Bars të shëndetshëm pa pjekje

Një recetë e kërkuar shumë së fundmi e madje as ne nuk e dimë pse nuk e kemi ndarë me ju më parë. Bars të shëndetshëm pa pjekje, janë alternative ideale si për mëngjes apo zamër të shëndetshëm, të shpejtë e pa shumë mundim.

Mund të marrim pak kohë gjatë një dite të lirë dhe të kemi bars përgjatë gjithë javës. Mjafton pasi ti presim ti mbështjellim me letër celofoni dhe ti ruajmë në frigorifer.

 

  • Mund të përdorni kajsi apo fiq të thatë në vend të hurmave të arabisë nëse dëshironi.
  • Gjithashtu dhe frutat e thata mund ti kombinoni sipas dëshirës suaj.

Përbërësit:

400 gram hurma arabie

125 gram arra

70 gram bajame

50 gram arrë kokosi e grirë

pak kripë me majat e gishtave

70 gram fara luledielli dhe kungulli

 

Proçedura:

Pastroni hurmat e arabisë nga bërthama e tyre.

Në një grirës ushqimor vendosni hurmat e arabisë dhe pulsoni për disa sekonda deri sa të fillojë masa të bëhet njësh.

Shtoni të gjithë përbërësit e tjerë me rradhë duke lënë pak mënjanë fara luledielli dhe kungulli.

Pulsoni disa sekonda, fikni, përzieni me një spatul nëse është e nevojshme dhe pulsoni sërish deri sa të keni konsistencën finale.

Deri sa kur të merrni pak masë në dorë dhe ta shtypni ajo të mbajë formën e saj.

Përgatisni një tepsi katrore 20×20 cm me letër furre duke u siguruar që të lini të paktën 2 anë jashtë (kjo do të bëjë të mundur daljen e masës më vonë tejet lehtësisht).

Vendosni brumin brenda, sheshoni pak me dorë, shtoni farat e mbetura të lulediellit dhe kungullit dhe vazhdoni me dorë të presoni masën.

Për ta ndihmuar sa më shumë këtë proçes vendosni një tjetër letër furre sipër dhe me dorë ose ndonjë enë qelqi filloni ushtroni presion në mënyrë që bars të jenë kompakt.

Vendoseni masën në frigorifer të mpikset, ose nëse nuk keni kohë vendoseni tek ngrirja për 30 minuta.

Nxirreni duke e hequr lehtësisht të gjithë masën duke përdorur anët e dala të letrës së furrës.

Prini bars tuaj me një thikë të madhe në formën dhe madhësinë e dëshiruar.

Kruasant të shpejtë dhe thjeshtë

Kjo ishte padyshim një nga recetat më të kërkuara. Kruasantët, si ti bëjmë ato në kushte shtëpie. Si një njeri që nuk duroj dot shumë kur vjen puna tek gjërat e mira e sidomos ëmbëlsirat, nuk mund të prisja 3 ditë që të shijoja një mrekulli si krusanti. Prandaj fillova të kërkoj, pyes e provoj një recetë e cila të përfundonte brenda disa orëve. Pas disa dështimeve, erdhëm me këtë formulë e cila ka rezultuar shumë e suksesshme.
Mjafton të krijoni pak kohë përgjatë një dite pushim tuajën dhe mund të keni kruasant përgjatë gjithë javës ose dhe më tepër.

Do t’ju sugjeroja të përdorni gjalpin tuaj të preferuar, duke qënë se gjalpi është kryefjala e kësaj recete. Do të rekomandoja të mos përdorni një gjalp me aromë (kryesisht gjalpi shqiptar ka një aromë shumë të fortë).
Mund ti mbushni kruasantët tuaj me ç’tju dojë zemra; bosh, të ëmbla dhe kripura. Receta jonë ju jep fleksibilitet dhe kreativitet të lirë.

Përbërësit:
600 gr miell buke
1-1/2 TBSP (13 gr) maja e thatë
75 gr sheqer
390 ml qumësht i ngrohtë
250g gjalp i butë
1 tsp kripë
1 e verdhë veze + 1tsp qumësht

