Keto Brownies
February 5, 2020 2021-11-15 23:01Keto Brownies

Keto Brownies
Brownies është një nga ato receta që klikohet gjithmonë, pa dallim stine apo periudhe. Një recetë klasike, aq e shijshme sa zor të zëvendësohet në llojin e saj.
Dietat Keto nga ana tjetër janë bërë shumë popullore së fundmi. Në përpjekje për të krijuar një recetë Brownies e cila të ishte Keto, përfundova në këtë mrekulli që në fakt ia rekomandoj të gjithëve ta provojnë; janë apo jo në një regjim Keto!
- Sheqerin e kokosit mund ta zëvendësoni me çdo tipologji sheqeri që dëshironi, por ju sugjeroj atë të kokosit pasi dhe shija që ai siguron është e veçantë.
- Miellin e bajameve mund ta përgatisni fare kollaj vetë në shtëpi duke pulsuar bajame natyrale në një blender ose grirës ushqimor deri sa të keni konsistencën e miellit. Nëse doni të jeni tejet të kujdesshëm mund tia qëroni lëkurën bajameve duke i futur për pak sekonda në ujë të valuar.
Përbërësit:
113 gr gjalp në temperaturë dhome
3 vezë të mëdha, 171 gr
150 gr avokado
45 gr sheqer kokosi
30 gr kakao e hidhur
95 gr çokollatë e zezë e imët
192 gr miell bajamesh
1 tsp fryrës ëmbëlsirash
1/4 tsp kafe pluhur
60 gr arra të copëtuara
Proçedura:
Ndizni furrën në temperaturë 180°C.
Përgatisni një tavë katrore 25cm me letër furre duke e lënë atë dhe në pjesët anësore të tavës. Lëreni mënjanë.
Në një tas të madh përzieni së bashku: miellin e bajameve, fryrësin e ëmbëlsirave, çokollatën e zezë, arrat e copëtuara, kafen dhe lëreni tasin mënjanë.
Në një grirës ushqimor ose blender vendosni të gjithë përbërësit e tjerë: vezët, kakaon, gjalpin, avokadon dhe sheqerin e kokosit.
Pulsoni deri sa të keni një masë homogjene.
Vendosni kremin e çokollatës në tasin e përbërësve të thatë dhe përzieni me spatul silikoni deri sa gjithçka të jetë njëtrajtësuar.
Transferojeni keto brownie-n tek tava dhe me spatul sigurohuni që të ketë sipërfaqe të sheshtë.
Piqeni për 25 minuta.
Nxirreni nga furra dhe lëreni të ftohet plotësisht para se ta prisni dhe servirni.
Fotografitë nga Eranda Janku