Ndalesa e rradhës, Barcelona

Artikull nga Julia

 

A është Barcelona në listën tuaj të udhëtimeve? Unë sapo e vizitova dhe përsëri nuk dua ta heq nga lista ime. Ja përse…

Atraksionet

Barcelona është një qytet në të cilin gjenden të gërshetuar gjurmë të ndryshme arkitekture; nga origjina ushtarake mesjetare deri tek modernizmi lulëzues. Arkitektët e shekullit të XX e vunë Barcelonën në vendin e parë në avant-gardë. Zhvillimet në dizajn dhe inovacion, të kombinuara me një sens urbanizmi dhe vlera ekologjike e ndryshuan kryeqytetin katalanas në një nga qytetet më të njohura të kontinentit.

Gaudi është ndoshta emri i parë që vjen në mendje kur mendon për Spanjën, dhe në fakt, prania e tij në Barcelona është e gjallë në një mënyrë që nuk mund të mos biesh në dashuri me këtë gjeni. Që nga La Sagrada Familia mahnitëse tek Park Guell, ishte e vështirë për mua të mos mbesja e shtangur tërësisht dhe të doja të mësoja më shumë mbi dizajnin, mendimin pas çdo vepre, dhe mbi vetë personin e Gaudit. Në një shëtitje në qytet mund të shihni lehtësisht një mori kryeveprash të këtij autori, si Casa Batlló, Cascada Fountain tek Parc de la Ciutadella, Casa Calvet, Casa Vicens, etj.

Çfarë më pëlqen pa masë në Barcelona janë sheshet e shumta; ato të mëdhatë, e mbi të gjitha sheshet e vogla. Vërtetë ka një ndjesi sikur vetë qyteti të thotë “thjesht ngadalëso dhe qetësohu”. Më pelqeu veçanërisht Lagja Gotike; endjet në rrugicat e ngushta dhe më pas rigjetja e një sheshi të ri, papritmas. Kaloni pak kohë në Plaza Catalunya, kryqëzimi i Lagjes Gotike, Raval dhe Eixample; Plaza Sant Jaume (por jo kur ndodhin protesta ama, ky është një vend i famshëm, ku mblidhen barcelonasit kur duan vëmendjen e shtetit te tyre); Plaza del Rei, një shesh i kufizuar ngushtësisht nga atraksione të ndryshme, por që përsëri sundohet nga një qetësi e paqtë, e cila thyhet vetëm nga këmbanat e Katedrales së Barcelones. Sheshi i MACBA-s (Muzeu i Artit Bashkëkohor i Barcelonas) është një vend i këndshëm për të shijuar një birrë teksa të rinj të shumtë tregojnë aftësite e tyre me një skateboard apo në kërcime.

Nëse edhe ju jeni një art dashës, bëni një xhiro në Calle de Avinyó, rruga ku ndodhej bordelloja që frymëzoi “Les Demoiselles d’Avignon” të Pikasos. Është e lezetshme të gjesh kaq rastësisht një skicë të pikturës në një mur të rrugës.

Barcelona është e pasur edhe me një variete muzesh, por këtë herë unë ndjeva nevojën të njihesha më shumë me qytetin përmes ecejakeve dhe shëtitjeve, e armatosur me një hartë offline dhe shumë krem kundër diellit.

 

Këshilla e Julias:

  • Prenotojini biletat e atraksioneve online pasi kështu do të keni edhe mundësinë e kapërcimit të rradhës, e për pasojë më shumë kohë për të shijuar ditën tuaj. Gjithashtu mundohuni të zgjidhni çfarë me të vërtetë është me interes për ju, duke qenë se ka kaq shume mundësi e do të bëhet e vështirë e stresuese nëse e mbingarkoni itinerarin. Unë humba në kopleksin e Hospital de Sant Pau dhe e harxhova kohën time aq sa nuk pata mundësi të vizitoja qendrën për turistet, edhe pse e kisha biletën.
  • Nëse nuk keni ndër mend të prenotoni një tur me guidë, thjesht bashkangjituni njërit. Duke qenë se mund të kuptoj edhe anglisht edhe spanjisht, ishte shumë e lehtë për mua të mesoja detaje që nuk do t’I kisha ditur e vetme. Për shembull sesi dyqani i dhuratave në Park Guell, banesa origjinale e portierit, është e dizenjuar me frymëzim nga elefanti – kulla përfaqeson hundën e elefantit, kurse brendësia e tavanit është dizenjuar sipas formës së brendësisë së gojës së kësaj kafshe. Apo si se në pedimentin në fasadën e Pasionit të La Sagrada Familia, Jezusi nuk është portretizuar në mes të skulturave, por i ulur lart në uren që lidh dy kullat. Është argëtuese të mësosh detaje të tilla të çuditshme e njëkohësisht të fshehësh habitjen e te qeshurën në përpjekje për të mos treguar se gjatë gjithë kësaj kohe ke dëgjuar bisedat e personave të tjerë. Por ia vlen!
  • Thjesht humbni nëpër qytet. Do ta gjeni veten në një vend të ri dhe entuziasmues.