Proçedura:
Shtoni gjysmën e qumështit tek tasi dhe shtoni majanë.
Përzieni, mbulojeni dhe lëreni të vijë për 10 minuta mbuluar me një peshqir gatimi.
Shtoni miellin, sheqerin, kripën dhe pjesën tjetër të qumështit.
Punoni brumin për 5-6 minuta në shpejtësi maksimale ose deri sa te bëhet një masë.
Përdorni çengelin nëse do të përdorni robotin e guzhinës.
Mbuloni tasin dhe lëreni për 1 orë që masa të dyfishohet.
Kthejeni brumin tek një sipërfaqe e pluhurosur me miell dhe ndajeni në 18-20 copa.
Mund të përdorni peshoren nëse doni të jeni ekzakt ose mund ta ndani me sy.
Hapni çdo copëz brumi në formë disku ose drejtkëndëshi jo shumë të madh.
Përdorni një tepsi biskotash që jua nxë akulli dhe shtroni letër furre.
Vendosni petën e parë të brumit dhe lyejeni me gjalp.
Vendosni sipër një petë tjetër duke e hapur me dorë nëse është më e vogël se baza poshtë, dhe vazhdoni kështu deri sa të mbarojnë petët.
Shtypni shumë pak shtresat njëra me tjetrën, më pas mbylojeni me letër celofoni dhe vendoseni në akull për 30 minuta.
Nxirreni nga akulli dhe hapeni petën me okllai, duhet të jetë diku tek 0.5 cm e trashë.
Me një prerëse pice ose thikë të madhe ndani brumin në trekëndësha të barabartë.
Prijeni pak fillimin e trekëndëshit në mes (pjesën më të gjerë) dhe më pas rrotullojeni nga këndi më i gjerë duke marr formën karakteristike të kruasantit.
Vendosini në tepsinë ku do ti piqni, mbulojeni me një peshqir gatimi dhe lërini të vijnë për 1-2 orë nëse keni kohë në dispozicion.
Në të kundërt minimumi 30 minuta.
Ndizni furrën në temperaturë 180°C.
Rrihni të verdhën e vezës me qumështin dhe lyeni kruasantët me furçë.
Piqini ato për 18-20 minuta ose deri sa të kenë marrë një ngjyrë kafe të artë.
*Nëse dëshironi ti ruani për më vonë, mund ti ngrini kruasantët e papjekur në akull dhe ti gatuani kur ju të dëshironi.
Kështu do keni kruasant të freskët në çdo kohë, pa u kufizuar në keni kohë për ta përgatitur recetën apo jo.

Keto Brownies

Brownies është një nga ato receta që klikohet gjithmonë, pa dallim stine apo periudhe. Një recetë klasike, aq e shijshme sa zor të zëvendësohet në llojin e saj.

Dietat Keto nga ana tjetër janë bërë shumë popullore së fundmi. Në përpjekje për të krijuar një recetë Brownies e cila të ishte Keto, përfundova në këtë mrekulli që në fakt ia rekomandoj të gjithëve ta provojnë; janë apo jo në një regjim Keto!

  • Sheqerin e kokosit mund ta zëvendësoni me çdo tipologji sheqeri që dëshironi, por ju sugjeroj atë të kokosit pasi dhe shija që ai siguron është e veçantë.
  • Miellin e bajameve mund ta përgatisni fare kollaj vetë në shtëpi duke pulsuar bajame natyrale në një blender ose grirës ushqimor deri sa të keni konsistencën e miellit. Nëse doni të jeni tejet të kujdesshëm mund tia qëroni lëkurën bajameve duke i futur për pak sekonda në ujë të valuar.

Continue reading “Keto Brownies”

Kek Çokollate me Kinoa pa Miell

 

Ky kek çokollate me kinoa, pa miell, është një nga kekët më të butë që do të provuar ndonjëherë. Ka gatimin më të thjeshtë që keni parë dhe ju mbetet vetëm minutazhi i pjekjes për të shijuar një kek të tillë.

Receta si kjo, janë një shembull shumë i mirë se si mund ta përdorim dhe jemi kreativ me kinoan e gatuar. Uroj të mos jem e vetmja që sa herë vendos të gatuaj kinoa, ziej më shumë se ç’duhet dhe gjithmonë më mbetet tepër. Nëse nuk e gatuaj brenda 2 ditëve, ajo bëhet për tu hedhur dhe prandaj e sfidoj gjithmonë veten që të krijoj receta të ndryshme me atë çfarë më mbetet.

Continue reading “Kek Çokollate me Kinoa pa Miell”

5 Bimët ideale për kuzhinën tuaj

Ndonjëherë bimët mund të bëhen miqtë tuaj më të mirë. Parë qoftë nga syri i dizajnerit, ku nuancat e bukura të jeshiles ndihmojnë në gjallërimin dhe hapjen e një hapësire; të një entuziati bimësh, ku do të ndieni kënaqësinë e të kujdesurit për to tërë dashuri; apo thjesht të një personi të apasionuar pas ushqimit, ato gjethet e borzilokut vërtetë që janë një mrekulli kur gjenden një lëvizje dore larg apo jo?

Ne i adhurojmë bimët, prandaj duam t’ju ndihmojnë me një guidë mbi bimët që duhet të mbani në kuzhinën tuaj – qoftë duke i mbjellë vetë plot dashuri farat e vogla, apo duke adoptuar një bimë të rritur e duke i dhuruar një shtëpi, ato lidhen me kaq shumë afeksion, të cilin nuk mund ta humbisni. Për më tepër, vjeshta erdhi, të dalurat e verës po vijnë drejt fundit dhe me të ftohtin që na mbledh në shtëpi, është atmosfera e duhur për të investuar në gjelbërimin e shtëpisë suaj.

