Ditar

Guida e Kikiliciouss për të Rralluar Plastikën

Plastic-less

Guida e Kikiliciouss për të Rralluar Plastikën

(sipas Julias)

Plastika është një temë njëkohësisht entuziazmuese dhe frikësuese për mua. Sigurisht, në çdo libër dizajni – në histori përgjithësi – kush mund t’i imagjinojë vitet ‘60 pa revolucionin e plastikës, dizajnet e bukura të produkteve. Mirëfilli një epokë e re. Plastika revolucionarizoi mënyrën se si i shohim, prodhojmë dhe përdorim produktet, dhe përnjëherësh vjen natyrshëm (dhe ëndrra e dizenjuesve dhe kërkuesve të materialeve të asaj kohe u bë realitet) ta shohësh botën sot të rrethuar kudo nga plastika, në çdo hap.

Po, të rrethuar ngado. Në çdo kohë. Mendoj se këtu shfaqet edhe e papritura, dhe si një serial Netflix-i arrin të kuptosh se personazhi i mirë është në fakt i keqi. Çfarë ndodh tani me personazhin e keq?

Sipas një raporti nga Guardian, vlerësohet se 8,3 bilion ton plastikë është prodhuar që nga vitet ‘50 – e barazvlefshme me peshën e më shumë se 800.000 Kulla Eiffel. Dhe vetëm 9% e kësaj sasie është ricikluar. Sot, të paktën 8 milion ton plastikë hyn në oqeane çdo vit. Kjo është e ngjashme me shkarkimin e një kamioni plehrash në oqean cdo minutë. Sipas National Geographic, 73% e gjithë mbetjeve në plazhe është plastike. Ato perfshijnë bishta cigaresh, shishe, tapa shishesh, paketime ushqimesh, canta pazaresh dhe kuti polisterine.  

Teksa mbetjet e plastikës notojnë lirshëm në çdo anë, ne tek Kikiliciouss kemi vendosur që nga ky vit të fillojmë të jemi më të vetëdijshme mbi këtë cështje dhe të përpiqemi të ndihmojmë cdokënd ta kuptojë më mirë këtë kauzë dhe të na bashkohet në qëllimin tonë për të pasur sa më pak të jetë e mundur plastikë në jetët tona.

* Ne e dimë se sekreti në permbushjen e cdo vendimi është ndarja në hapa më të vegjël për të pasur një arritje pas tjetrës. Prandaj po e nisim me një përqasje “si të përdorim më pak plastikë”, më shumë se sa “si ta eleminojmë komplet platikën”, që mbetet një qëllim i joni gjithsesi, por për momentin pak i vështirë për t’u realizuar, sidomos në kontekstin tonë.

Prandaj, për t’ju ardhur në ndihmë në të pasurit të një jete me më pak plastikë, kemi listuar 6 veprimet më kryesore që ne po ndërmarrim, dhe shpresojmë që ta bëni dhe ju.

  • Po i themi mirupafshim pipëzave plastike

Ne i duam kafshët dhe duam që ato të jetojnë një jetë të lumtur në oqeane të pastra, ose nëse kjo është e pamundur, të paktën të jetojnë me rrugë frymëmarrjeje të pastra. E di që videoja e breshkës me pipëzën plastik të ngecur në vrimën e hundës mund të jetë shumë e vrazhdë për t’u parë, por një herë që e shihni nuk do të doni të prekni me pipëzë platike me dorë.

 

Në shtëpi dhe tek Kikiliciouss nuk kemi qenë asnjëherë përdorues të mëdhenj të pipëzave plastike. Mendoj se koktejlet janë pija e vetme që ka nevojë për pipëz, por edhe pse nuk kam ndërmend t’i lë koktejlet, jam e sigurt se plastika mund të zëvendësohet më së miri me celik të pandryshkshëm. Këto pipëza janë praktikë, të ripërdoshme, vizualisht të bukura dhe mbi të gjitha miqësore ndaj ambientit. Jam plotësisht pro tyre!

 

  • Shmangia e qeseve plastike dhe përdorimi i alternativave të ripërdorshme

Fakt është se në Shqipëri shumica e shitësve të japin një qeskë plastike thuajse me forcë pas blerjes, edhe kur produkti që blen është aq i vogël sa mund ta fusësh kollajshëm në cantën e dorës. Por më vjen mirë që pjesa më e madhe e njerëzve kanë filluar të preferojnë trastën, dhe gjithashtu më pëlqejnë pa masë dyqanet e supermarketet që kanë vënë një pagesë dhe nuk i lëshojnë qeset falas. Mund të jetë një pyetje e thjeshtë “Ju nevojitet një qese plastike?”, por është një moment ku mund të vendosni se cili është qëndrimi juaj në luftën kundër plastikes.

