Feira Afonsina

03/07/2018

Artikull nga Eranda

 

Për të gjithë ata që më kanë ndjekur, e dini se 5 muaj më parë u zhvendosa në Portugali, një vend që gjithnjë më kishte pëlqyer, por nuk e kisha vizituar asnjëherë. Përveç motit shumë-shumë të keq (deri pak javë më parë kemi pasur vetëm shi dhe kohë të ftohtë), e gjithë përvoja e të jetuarit këtu ka qenë e mrekullueshme! Më pëlqejnë kaq shumë vendasit, vendi është absolutisht magjik e madje edhe gjuha më ka hyrë në qejf. Oh, jam bërë edhe një adhuruese e Verës së Portos dhe ëmbëlsirave Pasteis de Nata! Nëse ende nuk i keni provuar, nuk e dini çfarë jeni duke humbur! Por, për këto do të flas më shumë në një artikull tjetër. Në këtë posim dua të ndaj me ju një përvojë mahnitëse udhëtimi prapa në kohë.

 

Gjatë katër ditëve të fundit, këtu në qytezën time në Veriun e Portugalisë, Guimaraes –vendlindja e Portugalisë si shtet – kemi udhëtuar në Epokën e Mesjetës. Giumaraes është një qytet i vogël por shumë i lezetshëm historik, që të jep përshtypjen e të qenit në një vendxhirim filmash me të gjithë shtëpitë shumëngjyrëshe, rrugicat e ngushta dhe kopshtet e vogla me portokalle. Me festivalin e “Feira Afonsina” që u zhvillua gjatë fundjavës, kjo ndjesi ishte edhe më e gjallë! Feira Afonsina është një festival 4-ditor, i cili e shndërron qytetin në një fushëlojë Mesjetare. Një mori aktorësh i japin jetë fshatit mesjetar të vendosur pranë kalasë; zhvillohen beteja me shpata e kuaj në Pallatin Dukal, tregje të ndryshme popullojnë rrugët e sheshet, lypsarë dhe njerëz të sëmurë ende netëve, një bordello e improvizuar tërheq të rinjtë teksa vajzat dalin jashtë për të joshur meshkujt, ushqimi që gatuhet dhe shërbehet pikërisht si qindar shekuj më parë, dhe plot aktivitete të tjera!

Ky është momenti për të ndjekur një udhëtim ushqimi mesjetar. Përpos tregjeve, edhe restorantet dhe baret shndërrohen plotësisht, me tavolinat e drurit, ulëset prej kashte, flamujt, gotat dhe pjatat e drurit, e madje i gjithë stafi vishet me veshje mesjetare. Pjatat kryesore të shërbyera gjatë këtyre ditëve janë ato tradicionale portugeze që datojnë në këtë periudhë. “Prego” e famshme me mish derri dhe djath, bukë dhe chorizo, sardele të pjekura, bacalhau, oriz dhe fasule, krepa dhe sigurisht, një shumëllojshmëri verërash dhe rum.

Gjëja më emocionuese është se nuk janë vetëm aktorët qe zhyten plotësisht në një botë mesjetare, por çdokush mund të përfshihet në këtë festim argëtues. Lehtësisht ju mund të merrni veshje me qera dhe t`i vishni për katër ditë. Mund të merrni dhe mësime në gjuatje me hark, luftim me shpatë, apo kalërim, ose mund të merrni pjesë në eventet me kërcime brenda në kështjellë.

Është e mrekullueshme se si i gjithë qyteti organizohet në mënyrë vullnetare të mirëpresë një event të tillë që sjell mijëra vizitues. Kjo është jo vetëm një mënyrë e mahnitshme për t`i dhënë një shtysë veçorive vendase kulturore, por edhe një mënyrë shumë e zgjuar për të treguar historinë e shtetit të Portugalisë, duke shkuar përtej librave dhe muzeve, duke dale në rrugë aty ku më parë ndodhte gjithçka. Qyteti merr një përfitim edhe nga ana ekonomike, me ardhjen e një morie turistësh që marrin pjesë në festival. Një event me të vërtetë i lavdërueshëm që sjell së bashku shumë njerëz.

 

Një kontekst i shkurtër historik për “Feira Afonsina”:

Nën temën e “Traktatit të Zamoras”, ky festival përshkruan një periudhë paqësimi midis Mbretit Afonso Henrik dhe kushëririt të tji Perandor Alfonso VII, mbret i Leon. Ky moment shënon edhe një pike kthese më mënyrën se si Mbreti Afonso Henrik fillon të shfaqet mes të barabartëve të tij, që tani e tutje ai do të njihet me titullin Mbret, dhuruar nga mbreti i Leon, përmes traktatit që rezultoi nga takimi i tyre në Zamora në Tetor 1143. Ky ndryshim statusi solli edhe një ndryshim në konfigurimin e një statusi të ri territorial. Përmes ndërhyrjes së kardinalit Guido de Vico, trashëguesit të Papës, Mbreti Alfonso Henrik pranoi statusin e ri, megjithatë një nga kushtet ishte të premtonte se do të mbante aleancën me kushëririn e tij. Ky imponim nuk ishte i kënaqshëm për mbretin portugez, i cili shpejt feudalizoi mbretërinë e re nën Selinë e Shenjtë.

Feira Afonsina 2 Feira Afonsina 3 Feira Afonsina 4 Feira Afonsina 5 Feira Afonsina 6 Feira Afonsina 7 Feira Afonsina 8 Feira Afonsina 9 Feira Afonsina 10 Feira Afonsina 11 Feira Afonsina 12 Feira Afonsina 13 Feira Afonsina 14 Feira Afonsina 15 Feira Afonsina 16 Feira Afonsina 17 Feira Afonsina 18 Feira Afonsina 19 Feira Afonsina 20 

 

Fotografitë nga Eranda Janku