Fakt shumë i rëndësishëm është edhe aftësia e bimëve për të qetësuar sytë e rritur kreativitetin – në rast se nuk ishit ende të bindur pse duhet t’i bëni ato pjesë të përditshmërisë suaj.. Prandaj merrni një laps dhe nisni listën e bimëve që duhet të blini:

Dredhka Angleze (Hedera Helix)
Një nga bimet më të lehta për të rritur brenda shtëpisë, dredhka angleze është perfekte për t’u varur pranë lavamanit apo dritares. Gjethet e saj me majë, me një shumëllojshmëri nuancash jeshile dhe spërkatje të bardhe, të verdhe e të zeze i shtojnë ngjyrë kuzhines suaj. Kjo bimë ndihmon me purifikimin e ajrit, duke qenë një nga pakësuesit më të mirë të papastërtive të brendshme, si formaldehidet, benzenet, myku dhe bakteriet. Thjesht sigurohuni ta mbani larg nga qeni, macja apo të tjerë miq katër-këmbësh pasi për to është helmuese.

Aloe Vera (Aloe Barbadensis Mille)
E njohur edhe si “bima e përjetësisë”, duhet të jeni me të vërtetë të pazotë të mbani një lule nëse arrini të vrisni një aloe vera. Kjo bimë e bukur dhe me një pamje të vecantë, e mbushur me vitamina dhe minerale të mira për lëkurën, është praktikisht një farmaci shtëpiake. Çfarë e bën perfekte për ta mbajtur në kuzhinë, është aftësia e saj për të shëruar djegiet. Thjesht prini një nga gjethet e poshtme pranë kërcellit, hiqni gjembat anësore, ndajeni gjethen përgjatë gjatësisë dhe lyeni lëkurën e djegur me të brendshmen xhelatinoze.

Jasemina e Bardhë (Jasminum Polyanthum)
Bimët lulëzuese janë zakonisht një sfidë e vërtetë për t’u rritur në ambiente të brendshme, por jasemina e bardhë (e quajtur shpesh edhe jasemina rozë, në varësi të ngjyrës), rritet mirë brenda, sidomos në muajt e dimrit. Duhet të siguroheni t’I jepni ca me shumë kujdes se bimëve të tjera, por aromat që ajo i dhuron kuzhinës suaj bëjnë që t’ia vlejë i gjithë mundi. Kjo aromë delikate por jo dominuese do të bëjë që kuzhina juaj të ketë gjithmonë një erë të mirë dhe të freskët; edhe kur nuk jeni duke pjekur dicka të shijshme, kjo do të jetë përherë dhoma më e ëmbël e shtëpisë. Që të siguroheni që jasemina juaj të lulezoje, mbajeni në një zonë parcialisht të ndriçuar të kuzhinës dhe kujdesuni që dheu të jetë përherë i lagësht.

Foto nga Stephanie Studer në Unsplash

 

Bima Merimangë (Chlorophytum Comosum)
Nje bimë tjetër që kërkon fare pak përkujdesje është bima merimangë; e aftë të rritet më së miri në një shumëllojshmëri kushtesh dhe me të vërtetë që kërkon fare pak vëmendje. Ajo mund të mbahet kudo në kuzhinë dhe kërkon ujitje të rastit e krasitje të rralla. Duhet vetëm pak mundim për ta mbajtur të shëndetshme, ama ajo do jua shpërblejë duke pastruar ajrin, duke hequr aromat e këqija, tymrat dhe ndotës të tjerë të ambientit.

Borziloku (Ocimum basilicum)
Borziloku është një nga bimët e preferuara në kuzhinën tonë. Një vazo e mbushur plot, e cila shpërndan një aromë të mrekulleshme sa herë që një flad i lehtë i kalon përmes. Borziloku e do diellin dhe duhet ta ujisni sa herë që shihni se dheu po thahet. Kujdesuni që ta mbani borzilokun tuaj të lumtur e ai do ju bëjë juve edhe më të lumtur. Thjesht kujtohuni t’i tregoni ëmbëlsi hereën tjetër që shkulni gjether për të përgatitur peston tuaj.

 

Foto kryesore nga Brina Blum në Unsplash

Ndalesa e rradhës, Barcelona

Artikull nga Julia

 

A është Barcelona në listën tuaj të udhëtimeve? Unë sapo e vizitova dhe përsëri nuk dua ta heq nga lista ime. Ja përse…

Atraksionet

Barcelona është një qytet në të cilin gjenden të gërshetuar gjurmë të ndryshme arkitekture; nga origjina ushtarake mesjetare deri tek modernizmi lulëzues. Arkitektët e shekullit të XX e vunë Barcelonën në vendin e parë në avant-gardë. Zhvillimet në dizajn dhe inovacion, të kombinuara me një sens urbanizmi dhe vlera ekologjike e ndryshuan kryeqytetin katalanas në një nga qytetet më të njohura të kontinentit.

Gaudi është ndoshta emri i parë që vjen në mendje kur mendon për Spanjën, dhe në fakt, prania e tij në Barcelona është e gjallë në një mënyrë që nuk mund të mos biesh në dashuri me këtë gjeni. Që nga La Sagrada Familia mahnitëse tek Park Guell, ishte e vështirë për mua të mos mbesja e shtangur tërësisht dhe të doja të mësoja më shumë mbi dizajnin, mendimin pas çdo vepre, dhe mbi vetë personin e Gaudit. Në një shëtitje në qytet mund të shihni lehtësisht një mori kryeveprash të këtij autori, si Casa Batlló, Cascada Fountain tek Parc de la Ciutadella, Casa Calvet, Casa Vicens, etj.

