im më i mirë dhe duhet të jetë i juaji gjithashtu. Përgatisni copa perimesh, fruta apo ushqim që nuk do ta konsumoni dhe ruajeni në akull. Vendosini sipër datën që të kujtoheni kur ta shikoni se kur e keni vendosur. Në këtë mënyrë do të keni prodhime në dorë kurdo që ju duhen. Dua të cilësoj këtu që vendosja në akull e fruta perimeve, por jo vetëm, është metoda më e mirë pasi nuk i heq vetitë dhe të mirat shëndetësore që ai produkt ka.

 

  • Mos e hidhni bukën e ndenjur.

Ndodh shpesh që bukën që nuk e kemi konsumuar, brenda pak ditëve të jetë e ndenjur dhe e fortësuar. Por mos bëni gabim ta hidhni. Çfarë mendoni se është buka e bluar që blini në supermarkete? Mendoni për ‘pasnesër’ jo vetëm për ‘nesër’. Lëreni të thahet plotësisht, grijeni në proçesor ose blender dhe ruajeni diku në të thatë. Ose përdoreni për qofte, dihet që qoftet e shtëpisë duan bukë të lagur në ujë.

 

  • Bananet e tejpjekura janë ëmbëlsuesi më i mirë.

Siç folëm për bukën, e njëjta gjë ndodh me bananet. Sapo shfaqen pikat e zeza, askush nuk do ta konsumojë më. Është shumë e ëmbël dhe me 2 kafshata ndihemi të velitur. Por në fakt nuk keni pse i hidhni këto banane. Me to mund të gatuani plot receta të shijshme dhe të shëndetshme. Klikoni KËTU për të lexuar një recetë me këtë banane. Ose mund ti fusni në akull dhe ti përdorni në pjekje një herë tjetër, nëse nuk jeni duke pjekur në moment ose keni shumë.

 

  • Mbani fruta perimet të freskëta më gjatë.

Siç cilesova pak më parë, frutat dhe perimet janë shumë delikate dhe shpesh na ndodh ti hedhim pasi nuk i kemi konsumuar apo parë që ishin në frigorifer. Një nga arsyet e përshpejtimit të këtij proçesi është fakti se ato marrin lagështirë në qesen apo enën ku janë dhe prishen shumë më shpejt se zakonisht. Vendosja e një pecete apo peshqiri të vogël poshtë, bën të mundur thithjen e lagështirës dhe kështu perimet dhe frutat tuaja do të rezistojnë më shumë.

 

Këto janë disa këshilla apo rregulla që unë në jetën time mundohem ti zbatoj dhe të them të drejtën më kanë ndihmuar goxha që nga dita e parë që nisa ti aplikoj.

Nis dhe ti sot, për një të ardhme më të mirë për veten tënde. Jepi mundësinë dhe dikujt tjetër të ushqehet, me ato që ti gjithsesi nuk do ti konsumoje.

FoodWaste2