Ekspozita “Fenomenologjia e Objektit”

18/03/2015

MAD Center është një nga galeritë më inovatore, e cila promovon në Shqipëri Artin Alternativ, Dizajnin e Aplikuar, Ide dhe Projekte mbi Dizajnin, si dhe Arkitekturën. Këtë herë kjo galeri na solli një ekspozitë të titulluar “Fenomenologjia e Objektit”, punuar nga studentët e vitit të dytë të degës “Art&Dizajn” të Universitetit Polis, dhe kuruar nga pedagogët Ermal Bezhani dhe Dea Buza.

Nuk mund të qëndroja dot pa e ndarë me ju këtë ekspozitë, e cila tregon më së miri evolimin profesional të studentëve dhe kreativitetin e tyre. Keni mundësinë për ta vizituar këtë ekspozitë pranë ambjenteve të Universitetit Polis, por nxitoni pasi ajo mbyllet brenda pak ditëve !

Foto2

Koncepti i Ekspozitës

Fjala Objekt rrjedh nga latinishtja, “obicere” me kuptimin “për të vendosur përpara”, “çfarë është vendosur para mendimit apo pamjes”. Çdo gjë materiale, imateriale, konkrete, e ndjeshme apo imagjinare, e cila mund të perceptohet nga shqisat apo nga truri; ajo çka është jashtë subjektit, e ndryshme nga subjekti mendimtar. Fenomenologjia është një traditë filozofike, apo lëvizje e bazuar në premisën se realiteti përbëhet nga objekte dhe ngjarje, pasi ato perceptohen ose kuptohen në ndërgjegjen e njeriut dhe nga asgjë e pavarur nga ndërgjegja e njeriut.

Fenomenologjia përbën analizën e objektit në qëllimshmërinë e tij. Ajo shqyrton dhe ekzaminon vlerën e objekteve të njohura nga ndërgjegja. Pretendon të jetë një kthim tek gjërat, një përpjekje për të lënë objektet të flasin, ato aspekte që prekin ndërgjegjen njerëzore.

Objekte të ndryshme të përdorimit masiv janë dekontekstualizuar, fragmentizuar dhe integruar për të formuar objekte të reja. Aspekti i tyre formal ka gjetur ripërdorim në struktura të reja. Gjithashtu disa objekte me origjinë organike, të cilat nuk kanë patur aspak një tipar funksional dhe janë konsideruar si “objekte artistike”, vepra dekorative, shpesh të vendosura mënjanë për një periudhë të caktuar, janë mishëruar në objekte të reja për përdorim masiv.

 

Proçesi

Problematikat me të cilët studentët janë përballur vijnë nga një analizë e nevojave të tregut dhe tendencave bashkëkohore. Objektet e projektuara kryesisht janë propozuar nga ana e tyre tek klienti (industria), për në treg.

Problemi është zbërthyer në dy përbërës kryesor : fizik dhe psikologjik. Përbërësi fizik ka të bëjë me formën e objektit që është projektuar, kurse përbërësi psikologjik ka të bëjë me raportin ndërmjet objektit dhe përdoruesit.

Jane studiuar aspektet funksionale, raporti i objektit me përdoruesin, si dhe ergonomia. Gjithashtu është menduar jetëgjatësia e objekteve, e cila shkon së paku 10 vjet.

Është marrë në konsideratë fakti se objektet duhet të realizoheshin me materiale dhe teknologji, brenda mundësive të prodhomit në vend, në mënyrë që të përfitohej rezultat maksimal me sa më pak shpenzime.

Në këtë pikë “hyn në skenë” kreativiteti. Lindja edhe e disa ideve të një estetike të logjikës, të cilën e hasim në të tjera forma organike si drurë, gjymtyrë, forma vegjetale, kafshë, minerale etj., ku forma është rezultat i pasojave logjike.

Nga kjo sintezë kreative janë krijuar dhe modelet, në shkallë të zvogëluar apo reale. Këto modele janë vënë nën shqyrtimin selektiv, së pari nga vetë studentët, dhe më pas nga pedagogu. Kështu atyre u janë bërë disa prova finale për të arritur së fundmi tek prototipi final.

Foto1 Foto3 Foto4 Foto5 Foto6 Foto7 Foto8

 

Fotografitë nga Eranda Janku