Çfarë më pëlqen pa masë në Barcelona janë sheshet e shumta; ato të mëdhatë, e mbi të gjitha sheshet e vogla. Vërtetë ka një ndjesi sikur vetë qyteti të thotë “thjesht ngadalëso dhe qetësohu”. Më pelqeu veçanërisht Lagja Gotike; endjet në rrugicat e ngushta dhe më pas rigjetja e një sheshi të ri, papritmas. Kaloni pak kohë në Plaza Catalunya, kryqëzimi i Lagjes Gotike, Raval dhe Eixample; Plaza Sant Jaume (por jo kur ndodhin protesta ama, ky është një vend i famshëm, ku mblidhen barcelonasit kur duan vëmendjen e shtetit te tyre); Plaza del Rei, një shesh i kufizuar ngushtësisht nga atraksione të ndryshme, por që përsëri sundohet nga një qetësi e paqtë, e cila thyhet vetëm nga këmbanat e Katedrales së Barcelones. Sheshi i MACBA-s (Muzeu i Artit Bashkëkohor i Barcelonas) është një vend i këndshëm për të shijuar një birrë teksa të rinj të shumtë tregojnë aftësite e tyre me një skateboard apo në kërcime.

Nëse edhe ju jeni një art dashës, bëni një xhiro në Calle de Avinyó, rruga ku ndodhej bordelloja që frymëzoi “Les Demoiselles d’Avignon” të Pikasos. Është e lezetshme të gjesh kaq rastësisht një skicë të pikturës në një mur të rrugës.

Barcelona është e pasur edhe me një variete muzesh, por këtë herë unë ndjeva nevojën të njihesha më shumë me qytetin përmes ecejakeve dhe shëtitjeve, e armatosur me një hartë offline dhe shumë krem kundër diellit.

 

Këshilla e Julias:

  • Prenotojini biletat e atraksioneve online pasi kështu do të keni edhe mundësinë e kapërcimit të rradhës, e për pasojë më shumë kohë për të shijuar ditën tuaj. Gjithashtu mundohuni të zgjidhni çfarë me të vërtetë është me interes për ju, duke qenë se ka kaq shume mundësi e do të bëhet e vështirë e stresuese nëse e mbingarkoni itinerarin. Unë humba në kopleksin e Hospital de Sant Pau dhe e harxhova kohën time aq sa nuk pata mundësi të vizitoja qendrën për turistet, edhe pse e kisha biletën.
  • Nëse nuk keni ndër mend të prenotoni një tur me guidë, thjesht bashkangjituni njërit. Duke qenë se mund të kuptoj edhe anglisht edhe spanjisht, ishte shumë e lehtë për mua të mesoja detaje që nuk do t’I kisha ditur e vetme. Për shembull sesi dyqani i dhuratave në Park Guell, banesa origjinale e portierit, është e dizenjuar me frymëzim nga elefanti – kulla përfaqeson hundën e elefantit, kurse brendësia e tavanit është dizenjuar sipas formës së brendësisë së gojës së kësaj kafshe. Apo si se në pedimentin në fasadën e Pasionit të La Sagrada Familia, Jezusi nuk është portretizuar në mes të skulturave, por i ulur lart në uren që lidh dy kullat. Është argëtuese të mësosh detaje të tilla të çuditshme e njëkohësisht të fshehësh habitjen e te qeshurën në përpjekje për të mos treguar se gjatë gjithë kësaj kohe ke dëgjuar bisedat e personave të tjerë. Por ia vlen!
  • Thjesht humbni nëpër qytet. Do ta gjeni veten në një vend të ri dhe entuziasmues.

  

 

Ushqimi

Kur flas për ushqimin, përvoja ime ne qytet mund te titullohet “Rreth botes ne Barcelona”. Kisha fatin e mirë të kisha mikpritës të shkëlqyer, të cilët më tregonin vazhdimisht vende të reja. Kjo bënte që herë pas here të mos i hidhja fare sytë nga harta e si për pasojë nuk e dija më në çfarë cepi të Barcelonas kisha përfunduar. Është bukur të shohësh e të provosh gjithnjë gjëra të reja. Kur flasim për ushqimin, Barcelona nuk është aspak një vend i mërzitshëm.

Vakti im i parë në Barcelona ishte ndoshta më spanjolli i mundshëm: cerveza (birrë) dhe nachos. Çfarë kombinimi i mirë. Mendoj se kujtimet më të bukura krijohen kur je duke shijuar ushqim të mirë, qoftë një bruch i bukur dhe i shijshëm në Alsur Café teksa vështon Palau de Música Catalana – një drekë vegane përballë La Sagrada Familia – një darkë në një restaurant në një qoshkë të fshehur, ku porosia kryhet duke shënuar artikuj në një copë letër dhe ushqimi shijohet në një tavolinë të madhe, rrethuar nga të huaj miqësorë – një tas ramen fill pas një pasditeje në plazh apo një meze mesnate, me bukë domateje, chorizo al diablo dhe kaq shumë vermuth në një tavernë me stola të vjetër druri ku çdokush përshëndetet mirupafshim nga një tringëllimë këmborash të varura në një litar. Përfshi edhe disa arepa në një pasdite me shije venezueliane, dhe ky është momenti kur e pyes veten, çfarë tjetër do të gjeja nëse qëndroja më gjatë në Barcelona?