Sinqerisht, unë nuk i them jo gjithmonë qeses plastike; ndonjëherë ajo thjesht më nevojitet (sidomos kur e kam harruar trastën), por ajo që më pëlqen nga kultura shqiptare është se ne gjithmonë i ripërdorim qeset plastike. Në shtëpinë tonë (besoj se ashtu si në të gjitha shtepitë) i ruajmë qeset plastike dhe i përdorim për të futur plehrat. Mendoj se kjo është gjëja më e përshtatshme, duke qenë se gjithsesi tashmë nuk mund ta cbëjmë prodhimin e qeses.

A do të ishte më e këndshme që më pak qese plastike të prodhoheshin? Po!

 

  • Mund të mos kemi një sistem riciklimi, por riciklojmë brenda shtëpisë

Më pëlqente seleksionimi i mbeturinave kur jetoja në Paris, më jepte kënaqesinë e të diturit se edhe unë po kontribuoja në një sistem. Por, teksa ne nuk kemi një sistem të mirëfilltë ende në Shqipëri dhe unë praktikisht mund të shoh kamionët e plehrave që i hedhin të gjitha mbeturinat në të njëjtën hapësirë, kam hequr dorë nga seleksionimi dhe thjesht fus çdo mbetje në të njëjtin kosh.

POR, ne riciklojmë brenda shtëpisë, sidomos kur bëhet fjalë për tasat plastikë. Me kaq shumë gatime dhe pjekje, përfundojmë me një shumëllojshmëri tasash brenda javës, prandaj kemi vendosur që t`i rikthejmë në perdorim. Po, ndonjëherë bëhet qesharake teksa kërkon një tas Philadelphia të mbushur me Philadelphia e jo recel, karrota të grira apo pure manaferrash. Por në  fund jemi te kenaqur që nuk po krijojmë një pirg te madh me plehra në kosh.

Kjo është një praktikë tjetër që jam e sigurt që ndiqet në shumë kuzhina, dhe jam e kenaqur që riciklimi funksionon në shtëpitë shqiptare.

 

  • Xhami mbi plastikën

Kemi një shumëllojshmëri konteinerësh plastikë në kuzhinë, prandaj duke qenë se ata tashmë jane prodhuar, duket gjëja më e drejtë që të vazhdojmë t`i mbajmë në përdorim, dhe mos thjesht t`i hedhim (do të perfundojne në pirgun e madh të plastikës që noton në oqeane).

E thënë kjo, do të ishte mirë që tani e tutje të zgjidhnim konteinerët e xhamit (apo material tjetër i qëndrueshëm) mbi ato të plastikës. Xhami është një material shumë më i pastër e sanitar se plastika, edhe pse kushton më shumë, e nëse dëshironi të merrni drekën me vete në punë duhet të llogarisni edhe peshën që shton xhami. Por, mos harroni se cdo gjë është për një kauzë të mirë!

Duke qenë se më pëlqen ideja e riciklimit, xhami është kollaj i riciklueshëm. E sikur te mos mjaftonte kjo, ka kaq shumë ushqime që i blejmë në konteinerë xhami, si recelërat, ullinjtë, salcat e ndryshme etj. Këto konteinerë (kavanoza) kanë nevojë vetëm për një larje të mirë përpara se të nisin një jetë të re.

 

  • Shishet plastike të ujit

Kur keni mundësinë, thjesht shmangeni shishen plastike dhe përdorni një shishe shumë-përdorimshe. Përsëri, për shkak të sistemi tonë të ujit të pijshëm, ku më së shumti e blejmë ujin, një zgjedhje e mirë mund të jetë blerja e ujit në konteinerë më të mëdhenj dhe përdorimi i shisheve prej qelqi apo metali. Një gjë tjetër që më mungon nga Parisi është uji i pijshëm i aksesueshëm kudo, por kam shpresë se edhe në vendin tonë gjërat do të përmirësohen shumë shpejt në këtë drejtim.

 

  • Furçë dhëmbësh prej bambuje?

Furçat plastike të dhëmbëve krijohen nga një përzierje materialesh plastike të ndryshme, që përmbajnë elemenete si goma, nafta bruto, duke mos harruar dhe plastikën e kartonin e paketimit. Mbi 99% të furçave të dhëmbëve në botë janë plastike. Nga ai lloj plastike që nuk ricikllohet dhe përfundon në oqeane, për të mos u shpërbërë kurrë. Prandaj kam vendosur të hedh sytë nga furçat prej bambuje. Bambuja është një ndër materialet më të qëndrueshme, rritet thuajse 60 cm cdo ditë dhe duke qenë një lloj barishteje, është plotësisht i biodegradueshëm dhe i kompostueshëm. A nuk i ndjeni dhe ju shkëndijat e gëzimit?

 

About us

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit. Suspe ndisse suscipit sagittis leo sit met condimentum estibulum issim Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur cing elit.