Kek Karrote

11/06/2016

Keku i karrotës është një nga recetat e mia më të dashura. Jo vetëm falë shijes së mrekullueshme që të ofron kombinimi i karrotës dhe kanellës, por sepse është pikërisht kjo recetë e cila më dha mua shtysë që të vazhdoj këtë rrugëtim të bukur. Kjo recetë është postuar në blogun tim të vjetër më 6 Shtator 2011 dhe pati një sukses i cili vazhdon dhe sot e kësaj dite. Është e habitshme se si ky blog vazhdon ende të lexohet. Ishte në fakt një nga lexueset e mia të rregullta që më dërgoi një mesazh javën e kaluar duke më sugjeruar ta ripostoja tek Kikiliciouss, duke qënë se ishte një nga ëmbëlsirat e saj të preferuara. Më bëhet qejfi që jeni ju ata që jo vetëm lexoni postimet e mia, por bëni sugjerime e më tërhiqni vëmendjen për shumë detaje që ne mund të na shpëtojnë; siç ishte pikërisht kjo recetë që unë kisha harruar ta postoja në web.

Donim që këtë recetë ta paraqisnim jo në mënyrën tradicionale “Kikiliciouss”, por me anë të një videoje Stop-Motion duke e bërë kështu më argëtuese dhe ndjellëse.

Kjo recetë është tejet e thjeshtë në gatim dhe me përbërës të cilët gjenden lehtësisht. Është nga të paktat receta që unë i kam qëndruar stoike duke mos e ndryshuar ndër vite. Kjo sepse mendoj që ky kek është ideal qoftë për ta konsumuar siç është, qoftë për ta kthyer në torta me kremëra të ndryshëm (siç kam bërë në video).

1 2 3

Përbërësit:

4 vezë

530 gram sheqer i bardhë

340 gram miell

115 gram vaj ulliri

125 gram vaj misri

1 lugë gjelle kanellë

1 lugë gjelle fryrës ëmbëlsirash

1 lugë çaji sodë buke

500 gram karrota te grira

 

Proçedura :

Ndizni furrën në temperaturë 150°C

Shtroni me letër furre një tepsi standarte ose me hapje anësore (25-30cm, formën e tepsisë vendoseni ju; mund ta piqni në një tepsi ose në 2 më të vogla)

Rrihni së bashku sheqerin dhe vezët deri sa sheqeri të jetë tretur dhe masa të jetë dyfishuar në volum

Shtoni dy llojet e vajrave dhe pasi ti keni përzier ato me rrahësin në punë shtoni fryrësin e ëmbëlsirave, sodën e bukës dhe kanellën

Bashkoni miellin me masën e lagur dhe rriheni deri sa të mos ketë më miell në sipërfaqe (mos e rrihni më shumë se ç’duhet)

Shtoni karrotat e grira dhe sigurohuni që gjithë masa të jetë homogjenizuar

Piqeni kekun ose kekët nëse e shpërndani brumin në disa tepsi, deri në pjekje të plotë (deri sa kur të ngulni një kunjë dhëmbësh, të dalë e pastër)

Lëreni të ftohet plotësisht

Sitni pak sheqer pluhur sipër përpara servirjes (opsionale)

Kikiliciouss Carrot Cake from Julia Janku on Vimeo.

Kikiliciouss Carrot Cake from Julia Janku on Vimeo.

 

 Fotografitë nga Eranda Janku

Videoja nga Julia Janku