 

Këshilla e Julias:

Nëse nuk keni edhe ju një mikpritës në Barcelona, bëni një kërkim të mirë për të gjetur vendet që kënaqin më shume shijet dhe urinë tuaj. Gjithashtu mos harroni të vizitoni markatat e shumta të ushqimeve. Unë isha një turiste në La Bouqeria, dhe më pas një kliente në Markatën e Santa Caterinas, duke qenë se ndodhej më pranë apartamentit tim. Madje arrita të gjej edhe specat e gjatë jeshile që janë kaq të vështirë për t’u gjetur jashtë Shqipërisë, dhe arrita të gatuaj fërgesë për miqtë e mi. Kaq shumë njerëz po përpiqen të më bëjnë ta mendoj idenë një restoranti me tapas të frymëzuara nga Shqipëria. Hmm!

 

 

Plazhi

Çfarë e bën Barcelonën një qytet kaq të mrekullueshëm, është se pas kaq shumë atraksioneve dhe kaq shumë ushqimesh të shijshme, dita ende nuk quhet e përfunduar pa një vizitë në plazh. Sa gjeniale eshte kjo!? Plazhi është një vend i shkëlqyer për të takuar njerëz te rinj (në rregull, njerëz shumë të bukur), të shijosh diellin (që në verë perëndon pas orës 9:30) dhe të notosh sa të duash. Barceloneta është plazhi më i afërt dhe lehtësisht i arritshëm (thjesht merrni metronë L4). Ajo ofron pamjen klasike të plazhit barcelonas, me hotelin W në sfond. Pika e dobët është uji, i cili nuk është shumë i pastër, më kujtonte më shumë plazhin e qytetit të Durrësit.

Do ju këshilloja të shkoni në plazhin Playa de Bogatelli, pak më tutje nga qendra, por shumë më i pastër dhe i bukur. Uji këtu ka kthjelltësinë e atij të Jugu tonë, prandaj më besoni për ndryshimin.

 

Këshilla e Julias: 

  • Ruajini objektet tuaja personale me kujdes. Barcelona është e njohur për hajdutët e xhepit apo njerëz që thjesht të marrin objektet nga dora, prandaj shmangni pasjen e shumë parave më vete, mbajtjen e celularit pa kujdes apo të qenit të pakujdesshëm. Cdo gjë që ju duhet është para sa për një birrë, dhe nëse jeni në çift apo grup më mirë lahuni me turne. Nëse jeni vetëm, e hëngrët! Haha, jo, thjesht ndoshta bëjini mirë llogaritë përpara se të kridheni në det…
  • Shfrytëzojeni atë abonim palestre dhe ushtrohuni pak para udhëtimit tuaj në Barcelona. Nëse po udhëtoni në verë, do më falenderoni për këtë këshillë. Dhe mundohuni të jeni diskretë, pas një palë syzesh dielli teksa admironi trupat e bukur femërorë e mashkullorë (sepse do të jetë e vështirë të mos i ngulni sytë ndonjëherë). Ah, më mungon Barcelona!

 

Fotografitë nga Julia Janku

Dropulli – gati për t’u eksploruar!

Artikull nga Eranda

Shqipëria për shumë vitë ka qenë destinacioni i arratisjes për ato turistë, të cilët ishin aq të guximshëm sa të ekploronin një vend të vogël dhe të panjohur, shpesh i paragjykuar nën stigmën e stereotipeve të ndryshme, por në të vërtetë një perlë e fshehur mirë, me mjaft surpriza dhe aventura autentike, e cila edhe pse shpesh e papërgatitur të presë turistë, ka ditur gjithnjë se si të hapë dyert e saj dhe mirëpresë miqtë, në çfarëdo kushtesh dhe rrethanash. Konsideruar si një nga zbulimet e reja të Ballkanit, Shqipëria e vogël “ekzotike” është sot një nga destinacionet më të përfolura. Në pak orë ke mundësinë të hipësh në majën e Tomorrit apo Thethit, të lundrosh e shëtisësh nëpër Valbonë, ose Osum, të shijosh bregdetin e kaltërt të Rivierës, të përhumbesh nëpër bukuritë magjepsëse të liqeneve të Lurës, të shëtisësh nëpër kalatë e shumta që popullojnë thuajse çdo qytet, të mësosh historinë e vendit dhe njohësh kulturën Shqiptare në qytete si Kruja, Shkodra, Gjirokastra, apo Berati, apo edhe të shijosh gamën e pafund të ushqimeve që ofrohen nga Veriu në Jug!