  

 

Ushqimi

Kur flas për ushqimin, përvoja ime ne qytet mund te titullohet “Rreth botes ne Barcelona”. Kisha fatin e mirë të kisha mikpritës të shkëlqyer, të cilët më tregonin vazhdimisht vende të reja. Kjo bënte që herë pas here të mos i hidhja fare sytë nga harta e si për pasojë nuk e dija më në çfarë cepi të Barcelonas kisha përfunduar. Është bukur të shohësh e të provosh gjithnjë gjëra të reja. Kur flasim për ushqimin, Barcelona nuk është aspak një vend i mërzitshëm.

Vakti im i parë në Barcelona ishte ndoshta më spanjolli i mundshëm: cerveza (birrë) dhe nachos. Çfarë kombinimi i mirë. Mendoj se kujtimet më të bukura krijohen kur je duke shijuar ushqim të mirë, qoftë një bruch i bukur dhe i shijshëm në Alsur Café teksa vështon Palau de Música Catalana – një drekë vegane përballë La Sagrada Familia – një darkë në një restaurant në një qoshkë të fshehur, ku porosia kryhet duke shënuar artikuj në një copë letër dhe ushqimi shijohet në një tavolinë të madhe, rrethuar nga të huaj miqësorë – një tas ramen fill pas një pasditeje në plazh apo një meze mesnate, me bukë domateje, chorizo al diablo dhe kaq shumë vermuth në një tavernë me stola të vjetër druri ku çdokush përshëndetet mirupafshim nga një tringëllimë këmborash të varura në një litar. Përfshi edhe disa arepa në një pasdite me shije venezueliane, dhe ky është momenti kur e pyes veten, çfarë tjetër do të gjeja nëse qëndroja më gjatë në Barcelona?

 

Këshilla e Julias:

Nëse nuk keni edhe ju një mikpritës në Barcelona, bëni një kërkim të mirë për të gjetur vendet që kënaqin më shume shijet dhe urinë tuaj. Gjithashtu mos harroni të vizitoni markatat e shumta të ushqimeve. Unë isha një turiste në La Bouqeria, dhe më pas një kliente në Markatën e Santa Caterinas, duke qenë se ndodhej më pranë apartamentit tim. Madje arrita të gjej edhe specat e gjatë jeshile që janë kaq të vështirë për t’u gjetur jashtë Shqipërisë, dhe arrita të gatuaj fërgesë për miqtë e mi. Kaq shumë njerëz po përpiqen të më bëjnë ta mendoj idenë një restoranti me tapas të frymëzuara nga Shqipëria. Hmm!

 

 

Plazhi

Çfarë e bën Barcelonën një qytet kaq të mrekullueshëm, është se pas kaq shumë atraksioneve dhe kaq shumë ushqimesh të shijshme, dita ende nuk quhet e përfunduar pa një vizitë në plazh. Sa gjeniale eshte kjo!? Plazhi është një vend i shkëlqyer për të takuar njerëz te rinj (në rregull, njerëz shumë të bukur), të shijosh diellin (që në verë perëndon pas orës 9:30) dhe të notosh sa të duash. Barceloneta është plazhi më i afërt dhe lehtësisht i arritshëm (thjesht merrni metronë L4). Ajo ofron pamjen klasike të plazhit barcelonas, me hotelin W në sfond. Pika e dobët është uji, i cili nuk është shumë i pastër, më kujtonte më shumë plazhin e qytetit të Durrësit.

Do ju këshilloja të shkoni në plazhin Playa de Bogatelli, pak më tutje nga qendra, por shumë më i pastër dhe i bukur. Uji këtu ka kthjelltësinë e atij të Jugu tonë, prandaj më besoni për ndryshimin.

 

Këshilla e Julias: 

  • Ruajini objektet tuaja personale me kujdes. Barcelona është e njohur për hajdutët e xhepit apo njerëz që thjesht të marrin objektet nga dora, prandaj shmangni pasjen e shumë parave më vete, mbajtjen e celularit pa kujdes apo të qenit të pakujdesshëm. Cdo gjë që ju duhet është para sa për një birrë, dhe nëse jeni në çift apo grup më mirë lahuni me turne. Nëse jeni vetëm, e hëngrët! Haha, jo, thjesht ndoshta bëjini mirë llogaritë përpara se të kridheni në det…
  • Shfrytëzojeni atë abonim palestre dhe ushtrohuni pak para udhëtimit tuaj në Barcelona. Nëse po udhëtoni në verë, do më falenderoni për këtë këshillë. Dhe mundohuni të jeni diskretë, pas një palë syzesh dielli teksa admironi trupat e bukur femërorë e mashkullorë (sepse do të jetë e vështirë të mos i ngulni sytë ndonjëherë). Ah, më mungon Barcelona!

 

Fotografitë nga Julia Janku