Por bukuria e vërtetë e një vendi si Shqipëria, është që çdo centimetër i tij është në fakt një destinacion për t’u zbuluar! Për fat të keq, ose të mirë një pjesë e mirë e vendit mbetet ende sot e paeksploruar, dhe kjo përbën një tjetër lloj aventure nëpër Shqipërinë e bukur të të papriturave! Autenticiteti dhe fisnikëria në fakt gjenden aty, ku askush nuk bën reklamë, ku askush nuk ndalon për më shumë se disa minuta, aty ku në hartë nuk ka asnjë “pin” me informacion, apo të dhëna. Mes maleve, nën një qoshkë të luginës, përtej një lumi, ku ura që të lejon të kalosh është shembur, thujse në fundin e një rrugë që në fakt nuk përfundon asgjëkundi, apo edhe midis dy destinacioneve të bujshme, gjenden perlat e vërteta, të cilat të ofrojnë atë që është Shqipëria e vërtetë. Shpesh e varfër, dhe pa shume bujë, por me një pasuri të një lloji tjetër, më një mikpritje fisnike, më një kulturë dhe histori të pasur, me një kulinari që të bën të humbësh toruan, dhe me njerëz të dashur, që s’do të të lënë të largohesh pa të ofruar çdo gjë të mirë që ju gjendet në shtëpi. E në fakt, kjo është Shqipëria që duhet të njohim! Jo vetëm turistët e huaj, por mbi të gjitha ne vetë!

Sot do të nisemi për në një destinacion, për të cilin ndoshta keni dëgjuar pak, ose aspak. Do të nisemi drejt njërës prej portave të vendit, e cila e ndodhur midis dy kulturave, asaj Shqiptare dhe Greke, ka marrë më të mirën e të dyjave dhe e ka materializuar atë në një perlë, që ofron pa fund për të njohur e vizituar! Me të lënë Gjirokastrën, hyn në Dropull, një vend magjepsës, për të njohur të cilin do të të duhen një palë këpucë të rehatshme, një makinë off-road dhe ajo që është më e rëndësishmja: kurioziteti për të zbuluar dhe njohur një pejzazh përrallor mes Drinosit dhe Buretos e Nëmërçkës.

Me një karakter totalisht rural, zona e Dropullit ka plot 41 fshatra, të cilët popullojnë si luginën e Drinosit, ashtu edhe grykat e majat e Buretos dhe Nëmërçkës në zonën e Pogonit. Me rreth 7,000 banorë Dropulli është një nga ato zona, ku si pasojë e migrimit vështirë të gjesh e takosh të rinj, por do të mirëpritesh nga një kontigjent më i moshuar, i cili në fakt përbën zemrën dhe pasurinë e vërtetë të kësaj zonë. Gjyshërit dhe gjyshet Dropullite, më të cilët mund të flasesh në Shqip, Greqisht, por dhe Italisht, Anglisht e Rusisht, janë mësuesit më të mirë të historisë së vendit, kulinarisë dhe prodhimeve lokale, kulturës dhe folklorit, dhe në fakt, janë ato që ende sot ruajnë e mbajnë gjallë me mjaft dashuri dhe fisnikëri, një zonë si Dropulli!

Dikur qendra administrative e Dropullit, Derviciani sot është fshati më i madh dhe porta hyrëse e Bashkisë. Majft modest në pamje të parë, në Dervician, ashtu si dhe një të gjithë fshatrat e tjerë, do të të duhet të ngjisësh sokakët e rrugicat me jargavanë e hardhi rrushi, për të parë ngë afër banesat e gurta me portat e drurit të dekoruara me gjete dafine e me taraca panoramike, vizituar kishat e vjetra ku aroma e temjanit dhe qirinjve të ngacmon që në oborrin e jashtëm, e për të folur me tej me gjyshet që mes hardhive të rrushit të kanë spikatur nga tarraca që në momentin e parë që ke mbërritur aty. Dhe pa kuptuar do ta gjesh veten të ulur në një karrige druri në një nga këto tarraca, duke pirë raki e ngrënë gliko të bëra nga vetë ato, e duke shijuar pamjen e mahnitshme mbi Drinos. E teksa je duke shijuar qetësinë e këtij momenti, do të nisësh pak nga pak të dallosh të gjithë fshatrat e gurtë mes grykave, dhe më pas oxhaqet që dimrit të lajmërojnë që diku aty brenda ka një zjarr bubulak që të fton.

Duke lënë pas Goranxinë, Vanisterin, Haskovën dhe Dhuvjanin, arrijmë në Sofratikë, e cila të ofron mundësinë që ndër të tjera të njohësh një nga sitet arkeologjike më pak të njohura, por me mjaft vlera, Hadrianopolisin. Sëbashku me Antigonenë, amfiteatri i Hadrianopolisit krijon një binom të rëndësishëm të qytetërimit, që daton që në shekujt e V dhe VIII pas Krishtit. Më tej kisha dhe shtëpitë karakteristike me tarraca të Terihatit, të ftojnë të ndjekësh rrugëtimin nëpër luginë, për në Goricë, Frashtan, Lugar, Grapsh, duke mbërritur në Jorgucat. Jorgucati është qendra e rë administrative e Bashkisë, dhe ndodhet në mesin e një fushe pjellore, që prodhon mjaft profukte, ndër më të famshet gështenjat. Rruga kryesore që lidh fshatrat në vazhdim të çon drejt Zervatit, Bularatit, Bodrishtës, Vodhinës, Pepelit, Vriserasë, Klisharit, Likomilit, Selos, Krionerës, Llovinës, Llongos, Koshovicës, e Sotirës. Sotira, e ndodhur në pjesën më të lartë të Dropullit të Sipërm, është një thesar i fshehur i Dropullit, i cili të krijon ndjesinë e të kthyerit pas në kohë. Madje çdo gjë të duket sikur ka mbetur aty, në të shkuarën. Shkolla e vjetër që sot nuk është më funksionale, të mahnit me fasadën e saj dhe gjelbërimin që spontanisht e ka rrethuar dhe e ka bërë akomë më misterioze. Kisha dhe kulla e këmbanës qëndrojnë krah njëra tjetrës pak më sipër, duke krijuar një shesh të përbashkët që duket sikur të fton të veprosh. Aty ku dikur ngrihej Bredhi i Sotirës, sot gjendet vetëm një pjesë e mbijetuar prej zjarrit që e dogji, por edhe aq mjafton të kuptosh madhështinë e këtij Monumenti Natyre. Në afërsi të fshatit të Sotirës, lehtësisht mund të shkosh në Pyllin e Sotirës, një Park Natyror me statusin “zonë e mbrojtur”, i cili të ofron mundësinë të shijosh natyrën, pejzazhin dhe panoramën mahnitëse nën ajrin e pastër dhe qetësinë mbizotëruese. Përpos gjithë këtyre, në datën 5 Gusht Sotira feston Shën Sotirën, një festë që manifeston traditën dhe kulturën e vendit, thuajse pagane në formën e organizimit, kërcimet, kostumet dhe ritet, plot ngjyra, tinguj dhe shije të mrekullueshme, të cilat të gjitha sëbashku të ftojnë të gëzosh natyrën dhe çdo gjë që gjen aty.

Ana tjetër përtej Drinosit të pret ta vizitosh me të tjera bukuri. Peshkëpia me Manastirin e Shën Mërisë dhe shtigjet panoramike drejt tij përfaqësojnë një landmark pejzazhor që të jep mundësinë të rrethohesh dhe pushtohesh nga natyra. Si në pikturat e Lear-it, do të përhumbesh në qetësinë e perëndimit, mes shtresave të ndryshme të pejzazhit, të cilat njëra pas tjetrës zbulojnë kaq shumë bukuri, që nuk ke se si t’i shijosh ndryshe, përveçse të jesh aty lart. Këmboret e deleve ndërkohë plotësojnë këtë imazh baritor, duke të bërë të ndjehesh me fat që jë aty në atë moment. Pak më tutje do të gjendesh në Glinë, aty ku buron uji Glina. Burimet përgjatë rrugës kanë ujë të ftohtë për të të rikarikuar të vazhdosh udhëtimin. Nëse ndjehesh i uritur, me siguri një nga banorët do të të spikasë tek ecën e do të të afrohet të të flasë e ofrojë diçka për të ngrënë. Nuk ndosh shpesh të shohin individë jo-banorë të zonës të vërtiten rrotull, ndaj me të të parë do të jenë të gatshëm të të bëjnë shoqëri. Të të tregojnë për jetën në fshat, kopetë e dhive e deleve, apo baxhot e bulmetit e fermat e vogla pranë shtëpive. Nuk do të shpëtosh pa pirë një gotë raki, shoqëruar me petulla e mjaltë. Zakoni e ka, njeriu ka dy këmbë, ndaj 2 gota raki medoemos duhet t’i rrëkesh.

Dalëngadalë, duke u ngjitur lartë pejzazhi nis e egërsohet e bëhet më misterioz teksa ngjitemi përmes Grykës së Suhës drejt zonës së Pogonit, e qendrës së tij Poliçanit. Këtu edhe banorët do t’i shohësh të ndryshojnë. Meshkujt janë më trup mëdhenjë, zërat janë më të trashë, dhe pamja e malësorit karakterizon jo vetëm ato, por dhe femrat që ngjiten lart e poshtë duke mbartur drru, ose duke shoqëruar dhentë. Në Selckë ndoshet një nga sistemet më të vjetra të ujësjellësit në zonë, ndërtuar me gurë e ruajtur me fanatizëm e mund deri më sot nga vetë banorët. Sistemi siguron jo vetëm grumbullimin e ujit në vaska depozitimi, por dhe qarkullimin e tij në zonat publike të larjes së rrobave në fshat, apo vaskave të ujit për bagëtitë. Kryeplaku i fshatit do të të rrëmbejë për së paku 30min të të shpjegojë çdo gjë mbi këtë sistem. Do të njohësh në zërin e tij, mundin e sakrificën, por dhe krenarinë e fshëhur me aq fisnikëri ndër to. Këmborët e dhenve, gur pas guri do të të drejtojnë për në Poliçan. Poliçani është një mini-metropoli në kontekstin rural, që lidh Pogonin e Dropullin, me Zagorinë e Libohovën. Do shohësh shtëpi të gurta, një pjesë e mirë e të cilave të rinovuara me kujdes nga banorët, manastirin që ndonëse jo i mirëmbajtur, ende ka disa afreske të mrekullueshme të kohës bizantine, dhe lokalin e vetëm të fshatit, i cili me oborrin përbri është qendra e fshatit. Në Poliçan, si dhe në çdo fshat tjetër të Dropillit, çdo kush njeh çdo kush, ndaj të krijohet ndjesia që je në mesin e një familje të madhe. Në nderin tënd do të pjekin një qengj, do të të thekin bukën e bërë vetë mbi sobën e zjarrit, do të të ofrojnë sallatën e famshme me lakra të egra, marinuar me limon e vaj ulliri, salcën e kosit nga baxhoja që ndodhet pak më poshtë, dhe në fund të pret një mrekulli që do të të bëjë për vetë: kosi me mjalt dhe arra, specialiteti i zonës. Nuk e di nëse sekreti është tek bërja e kosit, apo tek cilësia e mjaltit, tek dashuria me të cilën e gjitha është bërë, apo tek të tëra sëbashku, por që kjo përmbyllëse e eksperiencës kulinaristike në Poliçan është një memento e vërtetë! Të mos harrojmë, rakia na shoqëron gjatë gjithë kësaj ekperience. Madje do të të ofrojnë edhe një shishe të vogël plastike të ujit Glina, mbushur me raki, për të të bërë shoqëri gjatë rrugëtimit tënd në pjesën tjetër të Pogonit.  Skoreja dhe Sopiku pasojnë Poliçanin, dhe të dy fshatrat janë mëse mikpritës me shtëpitë e gurta dhe sheshet e vogla panoramike përreth kishave. Më tej, me shumë vështirësi nëpër rruginat e ngushta të pashtruara mund të ngjitemi në Hllomo, Mavrojet dhe Çatistër. Gjasat janë, nëse është dimër dhe ka baltë, rruga nuk është shumë e sigurtë të mbërrish deri në Mavrojer e Çatistër, ndaj ato pak banorë që kanë mbetur aty, do zbresin të të takojnë me shume dashamirësi në Hllomo. Panorama pejzazhore që të ofron Hllomoja është e tillë që do të të duhet të ulesh në një nga tarracat e shtëpive, dhe të shijosh në qetësi duke ngrënë fruta, gliko, duke pirë lëng thane, ose raki, dhe duke shkëmbyer një bisedë të përzemërt me banorët që janë mbledhur aty.

E teksa shijon të gjithën këtë, mer frymë thellë e lëre pamjen rreth teje të të përfshijë tërësisht Mund të thuash më në fund që ke shijuar plotësisht Dropullin nga Derviciani në Hllomo, nga fusha në mal, e nga petullat me mjaft tek rakia e lëngu i thanës, secila prej tyre shijuar nën një panoramë mbreslënëse. Ky është Dropulli modest, por me zemrën e madhe, shijet e shumta që vijnë drejtëpërsëdrejti nga toka, dhe pamjet a panumërta që do të të mbesin në mendje gjatë.

 

*Për çdo përdorim të fotove ose artikullit, duhet referuar burimi dhe autori.

 

Fotografitë nga Eranda Janku

Marmalatë Fiku

Erdhi koha e fiqve dhe unë nuk kam si të mos jem e lumtur. I dashuroj dhe eksperimentoj me to aq sa të mundem. Marmalata e fikut është kthyer në të preferuarën time, pasi është shumë e thjeshtë për tu përgatitur e nuk kërkon aq shumë sheqer sa një reçel tradicional.

  • Llojin e sheqerit e keni ju në dorë, por në rast se përdorni sheqer kokosi sigurohuni të ulni pak dozën.

Proçedura:

 

Ndizni furrën në temperaturë 250°C.

Shplani me ujë të bollshëm fiqtë e më pas hiquni bishtat.

Vendosini bashkë me sheqerin në një blender ose grirës ushqimor dhe pulsoni sipas dëshirës. Nëse doni një marmalatë me copëza mos pulsoni shumë, në të kundërt pulsoni deri sa masa të jetë homogjene.

Vendoseni purenë e fikut në një tepsi të madhe, ku masa e vënë të mos jetë e trashë dhe piqeni duke e përzier herë pas here me lugë.

Marmalata duhet pjekur deri sa të fillojë të mpikset, në momentin e përzierjes me lugë të mos e humbasë strukturën.

Kini kujdes të mos e piqni më tepër se ç’duhet pasi do të përfundoni me një masë të fortë e cila do të jetë e vështirë për tu menaxhuar.

Transferojeni marmalatën në kavanoza qelqi sa masa është ende e ngrohtë dhe lërini të ftohen plotësisht me kapakë hapur.

Më pas ruajeni në frigorifer.

 

Fotografitë nga Eranda Janku